Papa Françesku: Pagëzimi nuk është formulë magjike, por dhuratë e Shpirtit Shenjt

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Françesku pohoi: “Nuk jemi vetëm, Kisha Nënë lutet që bijtë e saj, të rilindur në Pagëzim, të mos bien në kurthet e djallit, por ta mundin, me pushtetin e Shpirtit Shenjt.

Ashtu si javën e kaluar, Papa Françesku ia kushtoi audiencën e përgjithshme Pagëzimit, “sakramentit të fesë”, duke kujtuar se “nuk është ndonjë formulë magjike”, por dhuratë e Shpirtit Shenjt! Në gurrën e Pagëzimit – kujtoi Papa – nuk shkohet kurrë vetëm, por i shoqëruar nga lutja e mbarë Kishës.

Kisha lutet, e lutet për të gjithë! Për të gjithë ne! E ne, Kisha, lutemi për të tjerët, Gjë e bukur të lutesh për të tjerët. Sa herë na ndodh që, duke mos pasur ndonjë nevojë të ngutshme, nuk lutemi… Ndërsa e dimë mirëfilli se Kisha është gjithnjë në lutje. E se edhe ne duhet të hyjmë në këtë lutje e të lutemi për mbarë popullin e Zotit e për ata, që kanë nevojë për lutje.

Lutja i mbron fëmijët

Papa i nxiti besimtarët të luten për fëmijët, për shëndetin e tyre shpirtëror e trupor. Kjo është një mënyrë e frytshme për t’i mbrojtur fëmijët. Pagëzimi – shtoi – është dhuratë e Shpirtit Shenjt, që e aftëson të pagëzuarin të luftojë kundër shpirtit të së keqes.

E Pagëzimi na përgatit, na jep forcë për këtë luftë të përditshme. Edhe për luftën kundër djallit që – siç na e kujton Shën Pjetrin – na sulet si luan e kërkon të na copëtojë, të na shkatërrojë.

Kisha, gjithnjë pranë bijve të saj

Nuk është e lehtë të luftoh kundër së keqes – theksoi në përfundim Papa. – Vështirë, të shpëtosh nga mashtrimet e saj e të rifitosh forcën, pas një lufte shkallmuese. Por duhet ta dimë se e gjithë jeta e krishterë është betejë, dyluftim në fushën e mejdanit të së mirës kundër së keqes.  E edhe se nuk jemi vetëm, se Kisha Nënë  lutet që bijtë e saj, të ringjallur në Pagëzim, të mos bien në grackat e djallit, por ta mposhtin, me pushtetin e Shpirtit Shenjt.

Radio Vatikani