Papa Françesku: gjashtë vjet Papni, me forcën e Shpirtit Shenjt

Në këtë përvjetor, po rikujtojmë së bashku aspektet shpirtërore të shërbesës së Papës Françesku, shpesh të pasqyruara vetëm pjesërisht nga media: nga kristocentrizmi në fe, tek forca e lutjes; nga shenjtëria e së përditshmes, tek përmasa mariane…

R. SH. – Vatikan

Kaluan gjashtë vjet nga 13 marsi 2013, kur u zgjodh i pari Papë i ardhur nga kontinenti amerikan, i pari jezuit, i pari me emrin e të Vobegtit të Asizit. Pa u ndaluar tek ngjarjet dhe faktet më të njohura të këtyre 2191 ditëve me Papën Françesku, i 265-ti Pasardhës i Shën Pjetrit, mund të nënvizojmë 10 pika nga Papnia e tij, më shumë me karakter shpirtëror, që jo gjithnjë duken në kronikat:

Pika e  parë: “Ta jetosh fenë, do të thotë të takohesh me Jezusin”.

Në qendër të magjisterit të Papës Françesku është misteri i takimit  me Zotin, Hy i vërtetë e njeri i vërtetë, nga i cili buron kumti i parë, “kerygma”: “Jezu Krishti të do, dha jetën për të të shpëtuar e tani jeton prenë teje çdo ditë, për të të ndriçuar, për të të përforcuar, për të të çliruar” (Evangelii gaudium, 1649). Feja nuk është idelogji – idetë përçajnë e ngrenë mure – por takim konkret me Zotin tonë, Jezu Krishtin, që na nxit t’i takojmë të tjerët, duke na e ndryshuar përgjithnjë jetën.

Pika e dytë: Lutja

Zoti është Ati ynë e ne jemi vëllezër. Lutja – pohon Papa Françesku – është në bazë të jetës së krishterë e, përtej fjalëve, do të thotë të rrish me Zotin, t’ia besosh vetveten Atit. Lutja e vërtetë është marrëdhënie e gjallë, përvojë e përditshme, dëgjim e dialog, ngushëllim e çlirim, por edhe zemërim. Edhe kjo është lutje! Atij i pëlqen kur ti zemërohesh e ia thua ndër sy, atë që ndjen, sepse është Atë. Në çaste  prove, nga zemra jonë mund të shpërthejë një “Pse, o Zot?”: britmë e dalë nga shpirti i zhytur në errësirën e provës, kur të duket se askush nuk ta kupton deri në fund të fundit dhimbjen, që të grin. Të lutesh – na kujton Papa – do të thotë të kuptosh se jemi bij të një Ati të vetëm, që nuk na braktis kurrë, që na ndihmon ta kuptojmë se jemi vëllezër.

Pika e tretë: Ta lëmë Shpirtin Shenjt të na shndërrojë!

Një aspekt i fortë i kësaj papnie, është edhe ftesa për ta lënë Shpirtin Shenjt të na shndërrojë. Jeta e të krishterit – përsërit shpesh Papa – është kthesë e vazhdueshme, dalje e përditshme nga vetvetja – tek tjetri, nga mbyllja – në liri. Shpirti Shenjt na bën ungjillëzues të vërtetë: jo kërkimtarë prozelitësh, për t’i indoktrinuar e për t’i mbyllur në kafazin e një sekti, por mbartës të së Vërtetës, që u bë Vetje, që nuk imponohet, por që të bën të lirë.

Pika e katërt: Kisha të jetë shtëpia e hapur e Atit

Kisha është sakrament shëlbimi e prandaj – pohon Papa – thirret të jetë  gjithnjë “Shtëpia e hapur e Atit”. Ndërsa mund të ndodhë edhe që të sillemi si kontrollorë të hirit. Po Kisha nuk është doganë: është shtëpi atërore, ku ka vend për të gjithë. Eukaristia, ndonëse përbën përsosurinë  e jetës sakramentore, nuk është çmim për të përsosurit, por ilaç e shujtë për të ligshtit. Bashkësia e krishterë është e thirrur të bëhet samaritane e mirë, për t’u përkulur mbi vëllezërit e flakur në mes të rrugëve. Por pa e mbyllur kurrë Jezusin në kishë: Ai i troket portës për të dalë e për të çuar kudo jetë!

Pika e pestë: risim i vazhdueshëm shpirtëror

Kisha, populli i Zotit – pohon Papa – është e thirrur të përtërihet vazhdimisht, për të qenë gjithnjë besnike ndaj Krishtit. Është dinamizëm i brendshëm, i vënë në lëvizje nga Shpirti Shenjt, që i bën gjithnjë më të kuptueshme të vërtetat e krishtera dhe e thellon inteligjencën në fe: është ai zhvillim i doktrinës, që mund të shkandullojë, por që prej dymijë vjetësh histori ka bërë shumë hapa përpara, sot të padiskutueshme. Është Kishë, që pastrohet nga provat, si për shembull, shkandulli i abuzimeve! Kishë e varfër për të varfërit, që jeton për të shërbyer e di të ecë së bashku, kler, rregulltarë e laikë, burra e gra, duke i kapërcyer  tundimet e klerikalizmit.

