Opozita vijon me protestat para Parlamentit të Shqipërisë me thirrjet “Rama ik”

Në Shqipëri opozita u mblodh sërish sot përpara parlamentit për të protestuar ndaj shumicës qeverisëse. Ajo kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare, që të krijojë kushtet për zgjedhje të parakohshme.

Godina e parlamentit u rrethua nga forca të shumta policie, ndërsa brenda në sallë po zhvillohej seanca e zakonshme. Gjatë tubimit protestuesit ndezën zjarre me goma makinash dhe hodhën shashka e fishekzjarre në drejtim të kordonave policorë, të shumtë në numër në rrethim të parlamentit. Në fillim të seancës plenare kryeministri Rama foli për situatën e krijuar pas vendimit të opozitës për të hequr dorë nga mandatet parlamentare.

Ai theksoi dhe një herë se shumica nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap pas lidhur me kërkesat e opozitës. “Ky parlament është vendi ku na ka sjellë shumica e shqiptarëve dhe na kanë dhënë detyrën të qeverisim deri në vitin 2021. Mandati ynë nuk është letër bixhozi. Opozita – vijoi më tej ai – ka bërë zgjedhjen e saj. Ajo çka duhet thënë është se lëvizja e tyre nuk i bën dot asgjë, zero, PS shumicës qeverisëse dhe qeverisë”.

Kryeministri theksoi se opozita “kërkon të marrë pushtet në tavolinë, atë që nuk ja japim dot, përmbysjen e rregullave të lojës duke krijuar një precedent të papranueshm, që një opozitë kur e sheh që nuk fiton, ikën dhe kërkon lojën nga e para.

“Shumica – theksoi zoti Rama – është gjithmonë e gatshme për të folur. Dora jonë është e shtrirë. Gati të dialogojmë për gjthshka, por nuk jemi gati e nuk do jemi, për të negociuar rregullat themelore të sistemit ku njerëzit zgjedhin e të zgjedhurit respektojnë mandatet që u japin njerëzit. Demokracinë, parlamentarizmin e mbi të gjitha mandatin e marrë nga shumica e shqiptarëve, nuk e negociojmë me askënd”, – nënvizoi kryeministri.

Gjatë protestës së opozitës e kanë marrë fjalën përfaqësuesit e saj, të cilat kanë qenë kandidatë për deputetë por, që ashtu si kolegët e tyre, kanë deklaruar se refuzojnë të hyjnë në parlament.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në tubim se korrupsioni qeveritar ka arritur majat, shumica socialiste në parlament u krijua me blerje votash, ndaj opozita nuk mund të rrinte më aty brenda. Ai bëri thirrje shumicës të tërhiqet dhe të dëgjojë zërin e opozitës dhe të krijojë kushtet për zgjedhje të parakohshme.

“Ora e Shqipërisë si gjithë Europa po troket. Ora kur një njeri i vetëm, me ndihmën e krimit poshtëronte një popull të tërë, pasi i vodhi votat dhe paratë, ka mbaruar – tha zoti Basha. – Buçasin sot sheshet e protestës nga thirrjet “Edi Rama ka mbaruar, Rama Ik, regjimi yt ka marrë fund. Godina e Parlamentit është prej javësh karantina e krimit dhe të korrupsionit”.

Zoti Basha tha se BE-ja nuk mund t’i hapë derën një qeverie të bërë njësh me krimin, me korrupsionin në nivelet më të larta.

“Qytetarët e bashkuar e kthyen Parlamentin në një karantinë të krimit, të rrethuar me tela me gjemba dhe e shpallën de facto antikushtetues një regjimi të jashtëzakonshëm ushtarak” – tha zoti Basha. Ai shtoi se mbi 100 kandidatë të listës vijuese të deputetëve, që djegin sot mandatet e tyre. Zoti Basha i ftoi protestuesit që së bashku me drejtuesit e opozitës të shkonin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të dorëzuar deklaratat e dorëheqjes së kandidatëve për deputet nga listat vazhduese të opozitës. Dhe ashtu ndodhi. Mijëra prej tyre ecën karvan deri në KQZ, ku zoti Basha hyri dhe dorëzoi deklaratat e tërheqjes të kandidatëve të listave për deputetë.

Ndërkohë disa të tjerë, kanë zgjedhur të kundërtën. Komisioni Qendor i Zgjedhjeve i dha dje mandatin e deputetit katër përfaqësuesve të LSI-së të cilët nuk kanë pranuar t’i binden vendimit të opozitës për të braktisur Parlamentin.

Edmond Rrushi e Ylli Shehu, emrat e të cilëve ishin në listën e kandidatëve të Tiranës në zgjedhjet e 2017-ës, si dhe Aurora Mara e listës së Dibrës dhe Enver Rroshi i listës së Elbasanit, bënë sot betimin në sallë.

Ndërkohë, një tjetër emër, këtë herë nga Partia Demokratike, Lefter Maliqi, nga lista e Beratit, ka dorëzuar po dje formularin e vetdeklarimit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Ata do t’i bashkohen Myslym Murrizit të Partisë Demokratike dhe Lefter Kokës të LSI-së të cilët nuk pranuan të lënë mandatin.

Sipas opozitës, emrat e përfaqësuesve të saj që nuk po pranojnë të heqin dorë nga mandatet janë përpjekje të shumicës për të krijuar një opozitë artificiale.

Protesta u mbyll pas afro 3 orësh në oborrin e Partisë Demokratike, ku kryetari i saj Lulzim Basha foli sërish para përkrahësve të opozitës, duke i ftuar në protesta të tjera, deri në arritjen e kërkesave për zgjedhje të parakohshme.

VOA