Ornela Kapetani dëshmon se është një aktore jo si gjithë të tjerat

Ajo rrëmbeu “Zemrën e Sarajevës”, duke u vlerësuar si aktorja më e mirë e këtij Festivali prestigjioz të filmit. Nga rolet me të cilat bie në dashuri, tek profili i psikoterapistes për të cilën është diplomuar në Londër. Një aktore jo si gjithë të tjerat, ku rregullat në artin që lëvron ia dikton vetë personazhi.

E futur thellë në lëkurën e figurës që interpreton, përzgjedhëse në rolet që i ofrohen dhe me një karrierë artistike e cila është zhvilluar më shumë nëpër botë, dhe më pak në Shqipëri, Ornela Kapetani dëshmon se është një aktore jo si gjithë të tjerat.

Në rolin protagonist të Letës në filmin “Dita zë fill” me regji të Gentian Koçi, ajo përcjell një dramë të fortë njerëzore që zhvillohet brenda katër mureve të shtëpisë, e mandej përcillet mjeshtërisht tek audienca. Leta është në një konflikt të vazhdueshëm midis asaj që ajo ndien, por dhe asaj që ajo përjeton. Mund të jetë jeta kaq e zezë? Çfarë na jep shpresë? Si vazhdojmë kur humbasim shpresën dhe dinjitetin?

Ornela, ka aftësinë të futet në çdo skutë të shpirtit dhe personazhit që interpreton, edhe për faktin se ajo është thelluar në studime të specializuara si një psikoterapiste kreative, kjo për të ndihmuar individin të kuptojë më thellë vetveten.

Ornela, keni “rrëmbyer” zemrën e Sarajevës! Në festivalin e filmit atje, u vlerësuat me çmimin e aktores më të mirë për filmin “Dita zë fill”. E prisnit?

Realisht nuk e prisja! Isha dhe jam ende shumë e emocionuar. U befasova shumë kur dëgjova emrin tim, por edhe u gëzova. Është shumë e vështirë në festivale të mëdha të kesh mundësi të hysh në konkurrim, aq më tepër të marrësh dhe çmim. Konkurrimi ishte shumë i fortë. Zemra tanimë i takon të gjithëve që punuan për këtë projekt me dedikim dhe përkushtim. Ndihem sërish shumë e lumtur që jam në gjendje të ndaj gëzimin me familjen dhe njerëzit e mi të afërt, sepse janë ata që më kanë mbështetur gjatë gjithë udhëtimit të vështirë që kam zgjedhur.

Ky është një nga trofetë më prestigjioz, dhënë për artin dhe kinematografinë shqiptare. Kujt ia atribuoni këtë sukses tuajin?

Suksesi i këtij filmi është në realizimin e tij. Është i shkëputur nga stereotipe të gjuhës kinematografike. Mënyra se si personazhet shpalosen përpara ekranit, të japin një ndjesi se kushdo ishte në “këpucët e tij”.

Një dramë e fortë sociale që zhvillohet mes katër mureve të shtëpisë dhe një protagonizëm artistik mbresëlënës nga ana juaj. Si ju erdhi ftesa për të interpretuar në këtë film?

Gentiani, regjisori, më kontaktoi dhe më kërkoi të bëja një video/audicion me skenë të caktuar. Fillimisht, ndoshta fakti që isha shtatzënë në atë periudhë, më bëri të hezitoja dhe nuk isha e sigurt nëse doja/kisha fuqi të merresha me diçka kaq të vështirë. Por, Genti këmbënguli, në fund, pas një radhe email-esh i dërgova videon. Ndërkohë lexova skenarin dhe u mahnita me historinë e Letës. U futa në botën e saj menjëherë, dhe ndjeva në thellësi dhimbjen e saj. Ndjeva përnjëherësh që unë si Ornelë, sikur të kisha bërë një ndryshim të vogël në zgjedhjet e mia, sigurisht që do të vuaja ndoshta të njëjtin fat me Letën. Ky realizim e bën personazhin më human, dhe të jepet mundësia të komunikosh me të, ta njohësh. Pas pak kohe filluam kontaktin rregullisht me Gentin, duke rënë dakord se unë do të jem Leta. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të ngrohtë dhe me momente shumë konfliktuese, sepse Leta e kishte të domosdoshme ta thotë historinë e saj, e shkëputur nga stereotipe sociale.

