Papa Françesku: e mira e përbashkët nuk mund të ndahet nga e mira e çdo individi

Françesku priti në audiencë pjesëmarrësit në seminarin “E mira e përbashkët në epokën dixhitale”, organizuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe nga Këshilli Papnor për Kulturën.

R.SH. – Vatikan

Njerëzimi po përballet me sfida të reja për shkak të përparimit të pandalshëm teknologjik, nga i cili do të mund të përfitojmë në “masën me të cilën mundësitë e reja në dispozicion do të përdoren në mënyrë etike”. Me këtë premisë, marrë nga Enciklika “Laudato si’”, Papa Françesku iu drejtua pjesëmarrësve në seminarin “E mira e përbashkët në epokën dixhitale”, që i priti sot paradite në audiencë.

Nga 26 shtatori e deri nesër, ekspertët e teknologjisë më të përparuar, filozofët dhe teologët, diskutojnë për pasojat e zbatimit të inteligjencës artificiale në seminarin e organizuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe nga Këshilli Papnor për Kulturën.

Përgjigje të reja për sfida të reja

Me “bindjen e përbashkët se njerëzimi po përballet me sfida të pashembullta dhe plotësisht të reja”, Papa Françesku ritheksoi nevojën për zgjidhje të reja, “që vlejnë për të gjithë”:

“Problemet e reja kërkojnë zgjidhje të reja: respektimi i parimeve dhe i traditës, në të vërtetë, duhet të jetohet në formën e besnikërisë krijuese dhe jo në formën e imitimeve të ngurta, ose të vjetëruara. Prandaj, e konsideroj të lavdërueshëm faktin që nuk keni pasur frikë të vini në jetë, nganjëherë me saktësi të admirueshme, parimet morale, si teorike ashtu edhe praktike, dhe i keni shqyrtuar sfidat etike në kuadrin e konceptit të ‘së mirës së përbashkët’. Problemet, që duhet të analizoni, kanë të bëjnë me gjithë njerëzimin dhe kërkojnë zgjidhje, të cilat vlejnë për gjithë njerëzimin”.

Dy fytyrat e përparimit teknologjik

Papa Françesku dha më pas dy shembuj, për të shpjeguar se teknologjia mund të përdoret pozitivisht e negativisht. Së pari, robotika në botën e punës, e cila mund t’u japë fund punëve të rrezikshme, që e stërmundojnë njeriun, por, nga ana tjetër, mund të përdoret thjesht si mjet për të rritur prodhimin e për të larguar nga puna mijëra vetë, duke vënë kështu në rrezik dinjitetin e tyre. Shembulli i dytë i Atit të Shenjtë kishte të bënte me botën e informacionit. Informacioni në qarkullim është kaq i madh sa mund të gjinden më lehtë elementet, që ndihmojnë në analizat korrekte të çdo çështjeje, por kjo teknologji, ku përfshihet pa dyshim interneti, mund edhe t’u lehtësojë punën atyre, që duan të përhapin lajme të rreme, të manipulojnë opinionet deri në atë pikë, sa të vënë në rrezik institucionet, që garantojnë bashkëjetesën paqësore. Kur mund të flitet për përparim teknologjik? Papa përgjigjet:

“Nëse përparimi teknologjik bëhet shkak për pabarazi gjithnjë e më të theksuara, nuk mund ta konsiderojmë të vërtetë. I ashtuquajturi përparim teknologjik i njerëzimit, nëse do të bëhej armik i së mirës së përbashkët, do të çonte në një kthim fatkeq mbrapa, në një formë barbarie diktuar nga ligji i më të fortit”.

Etika të jetë në bazën e teknologjisë

Duke i falenderuar të pranishmit për punën e tyre, me të cilën dëshirojnë të vendosin etikën në bazën e teknologjisë, për të mbrojtur kështu, dinjitetin e çdo njeriu, “me bindjen se e mira e përbashkët nuk mund të ndahet nga e mira e çdo individi”, Papa Françesku përfundoi:

“Derisa edhe një person i vetëm mbetet viktimë e sistemit, sado i përparuar dhe efikas të jetë ai, derisa ky sistem nuk arrin të vlerësojë dinjitetin dhe kontributin e çdo njeriu, puna juaj nuk ka përfunduar akoma”.