Papa Françesku në Shën Martë: Durimi nuk është nënshtrim, por dialog me kufizimet vetjake

“T’i lypim Zotit virtytin e durimit”, tipik për kë është për udhë e mbart mbi shpatulla vështirësi e prova, si shumë nga vëllezërit tanë të persekutuar në Lindjen e Mesme. Kështu u shpreh Papa duke kremtuar Meshën në Shtëpinë e Shën Martës.

Feja juaj, e vënë në provë, prodhon durim”. Kështu shkruan Shën Jaku Apostull në Leximin e parë të sotëm, nga i cili Papa u frymëzua për reflektimin e tij.

Durimi nuk është nënshtrim, as disfatë

Por, ç’do të thotë të jesh durimtar në jetë, përballë provash? Natyrisht nuk është aspak e lehtë ta kuptosh – vërejti Françesku – e më pas kujtoi se durimi i krishterë ndryshon nga nënshtrimi e nga  ndjesia e hidhur e disfatës. Sepse nuk është disfatë. Është virtyt i njeriut për udhë, jo i atij,  që ndalet, mbyllet në vetvete, nuk ka më forcë të ecë përpara.

E kur ecën, ndodhin edhe ngjarje të papëlqyera. Mua më flet shumë mbi duresën, parë si virtyt në ecje, sjellja e prindërve, kur u vjen një fëmijë i sëmurë a i gjymtë. Kur u lind kështu: “Epo, faleminderës Zotit, është gjallë!”- thonë me duresë. Dhe merren gjithë jetën me këtë fëmijë, plot dashuri, deri në fund të fundit. E nuk është aspak e lehtë të merresh për vite e vite me një fëmijë të gjymtë, me një bir të sëmurë… Por gëzimi që e kanë, u jep  forcë të ecin përpara. E ky quhet durim! Jo nënshtrim. Është virtyt i njeriut në ecje.

“Durimi i krishterë nuk ecën kurrë në udhën e disfatës”

Njeriu, që nuk duron, i refuzon dhe i injoron kufizimet e veta

E akoma: “Ç’mund të na mësojë etimologjia e fjalës ‘durim’”? – pyeti Papa. Kjo fjalë ka kuptimin e përgjegjësisë, sepse durimtari – reflektoi – nuk e shkarkon vuajtjen mbi të tjerët, e mbart mbi vete, e këtë e bën me gëzim, me hare, me hare të përsosur, na kujton Apostulli.

Durim do të thotë ta mbartësh vetë e të mos ia besosh tjetrit problemin, ta kapërcesh vetë vështirësinë. “E mbart vetë! Kjo është vështirësia ime, problemi im”. Por, a nuk të bën të vuash? Oh, natyrisht! Por e mbart se e mbart! Durim do të thotë edhe të dish të dialogosh me kufi. Ka shumë kufij në jetë, që i paduruari nuk i do… Ndonëse i di!

Durimi i Zotit shoqëron e pret

Por durimi, për të cilin flet Shën Jaku, nuk është këshillë për të krishterët – saktësoi në vijim Papa. Po ta vërejmë historinë e shëlbimit – kujtoi – mund ta shohim tejet shpesh durimin e Zotit, Atit tonë, që i priu popullit të vet kokëfortë dhe e çoi përpara sa herë bënte ndonjë idhull a sa herë luhatej andej e këndej. E durim është edhe ai, që ka Ati me secilin prej nesh, nësa na shoqëron e pret kohët tona. Zoti, i cili dërgoi edhe Birin e vet, që të hynte në durim, të merrte mbi vete misionin e tij e t’i shtrohej vendosmërisht mundimeve.

E këtu mendoj për vëllezërit tanë të përsekutuar në Lindjen e Mesme, të dëbuar, vetëm e vetëm sepse janë të krishterë… E krenohen për fenë e tyre: kanë hyrë në durim, ashtu si Zoti. Me këto mendime, sot ndoshta mund të lutemi për popullin tonë: “O Zot, jepi popullit tënd durim për t’i mbartur provat”. E të lutemi edhe për ne. Shpesh herë na mungon fare durimi: kur ndonjë gjë nuk shkon si duhet, lëshojmë kushtrimin…“Epo, ndalu pakëz. Ndalu e mendo për durimin e Zotit Atë, hyrë në durim, si Jezusi”. Virtyt i bukur, durimi. T’ia lypim Zotit!

Radio Vatikani