Pallati i Kulturës në Pukë merr emrin e “Artistit të Popullit”, rapsodit, Ndue Shyti

Nga dje, Pallati i Kulturës në qytetin e Pukës do të mbajë emrin e “Artistit të Popullit”, Ndue Shyti. Zbulimi i pllakatit nga kreu i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj dhe nënkryetari Astrit Kuçi u bë pikërisht dje në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Pukës,  Gjon Gjonaj u shpreh i lumtur se u përjetësua emri i një prej themeluesve të Ansamblit Puka, artistit të shquar dhe virtuozit të papërsëritshëm, Ndue Shyti.

Më pas, për Ndue Shytin dhe rrugën e gjatë e plotë suksese të Ansamblit Puka, folën dhe instrumentistë, bashkëkohës e studiues te jetës dhe veprimtarisë së tij, por dhe mbar artit e kulturës pukjane.

Pjesë e kësaj veprimtarie ishte dhe interpretimi i regjisorit Fran Vukaj kushtuar jetës dhe veprës së themeluesi të Ansamblit Puka, “Artistit të Popullit” Ndue Shyti.

Drejtori i Pallatit të Kulturës, Alban Doçi falenderoi në fjalën e tij dhe emigrantët Gentjan Lala dhe Florian Marku, të cilët mundësuan ndërtimin e pllakatit me emrin e Ndue Shytit, emër të cilin do ta mbajë Pallati i Kulturës në Pukë. Në kuadër të kësaj veprimtarie të pranishmit në këtë ceremoni zhvilluan dhe një vizitë në mjediset e muzeut etno-grafik pranë Pallatit të Kulturës “Ndue Shyti” Pukë.

Nderimi i jetës dhe veprës së Ndue Shytit erdhi përmes një vendimi unanim nga këshilli bashkiak i Pukës, i cili vendosi që institucioni më i rëndësishëm kulturorë të mbaj emrin e artistit të madh, Ndue Shyti i cili e filloi dhe mbylli karrierën e tij muzikore në shërbim të këtij institucioni. /a.g/