Nocioni “Fondamentalizëm islamik shqiptar” produkt i Shërbimit Sekret të Serbisë

Në shtator të vitit 1998, Grupi Diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës organizoi konferencën e radhës me gazetarë të akredituar në selinë e OKB-së në Gjenevë. Isha së bashku me Jashar Salihun (Hero i Kosovës), Ramadan Avdiun dhe Agush Bujën.

Salla plot e përplot me gazetarë. Pasi bëra hyrje informuese për situatën në Kosovë, fjala iu dha gazetarëve. I pari që kërkoi fjalën ishte gazetari i Agjencisë Telegrafike të Rusisë, ITAR-TASS (siç quhej në atë kohë).

Me qëllim që ta zhvendoste vëmendjen e gazetarëve të tjerë nga dhuna serbe në probleme të sajuara, ai shtroi pyetjen se “sa ushtarë fondamentalistë islamikë luftonin në radhët e UÇK-së”. Kësaj pyetjeje grackë iu përgjigja ashtu siç e meritonte: “Ju keni shtruar një pyetje shumë interesante, që lidhet me implikimin politik të religjionit në luftërat, të cilat  u zhvilluan në hapësirat që dikur ishin nën Jugosllavinë. Ju sigurisht e dini, por po sjell disa të dhëna që, eventualisht, mund t’i hyjnë në punë ndonjë gazetari të painformuar për këtë çështje. Po rikujtoj se para disa vitesh, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe, është bërë luftë kundër katolikëve në Slloveni. Pas luftës në Slloveni, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe, është bërë luftë kundër katolikëve në Kroaci. Lufta vijon në Bosnjë. Me bekimin e Kishës Ortodokse serbe është bërë luftë kundër myslimanëve dhe katolikëve në Bosnjë dhe tani, në fund, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe është bërë luftë kundër myslimanëve dhe katolikëve në Kosovë. Fondamentalizimi ortodoks i Serbisë është jashtëzakonisht i implikuar në luftën e Kosovës dhe ka arritur të mobilizojë fondamentalistë ortodoksë nga disa shtete të Lindjes, ku shumica e popullsisë janë të religjionit të krishterë ortodoks. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se gjatë ofensivës së fundit të Forcave të Armatosura të Serbisë janë vrarë shumë fondamentalistë që kishin ardhur nga Rusia, Rumunia dhe vende të tjera (…)”.

Gazetarë të tjerë më vërshuan me pyetje se ku ishin vrarë, sa ishin vrarë dhe nga cilat shtete kishte më shumë fondamentalistë ortodoksë që kishin ardhur të luftonin në Kosovë. Gazetari rus e braktisi konferencën.

***

Është tepër interesante të bëhet një analizë e konteksteve politike në skenën ndërkombëtare, për të parë “harmonizimin” e stigmatizimit të shqiptarëve me të gjitha “etiketat” negative që ishin “në modë” në kohë të caktuar.

Kështu, për shembull, në periudhën historike të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, shqiptarët stigmatizoheshin si “mbeturina të Perandorisë Otomane, që dëshironin ta ruanin praninë e Turqisë në Europë”; pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur Jugosllavia socialiste kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Bashkimin Sovjetik, shqiptarët u cilësuan si “antikomunistë” dhe “shërbëtorë të nazistëve dhe të fashistëve”; pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik, shqiptarët u akuzuan si “stalinistë”; pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, u akuzuan si “nacionalistë”, si “irredentistë”, si “separatistë” e kështu me radhë.

Në kohën e shpërthimit të luftës së armatosur dhe të shpartallimit të Federatës Jugosllave, “terrorizmi me motive fetare” ishte cilësimi më negativ në kontekstin politik ndërkombëtar. Për këtë arsye, në rrafshin ndërkombëtar, stigmatizimi i UÇK-së si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” përbënte një nga shtyllat kryesore të orientimit propagandues të Shtabi Strategjik të pushtetit të Millosheviqit.

Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar “Libri i Bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Metohi”, të cilin e botuan të përkthyer në gjuhën angleze  dhe në gjuhën frënge, në shtator të vitit 1998. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme, e asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia, ua shpërndau falas institucioneve me rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.