Pika e gjashtë: Shkandulli i zhvillimit të doktrinës

Feja e vërtetë na vë në krizë. E Papa Françesku e ka vënë në krizë krishterimin tonë. Ashtu si pati bërë Jezusi, i cili i shpoi me hosten të ashtuquajturit të afërt, që asokohe ishin skribët e farizenjtë, ndërsa hodhi ura për të ashtuquajturit “të largët”. I detyroi, me një gjuhë shpesh të fortë, të mbajnë qëndrim ndaj fjalëve të tija: t’i pranojnë, ose t’u kundërvihen. “Një fe, që nuk të vë në krizë –  na kujton Papa – është fe në krizë; një fe,  që nuk të bën të rritesh, është fe që duhet të rritet; një fe, që nuk të pyet, është fe që duhet pyetur; një fe, që nuk na gjallëron, është fe që duhet gjallëruar”.

Pika e shtatë: dashuria e krishterë, mbi gjithçka

Thelbi i krishterimit – përsërit Papa – është dashuria e krishterë. Mund t’i shpallim botës të vërtetat më të mëdha të fesë, duke dhënë edhe jetën, mund të bëjmë mrekulli, të dëbojmë demonët, por po të mos kemi dashuri, nuk vlejmë fare! Dashuria nuk është abstrakte! Françesku nuk lodhet së përsërituri se në fund të jetës do të gjykohemi për diçka tjetër, shumë më konkrete. E citon vazhdimisht Ungjillin e Shën Mateut: “Pata uri, e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; isha i huaj, e më strehuat, i zhveshur, e më veshët; i sëmurë, e më vizituar, i burgosur, e erdhët të më ngushëlloni”.

Pika e tetë: Shenjtëria është mëshirë e përditshme

Kjo është koha e mëshirës. Një tjetër frazë e Françeskut, shpesh e keqkuptuar, e parë si prirje e një bonizmi relativist. Ndërsa Françesku vijon të përsërisë: “Mëshira e Atit është e pafundme, por nëse nuk e mirëkuptojmë, na pret zemërimi i Zotit. Ferri! Refuzimi i dashurisë së Zotit. I Gjithëpushtetshmi ndalet vetëm para një gjëje: lirisë sonë. Prandaj Papa bën dallim ndërmjet mëkatarëve e të korruptuarve. Mëkatarë jemi të gjithë, e Françesku vihet në krye të radhës, ndërsa të korruptuar janë ata, që  e mbajnë veten të drejtë e që  nuk  e përfillin fare ndjesën e Zotit!

Pika e nëntë: i krishteri është në botë, por nuk është i botës

Në  të njëjtën vijë me gjithë traditën, Françesku e shikon të krishterin të angazhuar në botë, por me sytë e ngulur në qiell. Me lutjen “Ardhtë Mbretëria jote” gjithnjë në buzë; duke punuar në tokë, për të ndërtuar mbretërinë e dashurisë së Zotit. Prej këndej, denoncimi i Papës kundër tregtarëve të vdekjes, që bëjnë luftëra, për të fituar; kundër ekonomisë, që vret; kundër kolonializmave ideologjike, kundër teorisë geneder, që sulmon jetën e familjes, lirinë e edukimit e të ndërgjegjes. Françesku shkroi edhe një enciklikë për krijimin, prej këndej njihet edhe si “Papa i gjelbër”

Pika e dhjetë: Ndihma e Marisë dhe lufta kunër djallit

Françesku e kujton shpesh djallin. Nuk i bëhet vonë fare se mund ta shikojnë si njeri, që flet për gjëra mesjetare, të shkuara e të harruara. “Djalli ekziston! Edhe në shekullin XXI. E në shekuj të shekujve. Pas së keqes, që bën njeriu, është gjithnjë shejtani! Që përçan!”.

E për t’i bërë ballë luftës kundër tij, Françesku i bën thirrje përherë Marisë. Ia beson luftën Nënës së Zotit, siç bën në fillim e në fund të shtegtimeve të tij ndërkombëtare, duke u gjunjëzuar para Zojës Salus Populi Romani.

Është Papa i Rruzares, që beson ngultas në forcën e lutjes aq, sa tashmë është bërë familjare kërkesa e tij në fund të çdo kremtimi: “Mos harroni të luteni për mua. Kam nevojë!”.

Të lutemi pra, për Papën, në këtë gjashtëvjetor papnie. Le të jetë kjo, dhurata jonë. Që i pëlqen më shumë nga të gjitha dhuratat e tjera!