Oprah Winfrey dhe dabati mbi garën presidenciale për vitin 2020 në Shtetet e Bashkuara

Vetëm disa ditë pas fillimit të vitit 2018, kanë filluar debatet mbi garën presidenciale për vitin 2020 në Shtetet e Bashkuara.

Kur u pyet të hënën në bordin e avionit presidencial, “Air Force One” rreth manjates së medias dhe filantropes miliardere, Oprah Winfrey, si një rivale e mundshme në zgjedhjet e ardhshme ndaj presidentit Donald Trump, Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley u përgjigj: “Ne e mirëpresim sfidën nga Oprah Winfrey apo kushdo tjetër.”

Megjithatë, 63 vjeçarja Oprah Winfrey, të paktën zyrtarisht, nuk ka vënë kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme. Por fjalimi i saj i së dielës në ceremoninë e dhënies së çmimeve Globi i Artë në Hollywood nxiti spekulime të menjëhershme dhe intensive në media rreth një kandidimi të mundshëm të saj si demokrate në zgjedhjet e vitit 2020.

“Nuk e di nëse e ka parë,” tha zëdhënësi Gidley duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse Presidenti Trump e kishte parë fjalimin e pasionuar të Oprah Winfrey-it.

Megjithatë, komentet e saj rreth rritjes në varfëri, fuqizimit të grave dhe mbështetjes për shtypin (nën kritika të vazhdueshme nga Presidenti Trump), nxitën shpejt edhe disa figura politike konservatore që të flasin pozitivisht për të si një kandidate të mundshme presidenciale.

Kur u pyet pas fjalimit në ceremoninë e çmimeve Globi i Artë, nëse planifikonte të kandidonte për presidente, Winfrey u përgjigj: “Jo”. Por disa njerëz të afërt me të u cituan të hënën të kenë thënë se ajo po mendonte seriozisht për këtë çështje.

Partneri i saj, Stedman Graham, u citua të dielën në mbrëmje të ketë thënë për gazetën The Los Angeles Times, se “Kjo varet nga njerëzit. Ajo absolutisht do ta bënte këtë.”

Në një intervistë televizive në fillim të vitit të kaluar, Winfrey tha se zgjedhja e zotit Trump i kishte ndryshuar asaj mendjen nëse ajo kishte mungesë të përvojës për postin më të lartë politik të Amerikës. Por në një tjetër intervistë televizive në tetor, ajo hodhi poshtë spekulimet, duke deklaruar, “Nuk do të ketë asnjë lloj gare politike nga unë për asnjë lloj posti.”

Winfrey, siç ishte rasti edhe me zotin Trump para se të zgjidhej president, nuk ka mbajtur asnjë post publik.

Presidenti Trump të hënën, duke folur në një konventë kombëtare të fermerëve në Tenesi, nuk përmendi emrin e zonjës Winfrey dhe nuk bëri asnjë referencë në lidhje fushatën e tij të rizgjedhjes.

“Vendi ynë po e kthen vetëbesimin,” tha zoti Trump në lidhje me punën e tij pothuaj një vjeçare si President i vendit. “Ne jemi dëshmitarë të një epoke të re të patriotizmit, begatisë dhe krenarisë”.

Në të kaluarën, zoti Trump ka folur pozitivisht për zonjën Winfrey. Në një intervistë televizive të vitit 1999, kur ai tha se po mendonte të hynte në garën për president një vit më vonë (megjithëse ai nuk e bëri një gjë të tillë), Trump deklaroi, “Oprah do të ishte gjithmonë zgjedhja ime e parë për nënpresidente”, duke shtuar, “ajo është e shkëlqyeshme, një grua e jashtëzakonshme”.

Vajza e Presidentit Trump, Ivanka e vlerësoi përmes një mesazhi në Twitter fjalimin e zonjës Winfrey të hënën vonë.

Oprah Winfrey mbështeti Senatorin demokrat nga Ilinoi, Barak Obama, në fushatën e tij të sukseshme presidenciale të vitit 2008 dhe ish Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton në fushatën presideniale të vitit 2016, në të cilën ajo humbi ndaj zotit Trump.

Nuk ka asnjë udhëheqës të qartë demokrat që do ta sfidonte Presidentin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, ndërkohë që vëmendja është kthyer në zgjedhjet e mesmandatit për Kongres qo do të mbahen në nëntor të këtij viti, kur 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve do të zgjidhen ose rizgjidhen, së bashku me një të tretën e 100 anëtarëve të Senatit.

Në muajt pas zgjedhjeve të mesmandatit për kongresin, në mes të mandatit katër-vjeçar të Presidentit Trump, sfiduesit presidencialë demokratë ka të ngjarë të fillojnë shpalljen e kandidaturave të tyre kundër tij.

https://www.zeriamerikes.com/a/4199573.html