Papa Françesku: Gjon Pagëzuesi na mëson ta dёshmojmё Zotin me jetё

Në festën e Lindjes së Gjon Pagëzuesit, tё reflektojmë me Papёn Françesku për figurën, jetën dhe dëshminë e jashtëzakonshme tё Pararendësit tё Zotit tonё Jezu Krishti, lindja e tё cilit ishte ngjarje e madhe. Te Gjon Pagëzuesi kemi tri thirrje: të përgatisë, të vlerësojë, ta lejojë Zotin të rritet e të zvogëlohet vetë.

R.SH. – Vatikan

Kisha katolike romake kremton sot, 24 qershor, festën e Lindjes së Gjon Pagëzuesit, i cili është ‘burri më i madh i lindur prej gruaje’: kështu thotë formula e  shenjtërimit të Gjonit. E këtë formulë nuk e tha ndonjë papë, e tha vetë Jezusi. Ky njeri, Gjon Pagëzuesi, është burri më i madh i lindur nga gruaja. Shenjti më i madh: kështu e shenjtëroi Jezusi.

Ne duam tё reflektojmë  sot me Papën Françesku për figurën, jetën dhe dëshminë e jashtëzakonshme tё Pararendësit tё Zotit tonё Jezu Krishti,  Gjon Pagëzuesit, lindja e tё cilit ishte ngjarje e madhe, që ua shndriti jetën prindërve pleq, Elizabetës e Zakarisë, të cilët kishin pritur aq, sa tashmë kishin harruar të prisnin.

Zoti u dha hir

Burri, Zakaria e kishte humbur fare besimin, mbasi ligjet natyrore nuk e lejonin, e ata tashmë ishin në moshë të shtyrë. Burri dyshonte! Prandaj Zoti  e  la pa fjalë. Mbeti pagojë gjatë gjithë kohës të pritjes së madhe tё lindjes sё Gjonit. Kohës së hirit.

Po Zoti nuk varet nga logjikat tona e nga aftësitë tona të kufizuara njerëzore. Duhet të mësohemi të besojmë e të heshtim, përballë misterit të Zotit e ta kundrojmë  me përultësi e heshtje, veprën e  Tij, që dëftohet në histori e që shpesh herë ia kalon shumë edhe përfytyrimit tonë.

Elizabeta, siç na e kujton Ungjilli i Lukës, zgjedh emrin Gjon, që do të  “Zoti na e dha hirin”. E Gjoni, “si dhuratë e falur e tashmë  e papritur”, do të ishte kasnec, dëshmitar i hirit të Zotit për të varfërit, që presin me fe të përvuajtur shëlbimin. Zakaria e pranon “papritmas” zgjedhjen e këtij emri, duke e rifituar sakaq, ashtu si e kishte humbur, dhantinë e fjalës. “Nga ana tjetër – nënvizoi Papa Françesku – e gjithë ngjarja e lindjes së Gjon Pagëzuesit rrethohet nga ndjenja gazmore e mahnitjes, e së papriturës, e mirënjohjes”.

Të përulemi, për të kumtuar Zotin

I krishteri nuk shpall vetveten, por Zotin. Këtu e vuri theksin Papa Françesku në Meshën e 24 qershorit 2014, në kapelën e Shtëpisë sё Shën Martës, nё Vatikan. Duke kremtuar solemnitetin e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, Papa Françesku, me atё rast, foli për thirrjen e “më të madhit ndër profetë”: ai përgatit udhën, bën vlerësime, bën shqyrtime, zvogëlohet.

