Papa Françesku: don Bosko, dëshmitar i gëzimit të Ungjillit

Në parathënien e librit “Evangelii gaudium me don Boskon”, Papa Françesku nënvizon se propozimi i Shenjtit për të shkuar në periferitë shoqërore dhe ekzistenciale, ishte, e është, shprehje e lartë e jetës së krishterë.

R. SH. – Vatikan

“Nuk ishte shenjt me fytyrën e së Premtes së Madhe; të trishtuar, hundëvarur. Ishte  dëshmitar i gëzimit të Ungjillit, gjithnjë shend e verë, pavarësisht nga mijëra shqetësime, që e rrethonin ditë për ditë. Për të shenjtëri do të thoshte gëzim. Do të thoshte të jesh gjithnjë plot hare”. E ky, edhe portreti i themeluesit të salezianëve, skicuar nga Papa Françesku në parathënien e vëllimit, titulluar “Evangelii gaudim me don Boskon”.

Prifti i të rinjve të varfër e të braktisur

Mesazhi i don Boskos – shkruan Papa – ishte revolucionar, në një kohë kur priftërinjtë jetonin të shkëputur nga jeta e popullit. Në Torino, qytet industrial, që tërhiqte mijëra të rinj në kërkim të punës, çonte hovin e tij misionar. Zbriste rrugëve, hynte në kantiere, në fabrika, në burgje, e kudo shkelte, ndjehej fryma e tij, gëzimi dhe kujdesi i edukatorit të vërtetë të të rinjve, që  dinte t’i shkëpuste nga rruga, për t’u hapur horizonte të reja.

Françesku dhe karizma saleziane

Këtë klimë, ku ndjehej fort gëzimi i familjes, në Torinon e ‘800-tës, qytet i don Boskos, e jetuan dhe e shijuan një mori të rinjsh, të formuar nga salezianët. Edhe vetë Papa Françesku, që e vijoi klasën e gjashtë të shkollës fillore në Kolegjin Wilfrid Barón de los Santos Angeles, në Ramos Mejía, qytet argjentinas i provincës së Buenos Ajres. “Salezianët – shkruan Papa – më formuan, duke më mësuar ta shijoj të bukurën, të punoj e të jem gjithnjë plot me gëzim. Më dhanë zemër të rritem pa frikë, pa ankth. Më ndihmuan të gëzohem e të lutem!”.

Në periferitë e botës e të historisë

Në parathënien, titulluar “Të dashur salezianë”, Papa bën edhe pyetjen: “Si duhet të jetë saleziani i don Boskos për të rinjtë e sotëm?”. “Salezian që di të shikojë ç’ngjet përreth – pohon – që shikon situatat kritike e problemet e ndërlikuara, i njeh, i analizon e merr vendime guximtare”. “Është i thirrur të shkojë në zemër të të gjitha periferive të botës e të historisë, periferive të punës e të familjes, të kulturës e të ekonomisë, që janë plot me plagë, ndaj kanë nevojë të shërohen”.

Identikiti i salezianit

Saleziani – lexojmë akoma në parathënien e Papës – është edukator i të rinjve të braktisur, pa ardhmëri. Përkulet mbi plagët e tyre e i mjekon, si samaritan i mirë. Saleziani është edhe optimist për natyrë. Ai di t’i shikojë të rinjtë me realizëm pozitiv. “Siç na mëson akoma sot don Bosko, saleziani e njeh secilin prej tyre, edhe më rebelin, jashtë çdo kontrolli. Njeh atë pikë të karakterit të tij, që e ndihmon, pastaj, të punojë për ta shndërruar, me durim e besim”.

Zoti na do e na fal

Saleziani – vijon Papa – është mbartës i gëzimit, atij gëzimi, që lind nga lajmi se Jezu Krishti u ngjall e se është i pranishëm në jetën e gjithë njerëzve, sido që të jenë”. Zoti nuk përjashton askënd. Nuk na kërkon të jemi të mirë, pa të na dojë. E as nuk na lyp leje për të na dashur. Na do e na fal! Nëse mahnitemi nga kjo thjeshtësi, nga e cila  nuk humbasim  asgjë – do ta ndjejmë zemrën tonë të përmbytur nga gëzimi”. Kur këto karakteristika mungojnë, atëhere  duken  fytyrat me ngjyrimet e së Premtes së Madhe, të trishtuara e me hundë të varura!