Papa e Imami i Madh: Deklaratë historike mbi paqen, lirinë dhe të drejtat e grave

Në dokumentin e nënshkruar nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit, Al-Tayyib, dënohet fuqishëm terrorizmi dhe dhuna: “Zoti nuk dëshiron që emri i Tij të përdoret për të terrorizuar njerëzit”.

R.SH. – Vatikan

“Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën e përbashkët”, nënshkruar sot pasdite në Abu Dabi, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit, Ahmed Al-Tayyib, nuk është vetëm gur kilometrik në marrëdhëniet e krishtërimit me islamin, por përfaqëson edhe një mesazh me ndikim të fuqishëm në skenën ndërkombëtare. Në parathënie, pasi pohohet se “feja e bën besimtarin të shohë tek tjetri vëllain për t’u mbështetur e për t’u dashur”, flitet për këtë tekst si për “një dokument të menduar me sinqeritet dhe seriozitet”, dokumenti që i fton “të gjithë njerëzit, që mbajnë në zemër fenë në Zotin dhe besimin në vëllazërimin njerëzor, të bashkohen dhe të punojnë së bashku”.

Papa dhe Imami i Madh flasin “në emër të…”

Dokumenti hapet me një sërë thirrjesh: Papa dhe Imami i Madh flasin “në emër të Zotit, që krijoi të gjitha qeniet njerëzore të barabarta, përsa u përket të drejtave, detyrave dhe dinjitetit”, “në emër të shpirtit të pafajshëm njerëzor, që Hyji nuk lejon të vritet”, “në emër të të varfërve”, të “jetimëve dhe të vejushave, të refugjatëve dhe të mërguarve, të të gjitha viktimave të luftës” dhe “të persekutimit”. Al-Azhar së bashku me Kishën Katolike “deklarojnë se bëjnë të vetën udhën e kulturës së dialogut; qëndrimin e bashkëpunimit të  përbashkët; metodën dhe kriterin e njohjes reciproke”.

Thirrje feve dhe krerëve të botës

Me këtë dokument, shkruajnë përfaqësuesit më të lartë të të krishterëve e myslimanëve, “i kërkojmë vetes dhe krerëve të botës, protagonistëve të politikës ndërkombëtare dhe të ekonomisë botërore, të angazhohen seriozisht për të përhapur kulturën e tolerancës, të bashkëjetesës dhe të paqes; të ndërhyjnë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të ndalur derdhjen e gjakut të pafajshëm dhe për t’u dhënë fund luftrave, konflikteve, degradimit të ambientit dhe zvetënimit kulturor e moral, që përjeton bota aktualisht”.

Feja e kultura të përhapin vlerat e paqes

Të dy krerët fetarë u kërkojnë njerëzve të fesë dhe të kulturës, si edhe medias, të rizbulojnë dhe të përhapin “vlerat e paqes, të drejtësisë, të së mirës, të bukurisë, të vëllazërimit njerëzor dhe të bashkëjetesës”. E pohojnë se besojnë “plotësisht se ndër shkaqet më të rëndësishme të krizës në botën moderne janë ndërgjegjja e anestetizuar dhe largimi nga vlerat fetare, përveçse mbizotërimi i individualizmit dhe i filozofive materialiste”.

Zvetënimi i etikës

Megjithëse i pranon hapat pozitive bërë nga qytetërimi modern, Deklarata thekson “zvetënimin e etikës, që kushtëzon veprimtarinë ndërkombëtare, si edhe dobësimin e vlerave shpirtërore dhe të ndjenjës së përgjegjësisë”. Kjo i shtyn shumë vetë “të bien, ose në vorbullën e ekstremizmit ateist dhe agnostik, ose në integralizmin fetar, në ekstremizmin dhe fundamentalizmin e verbër”. Ekstremizmi fetar dhe kombëtar, së bashku me intolerancën “janë sinjalet e një ‘lufte të tretë botërore pjesë-pjesë’”.

Shkaku i krizave botërore

Papa dhe Imami i Madh pohojnë më tej, se “krizat e forta politike, padrejtësia dhe mungesa e shpërndarjes së barabartë të pasurive natyrore – nga të cilat përfitojnë vetëm një pakicë të pasurish, në dëm të shumicës së popujve të tokës – kanë shkaktuar e vazhdojnë të shkaktojnë një numër të jashtëzakonshëm të sëmurësh, nevojtarësh dhe të vdekurish, duke sjellë kriza vdekjeprurëse, viktimë e të cilave janë shumë vende… Ndaj këtyre krizave, që çojnë drejt vdekjes nga uria miliona fëmijë, reduktuar që tani, në skelete njerëzore – për shkak të varfërisë dhe urisë – mbretëron një heshtje e papranueshme ndërkombëtare”.

Familja dhe feja, thelbësore

“Është e qartë sa thelbësore është familja” e sa i rëndësishëm është “ zgjimi i ndjenjave fetare”, sidomos ndër të rinj, “për t’u bërë ballë prirjeve individualiste, egoiste, konfliktuale, radikalizmit dhe ekstremizmit të verbër, në të gjitha format”. Të dy liderët kujtojnë se Zoti Krijues “na e dhuroi jetën për ta ruajtur. Dhuratë, që askush nuk ka të drejtë ta zhdukë, ta kërcënojë ose ta manipulojë sipas dëshirës… Prandaj, – thuhet në Deklaratën e përbashkët – dënojmë të gjitha praktikat, që e kërcënojnë jetën, si gjenocidi, veprimet terroriste, zhvendosja e detyruar, trafikimi i organeve njerëzore, aborti, eutanazia dhe politikat, që i mbështesin ato”.

