OSBE në Shqipëri u bëri sërish thirrje partive politike të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të qershorit

OSBE në Shqipëri u bëri sërish thirrje partive politike të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të qershorit dhe të regjistrojnë kandidaturat për komisionerë zgjedhorë.

Drejtuesi i Pranisë së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt tha sot se ky është procesi normal në një sistem demokratik.

“Ne nxisim dialogun e vazhdueshëm lidhur me reformën zgjedhore” – tha ambasadori Borchardt.

Ai theksoi se OSBE do të vëzhgojë zgjedhjet dhe nga vlerësimet e tyre mbi procesin zgjedhor do të varen vlerësimi i zgjedhjeve, edhe nëse opozita merr pjesë në to apo jo.

Nei shkurajojmë bojkotet e zgjedhjeve. Për shumë kohë, Shqipëria ka qenë shtyllë e stabilitetit në rajon. Tani, shohim një veprim në parlament, i cili nuk ka precedentë. Është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet është sepse ndez fitilin, që i vë flakën sistemit të demokracisë parlamentare. Pyetja e radhës do të ishte: kur do ta kemi sërish atë parlamentin, që e ka mandatin për katër vjet dhe e bën të plotë? Politikanët pas dy vitesh patën idenë të digjnin mandatet e tyre. Radhës tjetër ata mund të gjejnë argumente për ta bërë këtë pas tetë muajsh, dhjetë muajsh apo një viti. Ky do të ishte një shembull shumë i keq për të tërë rajonin. Në disa shtete ka opozita që bojkotojnë parlamentin. Një gjë e tillë nuk mund të funksionojë. Ky nuk është thelbi i demokracisë parlamentare” – tha ambasadori i OSBE-së.

Por pikërisht nën këtë titull: Ky është një shembull shumë i keq për të tërë rajonin, Oerd Bylykbashi, një përfaqësues i Partisë Demokratike iu përgjigj në rrjetet sociale diplomatit të OSBE-së.

Ai shkroi se një shembull i keq për rajonin është kryeministri Edi Rama, i cili fitoi zgjedhjet me banda kriminale, shumë prej tyre i bëri deputetë dhe kryetarë bashkish, i cili mbolli me drogë gjithë Shqipërinë dhe mbushi gjithë Europën, i cili kriminalizoi politikën me paratë e drogës, korrupsionit dhe oligarkisë, bleu zgjedhjet dhe i bën presion administratës publike për të rifituar zgjedhjet me abuzime pushteti, i cili pengon prokurorinë të hetojë shitblerjen e votave, i cili kapi sistemin e drejtësisë dhe po emëron njerëzit e tij në institucionet e saj.

Opozita po kërkon zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama për gjithë këto probleme dhe ka paralajmëruar bojkotin në zgjedhjet vendore, pasi dorëzoi gjithë mandatet parlamentare.

KQZ po bën thirrje partive për paraqitjen e komisioneve zonalë dhe nga ana tjetër po pajis me mandate deputetësh njerëz të opozitës nga listat proporcionale.

Të enjten disa të tjerë nga këta deputetë bëjnë betimin në seancë plenare, opozita do të protestojë jashtë.

Deputetët e shumicës janë porositur të zhvillojnë sa më normalisht seancën me diskutime të shumta, ndërsa të shtunën kanë njoftuar një kongres elektoral.

Një mision i OSBE / ODIHR viziton Tiranën këtë mbrëmje për të biseduar nga afër me partitë kryesore politike mbi zhvillimet politike dhe përgatitjet e zgjedhjeve vendore, të cilat nuk është e qartë si do të mbahen me një opozitë që po thërret protesta të nëjpasnjëshme pasi ka lënë masivisht sallën e parlamentit.