“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi?”

Nga Albert Vataj

“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi?”

Kjo kushtrimore e Pashko Vasës duket se asht gjithnjë aktuale. Thue sikur njajo zemërplasje e dhimb me buçim, nuk ishte e nji shekulli ma parë, por e njitashme, e zashme, e njiktushme, gjithkund na jena, gjithkund na s’po duem me dasht vedin, se sa keq e përdreq po vojn punët. Nevoja shqiptare për nji kushtrim; asht tue ken nevoja e çdo t’nënshtrumi prej të keqes, e ç’do t’nëpërkamuni prej t’padrejtës, e ç’do t’ligshtuemi prej idhnimit, e ç’do t’gjymtuemi prej sakatimit… qe besa po, me ken za e gjëmim, me ngrit krye, e me i dal zot vedit e vatanit.

Deri dje nuk na la qajre i huaji, sod, ah sod, i joti po don me ta hangër mishin e me ta blue kockën.

A ka ma keq, se tash, tash kur vendet e qytetnume përpiqen dita-ditës me e çu përpara aspiratën e ardhmënisë, na kena met n’dor t’nji politike dritëshkurtër e t’paaftë për me ken e zoja me zgju besimin në popull, me i ofru qytetarve t’vet nji mundësi, nji perspektivë, me i dhan vendit nji të sotme t’meritum e gjeneratave nji t’ardhme t’dëshirume.

Tue ken njikshtu e pazonja, e flligun prej t’liges e t’ndytes, kjo klasë politike e dalun nga shpergenjt e nji t’shkume hekakeqe, harron kah ka ardh, e po don me i ra mohit se kujt i ka borxh. Njajo faqe e zezume as se e vret mendjen, se ka nji detyrim në syt e historisë, se ka nji borxh tan atyne përpjekjeve dhe ngadhnjimeve, qi e banën natën ditë, gjakun boj, e lotin barut, për me vu përdhunshëm, përkundër vullnetit t’armiqve t’saj historik, të drejtën e nji kombi me ken e me u ndi i barabart mes të barabartve.

Por njato burra, njatoj bij nanash, as se don me e ba qefin xheder. Tue harru se cili asht misioni i tyne, nuk kan gajle me marr nëpër kam krejt çka asht ba me lot e me gjak, me brimë e me vdekje, me dhimb e me guxim. I kan ra mohit gjithçkaje dhe po menojn vetëm për vedi, si mordja, e për me i’a mrri njiksaj, ditëzezt, kan mësu ma mir se kurgja me ba çka i ban me mrri te synimet e tyne, e njikshtu hiqet zvarrë, tue lyp; diku me u shtir, diku me u shit, diku me u nënshtru e diku me nënshkru marrveshje t’nyta, e tan kyt marre me e ba n’kurriz të ktij vendi, kësaj toke qi do burra e vaditëm me gjak e do nana e ushqyen me zemër.

Eshtë kjo politikë, e cilla n’gar me u pasunu, po vorfnon jo vetëm shpirtin por edhe shqyptart, duke i kthy ata n’skllevër, n’nji turm qi ka msu vetëm me u bind gjithqysh e ba kurrçka tjetër tue me nu e tue than se “ç’ka asht tu mu dasht mu”, edhe njat’her kur i kërcnohet emni dhe jeta.

Me ç’ka po shohim e ç’ka po ndijm, kurrfar shprese s’duket qi gjallon, kurrkund s’duket dritë n’kyt terr qi po xixëlijnë veç sy ulkonjash e shkreptijn dhamb hijenash.

E si kan me mru shpres e besim njato qi po duen me shpërba gjithçka, njata qi po duen me përjashtu çdo send t’vyem si diçka penguse, si kan me ken për kyt vend e si ka me shpresu dikush n’kyt t’tashme te njata qi ka zgjedh me pas gjithçka për mos me pas asnji andërr, për mos me u motivu prej kurrnji ideali, për mos me ken t’udhëhun prej kurrnji obligimi qytetar dhe komtar.

Noshta atyne atdheu, kombi, shqiptaria, flamuri, nderi, u duken vetëm nocione e kurrgja tjetër, sepse ndryshe, ndryshe do kishin ken, ndryshe do kishin ba për kyt popull dhe për kyt vend, për njikët truall ku kem djepat dhe varret.

… E tash, tash çka?
 
Po due me i’u dhan nji kange kushtruese, qi tue m’përpush e tue m’nez, ndoshta m’ban me u ndi diçka tjetër, diçka tjetër ngase kam pas fatin me u ndi, dikush krejt ndryshe ngase njaq fort kam dasht me ken.
 
Po du me tan shpirt me u ndi, ma shum se viktim e njiksaj t’sodme qi po na ban me turp.

.

 

O Moj Shqypni – Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.