Jo vetëm në konferencën e lartpërmendur me gazetarë, por në të gjitha takimet diplomatike dhe shkrimet publike kam argumentuar në mënyrë bindëse, se nocioni “fondamentalizëm islamik shqiptar” është nocion që u përpilua dhe u shpërnda përmes të ashtuquajturve “libra të bardhë” të Shërbimit Sekret Serb, “libra të bardhë” që kishin vetëm një qëllim: të nxinin shqiptarët.

Këtë aspekt, si një ndër aspektet kryesore ku ishte mbështetur propaganda serbe, e kam përfshirë edhe në librin “Mashtrimi i madh”. Po sjell disa pjesë të librit, që kanë të bëjnë me këtë çështje, jo për të sqaruar qëndrimet e mia, por për arsye se mundëson për lexuesin që nuk ka pasur mundësi t’i lexojë këto gjëra, që ta kuptojë se kush fshihet realisht prapa kësaj sajese që njollos shqiptarët dhe në funksion të kujt janë angazhuar ata që indoktrinuan një numër të rinjsh shqiptarë, që të shkojnë në “luftërat e shenjta” për krijimin e të ashtuquajturit “Shtet islamik” (ad-dauvlaal-islamijja) , i cili shpalli kalifatin në korrik të vitit 2014.

Për të mbështetur tezat e lartpërmendura dhe për të manipuluar opinionin publik ndërkombëtar, në materialet propagandistike serbe silleshin gjoja “prova dhe fakte”, tërësisht të sajuara prej tyre! Referencat e të gjitha citateve që do të përmenden në këtë shkrim, janë në librin tim, që mund të konsultohet falas edhe në internet.

Sipas kësaj propagande, “një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë dhe ishin angazhuar si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së”. Për të qenë sa më “bindës”, përpiluesit e këtij libri pohonin se gjoja “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqipëria, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja-Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët e UÇK-së”. Madje, ky fluks i “xhihadistëve” drejt Kosovës interpretohet se gjoja ishte në përputhje me vendimet e Konferencës Islamike. Sipas kësaj propagande, “në Konferencën e 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad” dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! (…) Në përputhje me këtë thirrje, një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera iu përgjigjën thirrjes dhe u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë, si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së”.

Përmes kësaj gënjeshtre, propaganda serbe synonte të manipulonte atë kategori njerëzish që kishin frikë nga “fondamentalizmi islamik” dhe nuk kishin njohuri për zhvillimet reale në Kosovë. Në të njëjtën kohë, kjo gënjeshtër u shërbente politikanëve të llojit të Jean-Marie Le Pen-it, që “t’i frikësonin” europianët me rrezikun që u kanosej të islamizoheshin nga Kosova e pavarur, apo gazetarëve dhe publicistëve që kërkonin të stigmatizonin mbështetjen që i jepej luftës çlirimtare të Kosovës, sikur të ishte luftë me konotacion fetar.

Të vetëdijshëm se realiteti ishte krejtësisht ndryshe, sajuesit e kësaj gënjeshtre shpresonin se informatat nuk do të verifikoheshin. Të gjithë atyre që u interesonte e vërteta për pohime të tilla, kanë pasur mundësi të vërtetojnë se Konferenca e 18-të Islamike nuk u mbajt në Pakistan, siç pretendohej në këtë “Libër të Bardhë”, por në Arabinë Saudite dhe në datat 13-16 mars 1989! Pra, gati dhjetë vjet para Luftës së Kosovës! Madje, jo vetëm Lufta e Kosovës që nuk ka mundur të përmendet dhjetë vjet para se të fillojë, por në këtë Konferencë Kosova nuk është përmendur fare!

Sa i përket Pakistanit, në këtë shtet është mbajtur Konferenca e 21-të Islamike nga 25-29 prill të vitit 1993. Pra, edhe Konferenca Islamike në Pakistan është mbajtur para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe, rrjedhimisht, nuk kishte mundësi që të kualifikohej si “xhihad” një luftë që ende nuk kishte filluar. Gjatë Konferencës Islamike të mbajtur në Pakistan në vitin 1993, në kuadër të rezolutës 7/21-P, kushtuar situatës në Bosnjë-Hercegovinë, në pikën 28 të saj përmendet edhe Kosova. Përmes kësaj rezolute “kërkohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes, tani më të tendosur, në Kosovë, në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Republikën e Maqedonisë”.