Terrorizmi nuk vjen nga feja, por nga interpretimi i gabuar i saj

Përveç kësaj, Papa Françesku dhe Imami i Madh i al Azharit, Ahmad Al-Tayyib, deklarojnë “me vendosmëri se fetë nuk nxisin kurrë luftë, urrejtje, armiqësi, ekstremizëm, ose dhunë apo gjakderdhje. Këto fatkeqësi janë rezultat i devijimit nga mësimet fetare, vijnë nga përdorimi politik i feve e, edhe nga interpretimet e disa grupeve të njerëzve të fesë”. Për këtë arsye, nënvizohet në Deklaratë, “u kërkojmë të gjithëve të mos i shfrytëzojnë fetë për të nxitur urrejtjen, dhunën, ekstremizmin dhe fanatizmin e verbër; të mos e përdorin emrin e Zotit për të justifikuar vrasjet, mërgimin, terrorizmin dhe shtypjen”. Të dy liderët fetarë kujtojnë se “Zoti, i Plotfuqishmi, nuk ka nevojë të mbrohet nga askush dhe nuk dëshiron që emri i Tij të përdoret për të terrorizuar njerëzit”.

Të drejtat vijnë prej Zotit

Deklarata nënvizon se “liria është e drejtë e çdo njeriu: të gjithë duhet ta gëzojnë lirinë e besimit, të mendimit, të shprehjes dhe të veprimit. Pluralizmi dhe larmia e fesë, ngjyrës, gjinisë, racës dhe gjuhës janë rrjedhojë e vullnetit të mençur hyjnor”. Nga “Urtia hyjnore” rrjedh “e drejta e lirisë së fesë dhe e lirisë për të qenë të ndryshëm. Prandaj, është i dënueshëm veprimi i detyrimit të njerëzve për të përqafuar një fe apo një kulturë të caktuar, si dhe imponimi i stilit të një qytetërimi, që të tjerët nuk e pranojnë”.

Mbrojtja e vendeve të kultit

Më pas thuhet se “mbrojtja e vendeve të kultit – tempujt, kishat dhe xhamitë – është detyrë e garantuar nga fetë, nga vlerat njerëzore, nga ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Çdo përpjekje për t’i sulmuar vendet e kultit, ose për t’i kërcënuar me atentate, shpërthime ose shkatërrime është devijim nga mësimet e feve dhe shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare”.

Terrorizmi nuk arsyetohet me fe

Kujtohet më pas, se “terrorizmi, që kërcënon sigurinë e njerëzve, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim … duke përhapur panik, terror dhe pesimizëm nuk arsyetohet me fe – pavarësisht se terroristët e shfrytëzojnë atë – por me interpretimet e gabuara të teksteve fetare, me politikat që sjellin uri, varfëri, padrejtësi, shtypje, arrogancë; prandaj, është e domosdoshme t’i jepet fund mbështetjes së lëvizjeve terroriste, përmes furnizimit me para, armë, plane apo justifikime e, edhe mbulimit të tyre mediatik, duke e konsideruar gjithë këtë si krim ndërkombëtar, që kërcënon sigurinë dhe paqen globale”.

Dokumenti thekson se duhet “të angazhohemi për të afirmuar konceptin e qytetarisë së plotë në shoqëritë tona, duke hequr dorë nga përdorimi diskriminues i termit ‘pakica’, që mbart farën e izolimit e të inferioritetit”.

Njohja e të drejtave të grave

Deklarata e përcakton si “domosdoshmëri, njohjen e së drejtës së grave për arsim, punë dhe ushtrim të të drejtave të tyre politike. Gjithashtu, duhet punuar për ta çliruar gruan nga presionet historike dhe shoqërore, që bien në kundërshtim me parimet e fesë dhe të dinjitetit të saj. Është e nevojshme edhe të mbrohet nga shfrytëzimi… Prandaj, duhet t’u jepet fund të gjitha praktikave çnjerëzore dhe zakoneve vulgare, që poshtërojnë dinjitetin e grave dhe duhet punuar për të ndryshuar ligjet, që i ndalojnë ato t’i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre”.

Të drejtat e fëmijëve

Pasi theksohet e drejta e fëmijëve për t’u rritur në një ambient familjar, për t’u ushqyer e për t’u edukuar si duhet, Papa dhe Imami i Madh pohojnë: “Duhet dënuar çdo lloj praktike, që dhunon dinjitetin e fëmijëve apo të drejtat e tyre. Gjithashtu,  është e rëndësishme të vigjëlojmë kundër rreziqeve, ndaj të cilave ekspozohen – veçanërisht në ambientin dixhital – dhe ta konsiderojnë krim trafikimin e pafajësisë së tyre dhe çdo dhunim të fëmijërisë së tyre”.

Simbol i përqafimit të Lindjes me Perëndimin

Së fundi, “Al-Azhar dhe Kisha Katolike kërkojnë që ky Dokument të bëhet objekt hulumtimi dhe reflektimi në të gjitha shkollat, universitetet dhe institutet e arsimit e të formimit”. Përfaqësuesit më të lartë të krishterimit e të islamit urojnë që Deklarata e nënshkruar sot, të bëhet “simbol i përqafimit të Lindjes me Perëndimin, të Veriut me Jugun”.