Thirrjet e Gjon Pagëzuesit

Gjon Pagëzuesi përgatit ardhjen e Krishtit Zoti, shqyrton e vlerëson kush është Zoti, zvogëlohet, që Zoti të rritet. Me këto tri folje e përshkoi dhe përshkroi Papa Françesku thirrjen e Gjon Pagëzuesit, i cili është gjithmonë model për të krishterin. Gjoni, tha Papa në meshën e 24 qershorit tё vitit 2014, i përgatit udhën Jezusit “pa marrë asgjë për vete”. Ishte njeri i rëndësishëm: “Njerëzit e kërkonin, e ndiqnin, sepse fjalët e Gjonit ishin të forta”. Fjalët e tij i preknin njerëzit në zemër. Ndoshta për këtë arsye ka pasur “tundimin për të besuar se ishte i rëndësishëm, por nuk ra në këtë tundim”. Kur mësuesit e ligjit iu afruan për ta pyetur a ishte ai Mesia, Gjoni u përgjigj: “Jam zëri, vetëm zëri”, por “kam ardhur për t’i përgatitur rrugën Zotit”. Ja cila është thirrja e parë e Gjon Pagëzuesit, vërejti Papa: “Të përgatisë popullin, të përgatisë zemrën e popullit për takimin me Krishtin Zot”. Por, kush është Zoti?

E kjo është thirrja e dytë e Gjonit: të shqyrtonte, tё vlerësonte, mes shumë njerëzve të mirë, kush ishte Zoti. E Shpirti ia zbuloi këtë, ndërsa ai pati guximin të thoshte: ‘Ky është. Ky është Qengji i Hyjit, ai që i shlyen mëkatet e botës’. Nxënësit e panë këtë njeri duke kaluar, dhe e lanë në punë të vet. Të nesërmen ndodhi e njëjta gjë: ‘Është ai! Është më i denjë se unë’. Nxënësit shkuan pas tij. Kur po i përgatiste, Gjoni thoshte: ‘Pas meje vjen dikush…’ Ndërsa gjatë vlerësimit, që di të vlerësojë e të tregojë kush është Zoti, thotë: ‘Ky është… Para meje!’”.

Thirrja e tretë e Gjonit, vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio, është të zvogëlohet. Që prej atij çasti “jeta e tij filloi të përulej, të zvogëlohej, që të rritej Zoti, deri në asgjësimin e vetvetes”: “Ai duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem”, “pas meje, para meje, larg meje”:

E kjo ka qenë etapa më e vështirë e Gjonit, sepse Zoti kishte një stil, të cilin ai nuk e kishte menduar, deri ne atë pikë sa, në burg – sepse ishte në burg në atë kohë – vuajti jo vetëm për shkak të errësirës së qelisë, por nga errësira e zemrës: ‘A do të jetë ky? Mos jam gabuar? Sepse Mesia ka një stil shumë të thjeshtë… Nuk kuptohet…’. E, meqë ishte njeri i Hyjit, u thotë nxënësve të vet të shkojnë tek ai, për ta pyetur: ‘Po a je me të vërtetë ti, apo duhet të presim një tjetër?’”.

“Poshtërimi i Gjonit – pohoi Papa Françesku – është i dyfishtë: poshtërimi i vdekjes së tij, si çmim i paguar për një tekë”, por edhe poshtërimi “i errësirës së shpirtit”. Gjoni, që diti ta “priste” Jezusin, që diti ta “vlerësonte”, tani “e sheh Jezusin nga larg”. “Ai premtim – theksoi Papa – iku larg. Dhe përfundon i vetmuar. Në errësirë, i poshtëruar”. Mbetet i vetmuar, “sepse u asgjësua shumë, me qëllim që Zoti të rritej”. Gjoni, tha më tej ati i Shenjtë, e sheh se Zoti është larg, ndërsa ai është ”i poshtëruar, por me paqe në zemër”.

Tri thirrje tek një njeri: të përgatisë, të vlerësojë, ta lejojë Zotin të rritet e të zvogëlohet vetë. Është bukur ta mendojmë kështu thirrjen e të krishterit. I krishteri nuk shpall vetveten, shpall dikë tjetër, i përgatit udhën dikujt tjetër: Zotit. I krishteri duhet të dijë të bëjë vlerësime, duhet të dijë si ta dallojë të vërtetën nga çfarë duket se është e vërtetë, por nuk është: njeri që di të vlerësojë. E i krishteri duhet të jetë njeri që di të përulet, që Zoti të rritet, në zemrën dhe në shpirtin e të tjerëve”.