Siç shihet qartazi, qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk dallojnë aspak nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përkundrazi, janë më pak të ashpra se qëndrimet e shprehura përmes rezolutave të asaj kohe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25-të të kësaj konference u miratua rezoluta 19/25-P, që kishte të bënte me situatën në Kosovë. Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe.

Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe për gjoja “instruktorë të fondamentalizmit islamikë, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë, siç kishin shpresuar udhëheqësit e propagandës së regjimit të Beogradit. Përveç disa artikujve në gazeta, ku shihej ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” kishin dështuar. Zhgënjimin e autoriteteve serbe për këtë dështim e shprehu publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matiqi. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Medjunarodna politika”  ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugosllavisë, ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë”.

Dështimi i propagandës për gjoja “instruktorë fondamentalistë islamikë që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” dhe sidomos qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare kundër dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake serbe e tërbuan pushtetin e Beogradit.

Ky tërbim mori përmasat e një histerie, veçanërisht pas denoncimit që William Walker-i i bëri vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Kualifikimi i Walker-it, se ajo që kishte ndodhur në këtë fshat “ishte krim kundër njerëzimit” dhe se “ata që kishin dhënë urdhër për këtë krim duhej të jepnin llogari para drejtësisë”, bëri që “instruktorët e fondamentalizmit islamik që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” të harroheshin përkohësisht nga propaganda e Beogradit. Ata u “zëvendësuan” me “instruktorë ose specialistë me mbiemra amerikanë ose anglezë që kishin ardhur të stërvitnin ushtarët e UÇK-së…”. Sipas qëndrimit të ri propagandistik të regjimit serb, “ekspertët që stërvitnin ushtarët e UÇK-së kanë mundur të jenë instruktorë të Walker-it ose mercenarë të shërbimeve dhe të organizatave të tjera anglo-amerikane”!

Para se të vazhdoj më tej me këtë temë, kërkoj nga lexuesi të jetë i vëmendshëm në logjikën propagandistike, që është karakteristikë e Shërbimit Sekret të Serbisë: ndërrimi i akuzave në varësi të kontekstit. Madje, pesë pare nuk i japin, që e njëjta strukturë akuzohet të jetë e trajnuar herë nga “fondamentalistët islamikë”, e herë nga “ekspertët e shërbimeve sekrete anglo-saksone”! Krahas stigmatizimit të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike, si të implikuar në “përgatitjen e terroristëve shqiptarë”, nuk mungojnë autorët që implikojnë edhe Shërbimin Sekret Francez  dhe atë Gjerman  në lidhjet me UÇK-në.

Kjo strategji, sado paradoksale të duket, është e qëllimshme. Të gjitha shoqëritë perëndimore që përballeshin me aksione terroriste me konotacion religjioz fondamentalist islamik, duhej të shihnin rrezik nga lufta çlirimtare e Kosovës. Ndërsa vendet arabo-islamike ta shihnin UÇK-në si “instrument të imperializmit amerikan”.

Për ta kompletuar akuzën, se gjoja “komploti kundër Serbisë vjen nga jashtë”, shteti serb denoncoi edhe “tolerancën” e shteteve të demokracive perëndimore në raport me “terroristët shqiptarë”. Këto akuza u drejtuan në veçanti kundër “tolerancës” së autoriteteve gjermane dhe zvicerane. Sipas “Librit të Bardhë” të Shërbimit Sekret të Serbisë, “autoritetet gjermane ia kishin lënë UÇK-së kazermat e braktisura të NATO-s (në Hanover, në Nuremberg, në Bon dhe në Frankfurt) dhe qindra kampe të azilkërkuesve, ndërsa autoritetet e Zvicrës i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së”. Me një fjalë, sipas propagandës serbe, shumë shtete perëndimore ishin mobilizuar në kuadër të një komploti kundër Serbisë!