Çfarë ju tërhoqi në skenarin dhe regjinë e filmit e realizuar nga Gentian Koçi?

Skenari më tërhoqi që në fillim dhe e besova. Historia e Letës mu duk fillimisht shumë e besueshme dhe e vërtetë. Më intrigoi shumë Genti, sepse nuk takon shpesh meshkuj që shkruajnë për femra në këtë mënyrë in time. Nga punët e tij të mëparshme, kuptova që kisha të bëja me një njeri shumë të ndjeshëm, por dhe me një vend qëndrim interesant. Na është dashur të punojmë shumë afër me Gentin për të krijuar të gjitha nuancat psikologjike të Letës.

Cili është sekreti juaj për t’u futur në “lëkurën” e një personazhi?

Leta është karakter kompleks. Ka shumë emocione dhe nënshtresa psikologjike, të cilat formojnë një personazh domethënës. Leta është një femër në krizë ekzistenciale, një njeri që vajton për çka ka humbur, por gjithashtu një njeri që i duhet të luftojë për çka vazhdon mbas saj. Lufton vazhdimisht midis etikës kolektive dhe atë personale. Izolon vetveten kur përballet me viktimizimin e vazhdueshëm social. Për mua Leta ishte një thesar pa fund. Duke u bërë nënë, ndjeva në mish traumën dhe frikën e të rriturit të një fëmije, sidomos duke qenë prind i vetëm. Gjithashtu me ndryshimin fizik, si dhe atë hormonologjik që ajo kalon. Leta është në një konflikt të vazhdueshëm midis asaj që ajo ndien, por dhe asaj që ajo përjeton. Mund të jetë jeta kaq e zezë? Çfarë na jep shpresë? Si vazhdojmë kur humbasim shpresën dhe dinjitetin?

Nga një rol në tjetrin, çfarë fiton? Çfarë humb?

Roli në kontekstin shoqëror dhe në atë që Carl Jung quante ‘persona’ mund të ketë hije kufizuese, sepse është imazhi që ne me kujdes ndërtojmë, për të përballuar përditshmërinë. Por, në kontekstin dramatik ka shumë potenciale për të zhvilluar pjesë të panjohura të vetvetes. Nëpërmjet rolit na jepet mundësia të zotërojmë me mjeshtëri personazhet, ose praktikisht të ushtrojmë bindje të reja që mësojmë duke u ndeshur me rolin. Në këtë mënyrë pasurojmë repertorin ekspresiv, dhe inteligjencën emocionale, jo vetëm në skenë, por dhe jashtë skenës. Kjo, sigurisht nuk ndodh vetëm tek aktori, por edhe tek publiku, që bëhet një dëshmitar i këtyre ndryshimeve. Atëherë mund të them me bindje që ndeshja me një rol mund të sjellë vetëm pasuri.

I kujton fillimet e tua në art…? Kur e kuptove që doje të aktroje?

Kam aktruar qysh e vogël. Kam qenë aktive në angazhimet me shtëpinë e pionierit dhe vatrën e kulturës, por dhe estradën e Sarandës. Pata një shkëputje të gjatë në vitet e para që u zhvendosa në Athinë dhe më vonë ishte e vetmja rrugë zgjidhje që kisha. Ato që më kanë ngelur në mendje janë përleshjet e para me poezi dhe romane. Kujtoj sa e etur isha për të krijuar një botë tjetër ku unë do të ndihesha e pranishme. Gjithashtu kujtoj se sa kokëfortë kam qenë dhe jam për bindjet e mia. Fuqinë që kisha t’i mbroj ato dhe të marr një rrugëtim shumë herë të vetmuar. Isha gati t’i braktisja të gjitha nëse nuk gjeja mënyrën ta kryeja këtë punë ashtu siç kam dashur. Ajo ka qenë dhe arsyeja që unë kam provuar tre shkolla aktrimi, sepse nuk gjeja ambientin ku unë do të takohesha me frymë artistike të ngjashme. Fati më ndihmoi dhe unë u gjenda aty ku duhet të isha, për të zhvilluar formë dhe estetikë artistike.

