Organizata Botërore e Shëndetit, Kryqi i Kuq dhe Mjekët pa Kufi kanë shprehur interesim për kompletet e analizave në terren dhe aplikacionin për identifikimin e helmit

Afro pesë milionë vetë në botë kafshohen çdo vit nga gjarpërinj helmues. Mbi 100 mijë prej tyre vdesin nga helmimi. Në shumicën e rasteve shpëtimi është injeksioni apo serumi anti-helm, por mjekimi i duhur kërkon identifikimin e llojit të helmit. Një ekip studimor në Danimarkë ka zhvilluar një metodë të re që identifikon me saktësi llojin e helmit që duhet luftuar:

Ky komplet i thjeshtë analizash është i përshtatshëm për t’u përdorur në terren. Mjafton të kesh këtë centrifugë dhe një telefon celular:

“Me këtë pajisje synojmë të veçojmë rruazat e kuqe të gjakut. Pastaj me epruvetë merret plazma dhe lejohet inkubimi për 30 minuta. Pas kësaj periudhe substanca analizohet me këtë spekto-fotometër që komunikon me celularin dhe përmes një aplikacioni përcjell rezultatet,” thotë një nga pjesëmarrësit në studim, Ivan Doudka.

Çdo gjarpër helmues ka një lloj specifik helmi, të përbërë nga një kombinim i veçantë proteinash. Nëse identifikohet ky kombinim, mund të identifikohet gjarpri.

“Kemi analizuar shumë proteina të vogla në helmin e gjarprit dhe kemi zbuluar se në lloje të ndryshme gjarpri dallohet një kombinim i veçantë i organizimit të proteinave. Në bazë të kombinimit ne mund të identifikojmë se cila specie gjarpri ka kafshuar pacientin,” thotë studiuesja Cathrine Larsen.

Më pas pacienti përdor kameran e celularit për të parë nga afër helmin. Aplikacioni identifikon specien e gjarprit dhe ndihmon mjekët të marrin vendim të shpejtë që shpëton jetë:

“Mjeku vendos nëse duhet përdorur një injeksion anti-helm që është zhvilluar për llojin specifik të helmit, apo nëse një serum ekzistues që shërben për të luftuar disa lloje kafshimi megjithëse jo në mënyrë optimale,” thotë studiuesi Andreas Laustsen.

Puna e këtij ekipi mund të ndihmojë pesë milionë viktimat që kafshohen nga gjarpri çdo vit. Kafshimet shkaktojnë të paktën 100 mijë vdekje në vit dhe rreth 400 mijë operacione për të prerë gjymtyrët e dëmtuara nga helmimi.

Ekipi po punon edhe për të përmirsuar solucionin e anti-helmimit, për ta bërë më të padëmshëm për trupin.

“Gjatë tre vjetëve të fundit kemi punuar për të përmirësuar solucionin anti-helmim që neutralizon disa lloje helmi me qëllimin për të shmangur reaksionin negativ që shkakton serumi,” thotë zoti Laustsen.

Organizata Botërore e Shëndetit, Kryqi i Kuq dhe Mjekët pa Kufi kanë shprehur interesim për kompletet e analizave në terren dhe aplikacionin për identifikimin e helmit.