Nuk mbin ajo opozitë, Fleckenstein

Nga Alfred Lela

Tri opozita të tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të zi, janë ‘në rrugë’. Dy prej tyre kanë bojkotuar prej muajsh procesin parlamentar, ndërsa e treta, ajo shqiptare, dorëzoi mandatet javën që shkoi.

Nuk i bashkon vetëm kjo tri republikat parlamentare të Ballkanit perëndimor, por edhe një e përbashkët tjetër, apo një fat politik, që i lidh me anëtarësimin në BE. Mali i zi, më e vogla ndër to, është më afër një date anëtarësimi; Serbia është në kapitujt e parë të negociatave të çelura, ndërsa Shqipëria, e fundit ndër to, pret, me dëshpërim më shumë se me durim, t’i hapen negociatat. Nën qeverinë socialiste të Edi Ramës duhe thënë se vendnumëroja është bërë edhe më dramatike.

Pse tre vende kaq afër (yet, so far) Europës dhe prospektit të familjes së madhe të vlerave europiane janë zhytur në një përplasje të re politike e cila është penguese dhe joproduketive në të njëjtën kohë? Penguese edhe për fatin e përbashkët në Europë. BE, nga ana e vet, është e përfshirë nga ajo që quhet ‘enlargment fatigue’ (lodhja nga zgjerimi) dhe, duke ditur këtë, ia vlen të bëhet një pyetje: a e ka ndikuar kjo predispozitë e kahjes negative terrenin në të cilin ecin sot zhvillimet politike në Ballkanin perëndimor? A janë dekurujuar establishmentet politike nga mungesa e një prospekti të qartë europian, apo siujdhesa e vogël e Europës e ka gjenetike këtë vonesë, këtë ngecje, këtë mosfat…?

Vështirë ta thuash këtë pa rënë në semplizëm apo abstraksionizëm, por në një gjë mund të bihet dakord. Për faktin se Europa ka patur dy modalitete apo dy shpejtësi. Nëse termi ‘Europa e dy shpejtësive’ është përdorur për të përshkruar zhvillimet ekonomike në Veri dhe Jug të kontinentit, Nordi i shpejtë, Sudi i ngadaltë, një tempizëm i dyshimtë dhe i ndryshëm mund të pikaset edhe në raportin europian me vendet e Ballkanit perëndimor.

Duke folur për rastin e Shqipërisë, që i intereson jo vetëm këtij editoriali, por edhe audiencës së tij, mund të thuhet se Europa ka qenë me dy krerë, ashtu si shkaba në flamurin e vendit bregadriatik. Komisioni Europian ka qenë ‘bujar’ në propozimet e tij për çeljen e negociatave Shqipërisë, ndërkohë që Këshilli i Ministrave të BE ka qenë ngurrues, dyshues dhe negativ kur ka ardhur ora e fundit e pro-ve dhe kundrave.

Europa e Unionit dhe ajo e shteteve kombëtare nuk janë pajtuar dot me njëra-tjetrën dhe kjo ka çuar sinjale të përziera në Tiranë. Ky mospajtim lart i është mbivendosur një tjetri poshtë, atij mes krahëve politikë, PS dhe PD. Të dy partitë kanë kalendarin e tyre në raport me Europën dhe ai i së djathtës është dukshëm superior duke qenë se regjistron antarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza.

E majta shqiptare prodhon një paradoks sepse ka marrëdhënie të mira, në dukje, me politikanët e Brukselit, por nuk arrin ta përkthejë këtë në hapa të mëtejshëm në anëtarësimin Shqipërisë. Këtu duhet mbështetur dyshimi se marrëdhënia mes zyrtarëve të lartë socialistë dhe atyre europianë mund të jetë e ‘transaksionale’: është e mirë për zyrtarët, por nuk është e mirë për shqiptarët. Heshtja e zyrtarëve të Brukselit dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë lidhur me atë që opozita, analistë dhe media të pavarura si Zëri i Amerikës, Dojçe Vele dhe BIRN, i shohin si shkelje dhe implikime të mazhorancës socialiste në më shumë se një kategori të antiligjit, i shton edhe më shumë këtij dyshimi.

Një pandehmë e tretë, janë edhe lëvizjet e fundit të zyrtarëve të BE, vënë në kërkim të një ‘opozite të re’ që të zëvendësojnë atë ‘të vjetrën’ mandatdjegur. Të pajtohemi te fakti se lëvizja e opozitës është e paprecedent. Duke thënë edhe atë tjetrën se, po kaq i paprecedent është edhe ngulmimi i Brukselit (apo kujtdo) për ‘të djegur’ një opozitë dhe për t’i dhënë forcë shkëndijës së një tjetre. A nuk do të ishte më e lehtë dhe më demokratike që të ndërronim/digjnim qeverinë? Më e lehtë në kuptimin procedurial, por edhe sipas paradigmës tashmë të stërpërdorur, që nga Thorou e këtej, ‘qeveritë janë problemi’.

Një opozitë e simuluar, artificiale, e mbjellë në tokën, pjellore me keqkuptime, të politikës shqiptare, do të bëhej një problem më shumë. Europianët e patën provuar një herë në fillim të viteve ’10 të shekullit të shkuar për të mbjellë diçka ‘të huaj’ në Shqipëri, në formën e një monarku të iluminuar të quajtur Vilhelm Vid. Në një shartim të tijin dhe të Esat pashë Toptanit, toka shqiptare prodhoi beun vendas të kthyer në monark, Zog I.

Nuk mbaron këtu kontradiksioni i këtij ‘misioni europian’. Europa e nisi në vitin 1990 raportin me Shqipërinë me përpjekjen për të rrëzuar qeverinë dhe për të ngritur opozitën. 29 vjet më vonë është në anën e kundër të vetes dhe të historisë: po përpiqet të rrëzojë opozitën dhe të mbajë qeverinë.

Politiko.al