Nëse nuk do të ishe një yll kinemaje, kush do të ishe sot?

Nuk di se çfarë do të isha sikur mos e kisha njohur skenën … Ndoshta diku e humbur në dënim të vetvetes. Në Athinë pata fatin të punoj në një organizatë që angazhohej në luftën kundër viktimave të trafikut dhe dhunës në familje. Ky vend pune më mësoi se teatri ka një fuqi për të shëruar trauma, por dhe për të kuptuar më në thellësi burimin e dëshpërimit të qenies njerëzore. Unë përveç aktrimit jam trajnuar në Londër si dramaterapist-e. Kjo është një formë psikoterapie kreative që vë në përdorim forma dhe teknika teatrale për të ndihmuar individin të kuptojë më thellë vetveten. Ndërmjet këtij profesioni dhe punës sime në spitale psikiatrike dhe institucione të tjera sociale, unë kam pasur privilegjin të njoh kompleksitetin njerëzor. Të përballoj errësirën njerëzore dhe atë çka na bën të veçantë. Sigurisht që vazhdoj të ushtroj këtë profesion, kjo më jep lirinë të zgjedh kur më propozojnë një rol.

Keni fantazuar ndonjëherë të qenit e famshme? Ndoshta!

Kjo është ndjenja fillestare kur futesh në shkollën e aktrimit. Ke yje të teatrit apo kinemasë në mendje, që ëndërron se mund t’i arrish, por në vazhdimësi kupton se sa qenie komplekse janë aktorët, sa vuajnë për të sjellë në jetë një personazh. Kështu që fama, të paktën për mua, nuk ka vlerë artistike.

Tani që keni gjithë këtë sukses me vete, si ndiheni?

Nuk ka ndryshuar diçka në mënyrë radikale. Suksesi është pasojë e punës. Unë atë që mund të bëj si aktore, është të vazhdoj të edukoj veglën time artistike, e cila jam unë. Botën shpirtërore, zemrën ta zgjeroj me sa më shumë dashuri, ndjesi dhe syri im të mos verbohet nga shkëlqimi i dritave në rrugë bosh.

Kujt i jeni mirënjohëse?

Kam shumë njerëz që u jam mirënjohëse. I jam mirënjohëse familjes sime, të cilët më kanë mbështetur pafund. Bashkëshortit dhe djalit që më ofrojnë dashuri pa fund. U jam mirënjohëse të gjithë ‘shpëtimtarëve të panjohur’ që kanë ndriçuar rrugëtimin me mëshirë dhe ngrohtësi. Ata që më kanë parë kur unë nuk kisha kurajo të shihja dhe të mëshiroja veten.

Roli juaj i preferuar?

Nuk kam role të preferuar. Kam role që mund të bie në dashuri. Një nga rolet që mund të bie në dashuri është edhe Medea. Shpresoj të na jepet mundësia të njihemi në skenë ose kinema.

A keni rregulla strikte për veten tuaj, si të mos aktroni nudo apo diçka tjetër?

Rregullat i ushtron vetë roli, dhe roli të thotë se çfarë ka të domosdoshme. Nëse i vjen organike dhe ka arsye të zhvishet, atëherë atë e ka të nevojshme. Por, vëmë re në kinematografi që nudo-ja ka një perversitet, të cilin nuk e zgjedh roli, por regjisori me vend e pa vend…për shumë arsye.

Në karrierën tënde artistike, cilin do të veçoje si rolin më të mirë?

Sigurisht që Leta është një stacion i rëndësishëm në përleshjet e mia me role të ndryshme. Por, ajo që më intereson më shumë është të kem bashkëpunime të dobishme. Jam aktore procesi dhe e kam të nevojshme të ndeshem me profesionistë, të cilët e kuptojnë artin në të njëjtën mënyrë. Besoj se më shumë fiton gjatë procesit të punës dhe pak nga rezultati.

Të merresh me art, kërkon edhe mjaft sakrifica. Je e të njëjtit mendim?

