Pagesat e Partisë Demokratike për lobim në SHBA, Prokuroria e Tiranës nis hetimet

Në Shqipëri Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime rreth shpenzimeve që Partia Demokratike rezulton të ketë kryer ndaj kompanive të lobimit në Shtetet e Bashkuara në prag të zgjedhjeve të qershorit të kaluar, por që nuk janë të deklaruara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Shumica e majtë ka hedhur dyshime të forta për burimin e të paktën 675 mijë dollarëve që kompanitë amerikane kanë deklaruar pranë Departamentit të Drejtësisë. Sot kryetari demokrat Lulzim Basha u shpreh se Partia e tij ka deklaruar në KQZ çdo shpenzim sipas ligjit

Çështja e pagesave që Partia Demokratike ka bërë ndaj kompanive amerikane të lobimit, u bë publike nga Rrjeti ballkanik i gazetarëve investigative BIRN, javën e shkuar. Sipas artikullit, i cili i referohej deklarimeve që ‘Muzin Capitol Partners’ ka bërë pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë, rezulton se ajo ka marrë, përmes një tjetër kompanie të saj “Stonington Strategies” dy pagesa për një total prej 525 mijë dollarësh nga Partia demokratike, dhe një tjetër prej 150 mijë dollarësh nga ‘Biniatta Trade LP,’ e cila sipas BIRN, është e regjistruar në Edinburg të Skocisë , dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale. Pagesa nga ‘Biniatta Trade LP” rezulton gjithashtu të jetë kryer për aktivitetet e ndërmarra në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Për BIRN-in, zëdhënësja e Partisë Demokratike ka mohuar pagesat e deklaruara nga “Muzin Capitol Partners”. Pak ditë më parë në një deklaratë të saj PD u shpreh se “kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane”.

Por çështja është se në deklarimet e bëra në Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, këto pagesa nuk figurojnë. Prej ditësh Partia Socialiste përmes deklaratave të saj po e akuzon Partinë demokratike për përdorim të fondeve të paligjshme. Prokuroria e Tiranës nga ana e saj ka nisur hetimet, dhe mësohet se ka kërkuar dokumentacionet përkatëse si nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për deklarimet e PD-ës, ashtu dhe nga vetë Partia Demokratike për të marrë kontratat e e lidhura me kompanitë amerikane.

Çështja u bë pjesë e debatit dhe sot në parlament. “Ky fond është krijuar në një ishull offshore për të fshehur gjurmët që të çojnë te një njeri, Lulzim Basha”, deklaroi kryetari I Grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Por zoti Basha u përgjigj shkurt duke deklaruar se “Partia demokratike ka deklaruar çdo shpenzim në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve sipas ligjit”.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, në deklarimet e PD-ës, nuk ka asgjë mbi pagesat prej 675 mijë dollarësh, por vetëm dy pagesa prej afërsisht 50 mijë dollarësh secila në favor të “Barnes&Thornburg”, po për lobim. Në total, të ardhurat e deklaruara nga Paria demokratike janë 88 milion lekë, afërsisht 785 mijë dollarë, ndërsa totali i shpenzimeve të saj për fushatën është 58 milion lekë ose 518 mijë dollarë. VOA