Papa Françesku në liturgjinë pendestare: Sa e vështirë është ta lejojmë Zotin të na dojë me të vërtetë

Rast për t’u takuar me Zotin në rrëfyestore, por edhe mundësi për të shprehur bashkimin me Papën Françesku. Kjo është nisma “24 orë për Zotin”, përuruar në Vatikan nga vetë Ati i Shenjtë, i cili, sot pasdite, kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke u kujtuar të gjithëve rëndësinë e Sakramentit të Pajtimit me Zotin.

Papa u rrëfye vetë i pari

E ishte ai vetë i pari, që pas homelisë e heshtjes për të rrëmuar në ndërgjegje, pas litanive e lutjes “Ati ynë”, zbriti nga altari për të shkuar drejt rrëfyestoreve e për t’u ulur në gjunjë para rrëfyesit, të cilit i kërkoi zgjidhjen e mëkateve. 10 minuta më vonë, u bë ai vetë rrëfyes për disa pendestarë. Papa deshi kështu, ta bënte të qartë se cila është zemra e nismës “24 orë për Zotin”, kremtuar gjithnjë, që nga fillimi i papnisë së Françeskut, të premten që i paraprin së Dielës IV të Krezhmëve.

Pavarësisht nga mëkati, Zoti nuk largohet prej njeriut

Gjatë homelisë, Papa shpjegoi se pavarësisht nga mëkati, Zoti nuk largohet prej njeriut e Hiri i Tij vijon të punojë në zemra, për ta bërë edhe më të fortë shpresën se kurrë nuk do të privohemi nga dashuria e Hyut. Françesku komentoi tre mohimet e shën Pjetrit e këngën e gjelit, që e bëri të kujtonte fjalët paralajmëruese të Krishtit. Është ajo këngë, që hedh poshtë velin me të cilin i ishin zënë sytë apostullit e nuk shihte në Mësuesin e tij, Krishtin, që po shkonte të vdiste për të. Pjetri, nënvizoi Papa, e kupton vetëm në atë çast se nuk e kishte lënë Zotin ta dojë me të vërtetë e kështu, nuk e kishte lejuar ta shëlbonte deri në fund.

“Sa e vështirë është të lejosh të të duan me të vërtetë!”

I tillë është edhe mëkatari i sotëm, vërejti Ati i Shenjtë. “Sa e vështirë është të lejosh të të duan me të vërtetë! Do të dëshironim gjithnjë që së paku, një pjesë e jona të mos i shprehte mirënjohjen askujt, por, në realitet, jemi borxhlinj për gjithçka, sepse Zoti ecën para nesh e na shëlbon plotësisht, me dashurinë e Tij”.

Si në vitet e kaluara, në të gjitha dioqezat e botës, së paku një kishë do t’i mbajë dyert hapur 24 orë, për t’i dhënë kujtdo mundësinë e lutjes, të adhurimit të Zotit e të Rrëfimit sakramentor.

Radio Vatikani