Pablo Picasso, piktori i avangardës, ai që e rroku artin me përmasat e lirisë

Nga Albert Vataj

Ishte ai që e rroku artin me përmasat e lirisë, me atë dimension që i jep puls reales që lind nga asgjëja në një shpirt, cili kërkon të marrë trajtë si shprehje e komunikimit me gjeneratën, me adhurimin për artin, përtërin si komunikim shpirtëror, si nevojë e gjithsecilit për të gjetur te krijimi përputhshmërinë e atij çasti, a momenti, ku shpirti e thërret në shndërrim etern të perceptimit.
Pakkush në historinë e artit ka mundur të rrok në vetvete njeriun e sprovave të estetike kaq kurajshëm sa ai, Pablo Picasso. Ai u lind më 25 tetor 1881 në Málaga të Spanjës për të kapluar fuqishëm mendësinë e shekullit XX. Ai ishte Pablo Picasso, piktor, skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet dhe dramaturg, publicist dhe kumtues. Ç’mos ishte ai. Kudo la gjurmë me sprova guximtare dhe ndryshesa çapërluese e transformuese. Me ç’nuk i mbushi të 91 vitet e moshës, deri më 8 prill 1973 kur ai u shua.
Si të gjithë fillimtarët e ndryshiesave tranformuese edhe Picasso u përplas si një meteor me zhguallin e padepërtueshëm të kohës.
Mendësitë dhe doktrinat gjetën tek ky kurm gladiatori, qëndresatarin e paepur. Pablo Pikaso erdhi për të mbetur një piktor krejt tjetërqysh nga krejtkush mbërriti deri asokohe dhe i’a doli. Kumtoi një art, pa rregulla, pa simetri, pa limite, pa kurrçka që morali u qas të orvatet përreth botës që ngjan një shpërthimi pa formë. Një plazmimi mbi kanavacë të paanë dhe telajo që jo rrallëherë të përpinte nga përmasat që rrek, herë të stërmëdha dhe tek-tuk, copëza letre dhe bocete. Tanku shtegtoi piktori drejt yllit të tij gjithkahshndritës, kumtojnë një zgrip të thekshëm dhe mori llahtarisëse rrethanash dhe perceptimesh. Të bësh art, për të, ishte njëlloj sikur të fitoje një lloj lirie të dhunshme. Një Sizif që sfidon fatin e tij. Një Promete që i beson flakadanit të shpirtit, si të vetmes dritë që pahet me njeriun si qenie konsumimi estetik. Piktura për të, ishte një çështje e epërme, një yshtje dalldisëse gjëndjeje papajtueshmërie dhe pamjaftueshmërie. Kësisoj, nuk u lëndua në sedrën e tij delikate kur pohoi se: “Piktura është më e fortë se unë, më detyron të bëj atë, çfarë do ajo”,- thoshte Pikaso. Robërimi prej pasioneve shpërthyese estetike, dukshëm e nënshtron vullnetlirin e ideve përtëritëse. E vë përfundi këtë kreshtë kumtimi, këtë kapardisje. Asnjë nga ngulmëtarët e mëhershëm të modernizmit, nuk e ndiente aq fuqishëm artin, as Matisse, as Mondrian dhe padyshim, as Braque, sa ai. Padyshim që nuk do të ishte e lehtë.
Kremtoi me solemnitetin e allasojtë identitetin e tij, si në pikturë, si në forma, si në frymësinë e të gjitha gjendjeve dhe gjërave që ai mëtoi, me tërësinë gjithnjë shpërthyese, prej artisti të madh dhe një gjenialiteti që rritej nga format e rikthyera të fëmijërisë. Ai bashkërrëfyes i një prej rrymave më të fuqishme, që historia e artit do të përçonte në fillin e vet të krijimit, kubizmit. Dukshëm me këtë, ai guxon të shembë gjithë atë masiv muri rrethues rregullash dhe limitesh, brenda të cilave vërtitej me një potere të frikshme arti dhe krijimi i deriatëhershëm dhe e mëvonshme. Duke veshur fëmijërinë në pikturë, e hullit korpusin mëtues për nga një shteg, ku krijimi dhe kjo qasje do ta nxjerrë në një pamatësi lirie, si ajo që guxon ta gllabërojë shtegu i vërshimit. Gardhet akademike ishin dhe mbeten deri në fund për të, skllavëri e vullneteve të shpenguara. As nuk e ka kuptuar dhe s’kishte pse ta bënte një gjë të tillë, jo vetëm në krijimtari, por në gjithë perimetrin e tablosë ku shtrihet portreti njerëzor i tij.
Më i zallamahishëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një vlagë e rëndë në tokën e ashpër, një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm, rebel, e mbi të gjitha, i lirë. Dora e tij ka shkundur lëvizjen botërore të artit të shek. XX, duke i dhënë një frymëmarrje eterne dhe përmasa të pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin aty e këndej.
Rreth 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë. “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë e krijimit dhe përjetimit.
Pikaso padyshim mund të cilësohet dhe si piktori që lakuriqësinë e vishte me ndjenja, me atë formësi dhe forcë, që vetëm shpirti i tij mundi të ravijëzonte në trajta dhe forma, në gjendje dhe sende. I dha kështu artit një dimension pa limite. Në punën e tij, çdo gjë përqendrohej te ndjeshmëria, te dëshira, forca dhe hapësira, që i veshi këtij dimensioni prej nga erdhi kumtimi krijues. Ishte dhe mbeti një piktor gjeni, njeri që besonte se gjithçka që duhet të kërkosh në jetë, është kërkon liri duke u epur dorzan forcës yshtëse të pasioneve.
Albert Vataj