OBSH: Trajektorja e epidemisë nuk mund të parashikohet

Zyrtarët kinezë njoftuan të dielën se numri i rasteve të reja të personave të prekur me koronavirus është ulur për të dytën ditë me radhë. Komisioni kinez i Shëndetësisë konfirmoi 1.843 raste të reja, që përfaqësojnë një rënie kahasuar me dy ditë më parë kur Kina njoftoi më shumë se 7.500 raste.

Numri i vdekjeve nga virusi në territorin e Kinës arriti në 1.665, me 142 vdekje të raportuara të dielën. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të dielën se është “e pamundur të parashikosh se çfarë drejtimi do të marrë epidemia”. Duke folur në konferenca e Sigurisë në Mynih, shefi i OBSH-së Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje qeverive të punojnë me këtë organizatë për të informuar në mënyrën e duhur publikun për rreziqet që paraqet virusi, por pa shkaktuar histeri në publik siç tha ai.

Ndërkohë publikimi nga mediat shtetërore kineze të një fjalimi të mbajtur 3 shkurt nga Presidenti Xi Jinping ka ngritur pikëpyetje të reja. Publikimi i fjalimit të shtunën ishte një përpjekje e dukshme për të demonstruar se Partia Komuniste kishte vepruar me vendosmëri që në fillim ndaj situatës, por nxiti gjithashtu kritika mbi arsyen se pse publiku nuk u njoftua më herët.

Zyrtarët lokalë kinez janë kritikuar mbi mënyrën se si e kanë menaxhuar situatën pas shpërthimit të virusit, ndërsa përfshirja e presidentit ishte minimizuar, deri tani. Zyrtarë të Huanit, qyteti ku u shfaq për herë të parë virusi si dhe të provincës Hubei u shkarkuan nga detyra për shkak të asaj që u tha se ishte një përgjigje jo e duhur ndaj situatës emergjente të shkaktuar nga virusi.