Papa Françesku: “Dhuna e propaganduar dhe e realizuar në emër të fesë, nuk mund të bëjë tjetër, veçse t’i nxjerrë namin e keq vetë fesë”

“Dhuna e propaganduar dhe e realizuar në emër të fesë, nuk mund të bëjë tjetër, veçse t’i nxjerrë namin e keq  vetë fesë”. Duke u takuar me pjesëmarrësit e Konferencës  “Tackling violence committed in the name of religion”(T’i kundërvihemi dhunës së kryer në emër të fesë), Papa Françesku preku një temë “dramatikisht të rëndësishme dhe aktuale”, “atë të dhunës së kryer në emër të fesë”.

Kush ushtron dhunë në emër të Zotit, blasfemon

Gjatë fjalimit të shkurtër, por tejet të thellë, Papa theksoi: “Njeriu i fesë e di se një nga blasfemitë më të mëdha është ta përmendësh Zotin, si garant të mëkateve e të krimeve vetjake, duke e përdorur emrin e Tij, për të përligjur vrasjet, masakrat, skllavërimin, shfrytëzimin në çdo formë të tij, shtypjen e persekutimin e njerëzve e të popullsive të tëra. Njeriu me  fe të vërtetë e di se Zoti është vetëm mirësi, dashuri, dhembshuri e se në Të nuk mund të ketë vend për urrejtje, mllef, hakmarrje”

Misioni i liderëve fetarë

Në rrethanat bashkëkohore tejet të rënda e shqetësuese, “çdo lider fetar është i thirrur t’ia çjerrë maskën përpjekjeve të përdorimit të Zotit për qëllime, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me Të e me lavdinë e Tij”. Është urgjente, prandaj, të kujtohet “pa u lodhur kurrë, se çdo jetë njerëzore  ka në vetvete karakter të shenjtë, meriton respekt, konsideratë, mëshirë, solidaritet, pavarësisht nga etnia, nga feja, nga kultura, nga orientimi ideologjik a politik”.

Dhuna mohon çdo fe të vërtetë

Duke falënderuar për çdo nismë, që synon të promovojë dialogun e paqen, Papa Françesku shtoi, më pas, se angazhimi i çdo lideri të sotëm politik, i çdo drejtuesi fetar, i mësuesve e veprimtarëve të edukimit, të formimit e të informimit, duhet ta ndihmojë këdo që tundohet nga format e mbrapshta të besimit, të cilat çojnë në udhë të shtrembëra, për të kuptuar se ato nuk kanë të bëjnë fare me dëshmimin e një feje të denjë për këtë emër.

Paqja bazohet mbi vërtetësinë e dashurinë

Kultura e paqes – përfundoi Papa – bazohet gjithnjë mbi vërtetësinë e dashurinë, e kjo, sepse Zoti “të çliron nga frika, nga urrejtja e nga dhuna, e dëshiron të shërbehet nga fryma krijuese e nga energjitë e secilit, për ta përhapur planin e Tij të dashurisë e të paqes, drejtuar të gjithëve”.

http://sq.radiovaticana.va/news/2018/02/02/papa_%C3%ABsht%C3%AB_blasfemi_ta_th%C3%ABrras%C3%ABsh_zotin_si_garant_t%C3%AB_krimev/1361540