Sakrifica më e madhe për tu marrë me artin, është të merresh me vetveten. Stanislavksi detyronte aktorët e tij të futeshin në psikanalizë të vazhdueshme. Për arsye që ato të njohin pjesë të vetvetes janë bërë pjesë e fjalorit ekspresiv të aktorit. Me qëllim që të mos përdoren kur nuk janë pjesë e fjalorit të një personazhi. Është e domosdoshme për artistin të merret me errësirën e tij dhe të fitojë pavarësi nga subkoshienca. Kjo është një sakrificë kolosale, sepse kërkon dedikim. Në këtë kërkim, artisti haset me dhimbjen që krijon shkëputja nga ‘skenari’ që të tjerët kanë shkruar për të. Sigurisht, që pastaj krijojnë lidhje të përjetshme me vetminë që përjetojnë për të krijuar. Artisti bëhet një lloj ‘Shaman’ që krijon atmosferën emocionale për të arritur në ‘trance’, dhe në këtë mënyrë të përcjellë njohuri të reja.

Ju keni pasur një etapë suksesi edhe në Kanada, së fundmi edhe në Greqi. Çfarë të impresionon nga kjo periudhë në karrierën tënde?

Siç ju thashë, suksesi është pasojë e punës. Gjatë këtij udhëtimi të ngadaltë, por të sigurt, unë nuk kam bërë kompromise në punë. Jam përpjekur gjithmonë me integritet dhe pasion të kryej rolet që më besojnë.

E ke menduar ndonjëherë se si do të ishte jeta jote, karriera si aktore, këtu në Shqipëri?

Kam menduar shpesh në të kaluarën si do të ishte në përgjithësi jeta ime në Shqipëri dhe nuk kam arritur në konkluzion. Besoj, jam aty ku duhet të jem. Shqipëria më dha veglat që më duheshin, kokëfortësi, përkushtim dhe lirinë ta dua nga larg. Ndihem shumë me fat që kam mundësinë të jetoj në shtete të tjera, të cilat më pasurojnë duke u ndeshur me kultura dhe estetika të ndryshme.

Ç’është miqësia për ju?

Gjithçka! Nuk e kuptoj jetën pa miq. Miqësia është ajo që i jep kuptim përditshmërisë. Ajo na ëmbëlson dhe na ofron të ndajmë me njëri-tjetrin shumëçka.

Keni më shumë miq të huaj apo shqiptar?

Kam miq, mund të them me siguri, nga e gjithë bota. Gjatë shumë viteve në Londër, krijova harqe të forta që më lidhin me miq gjithandej. U jam mirënjohëse që më zbukurojnë jetën.

I jeni përkushtuar tërësisht karrierës, por ç’vend zë dashuria në jetën tuaj?

I jam përkushtuar jetës. Asnjë formë tjetër kufizuese nuk më përkushton. ‘Karriera’, për mua, nuk përmban dashuri, por kusht…E kam të nevojshme të dashuroj. Dashuria të frymëzon të kthesh kokën në bahçe të braktisura. Të lidhesh në mënyrë domethënëse me ata që ofron dhe të ofrojnë dashuri.

Çfarë raporti keni me meshkujt në përgjithësi?

Jam paksa ‘tomboy’. Kam pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira me meshkujt. Fitoj menjëherë besimin e tyre dhe ata tek unë gjejnë një mikeshë të vërtetë.

Dhurata e fundit që ju ka bërë dikush?

Një pjesëtar i familjes më dhuroi një kupë nderi, të cilën e kishte fituar ai për punën e tij të suksesshme. U preka dhe e vlerësova si shumë të veçantë. Më përcolli besim, respekt dhe dashuri.

Përtej artit, cilat janë pasionet e tjera?

Besoj se u bëra aktore sepse nuk kisha mundësi të bëhesha kërcimtare. Adhuroj kërcimin dhe ndjek shumë kurse të dansit konteporan. Prej vitesh ndiqja Pina Bausch, ndiej një lloj ekstaze sa herë shoh shfaqje të tilla. Pastaj pasioni ditor është biçikleta. Filloi si një nismë rishtare në Londër dhe shumë shpejt u bë mënyrë jetese. Kam vite që lëviz vetëm me biçikletë dhe jam shumë pasionante për modelin e ri që mund të gjej.

Projektet e radhës janë konkrete, apo ende diçka e shkruar në letër?

Dy projekte të reja, një në Londër dhe një në Greqi, janë në postproduksion. Sigurisht, që jam në periudhë eksplorimi për projekte të tjera.

“Elegance”