Nuk lejohet vizita e presidentit serb në Drenicë, banorët bllokojnë rrugën, ndërhyn KFOR

Grupe qytetarësh nga komuna e Skenderajt në Kosovën qendrore, bllokuan të dielën në mëngjes rrugën që çon për në fshatin Banjë të kësaj komune, që banohet nga qytetarë të komunitetit serb, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në atë fshat.

Në protestën e sotme u tha se presidenti serb nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Presidenti serb u tha gazetarëve në mëngjes se do të provojë të shkojë në fshatin Banjë përmes rrugëve anësore. Por, policia e Kosovës që siguron vizitën e tij, e ndaloi atë meqë autoritetet në Prishtinë vendosën pas protestave të tërheqin lejen për vizitën në këtë fshat.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se “siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Forcat paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë thanë se “KFOR-i po punon në bashkërendim me institucionet e Kosovës dhe policinë për sigurinë e presidentit serb. Askush nuk po e kërcënon zotin Vuçiç dhe siguria e tij është e garantuar. Sa i përket protestave dhe bllokimit të rrugës për në fshatin Banjë, KFOR-i është në kontakt të ngushtë me policinë e Kosovës për të hequr bllokadën dhe për të rivendosur lirinë e lëvizjes. KFOR-i po punon që kjo të ndodhë në mënyrë paqësore, por është u gatshëm të ndërhyje në pajtim me mandatin e tij si “përgjegjësi i tretë” nëse kërkohet një gjë e tillë”, thuhet në një njoftim të forcave paqeruajtëse.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetet sociale tha se ka mirëkuptim për reagimin e qytetarëve të Drenicës, “të cilët kanë shprehur revoltën e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta”. Megjithatë, shkruan ai, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë. Prandaj, unë e kuptoj edhe zhgënjimin e banorëve të komunitetit serb në fshatin Banje, për pamundësinë e realizimit të kësaj vizite. Të gjithë duhet të përmbahemi dhe të tregojmë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor. Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit”, shkroi presidenti Thaçi.

Nga VOA