Përkundër faktit se pas krimeve në fshatin Reçak “instruktorët anglo-amerikanë” dolën në rrafshin e parë propagandistik të regjimit të Milosheviqit, ndërrimi i “instruktorëve islamikë fondamentalistë” me “instruktorët anglo-amerikanë” nuk e hoqi tërësisht propagandën serbe që synonte përafrimin e UÇK-së me grupet terroriste islamike. Në të gjitha ribotimet e mëvonshme të “librave të bardhë”, kjo njollosje mundohej të mbahej gjallë duke u ilustruar me sajime të reja, që plasoheshin në opinionin publik ndërkombëtar si “argumente”.

Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 krijuan një kontekst të ri në orientimin strategjik të politikës së shteteve të demokracive perëndimore në përgjithësi, dhe asaj amerikane në veçanti. Lufta kundër terrorizmit global të proveniencës religjioze doli në plan të parë.

Duke shpresuar se konteksti i ri ndërkombëtar, i krijuar pas atentateve të 11 shtatorit 2001, ishte i favorshëm për të shpërndarë propagandën e moçme të “lidhjeve” të UÇK-së me ideologjinë “fondamentaliste islamike”, propaganda e pushtetit “të ri” të Beogradit (pas arrestimit të Millosheviqit) aktivizoi arsenalin e vjetër propagandistik. Në botimin e vitit 2003 të “Librit të Bardhë” u përsërit deklarata e Millosheviqit në fjalën hyrëse në procesin gjyqësor kundër tij, se gjoja “në vitin 1995 Osama Bin Ladeni kishte qëndruar në Shqipëri, si mysafir i presidentit të atëhershëm, Sali Berishës”. Shërbimet sekrete serbe shpërndanë dezinformatën, se kinse “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës “Al Kaeda” dhe celulat e saj në Kosovë dhe në Metohi (siç e emërojnë Dukagjinin)”. Sipas kësaj propagande, përveç Bin Ladenit, “në atë takim kanë qenë të pranishëm edhe Muhamet Al-Zawahiri, vëllai i ideologut të “Al Kaedës”, Ajman Al-Zawahirit, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të pranishëm ishin edhe Bashkim Gazidede, ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj…”.

Shpërndarja e kësaj dezinformate synonte pezmatimin e opinionit publik perëndimor e, në veçanti, opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Millosheviqit. Gënjeshtra se gjoja Osama Bin Ladeni kishte qëndruar në Kosovë dhe se kinse kishte krijuar bazat e “Al Kaedës” në këtë pjesë të Europës ishte gënjeshtra më skandaloze që trilloi Shërbimi Sekret Serb. Fatkeqësisht, edhe pse shumica e autorëve që e përmendin këtë “informatë” theksojnë se është “e pabesueshme që Bin Ladeni të ketë qëndruar në Shqipëri”, kjo dezinformatë gjeti një vend të konsiderueshëm në mediat dhe në veprat e autorëve të ndryshëm perëndimorë. Dhe, si e tillë, ajo paraqet një mundësi për vazhdimin e manipulimeve me lexuesit e painformuar.

Mirëpo, për të qenë të besueshme në opinionin publik të shteteve perëndimore, provat konkrete që do të dëshmonin për rrezikun nga “fondamentalizmi islamik shqiptar”, imponohen si domosdoshmëri. Në funksion të këtij qëllimi, shërbimet sekrete të Serbisë dhe të Maqedonisë orientuan një numër teologësh myslimanë shqiptarë, që ishin bashkëpunëtorë të tyre, që të përhapin ndër shqiptarë frymën e mobilizimit për një “luftë të shenjtë”. Të jem i qartë. Propaganda për një “luftë të shenjtë” islamike nuk është produkt i shërbimeve sekrete sllave, por i rrymave islamike që dëshironin t’i jepnin dimensionin politik religjionit. Ky aspekt është objekt i hulumtimit që kam bërë rreth një dekadë dhe që do të botohet si vëllim i veçantë. Ajo që është karakteristike për t’u veçuar ka të bëjë me mobilizimin e institucioneve shtetërore serbe dhe maqedonase për të krijuar njerëz me origjinë shqiptare që do të implikoheshin në këtë luftë. Ky rezultat do të ngjallte shpresat e tyre që në këtë raport forcash të skenën politike ndërkombëtare, ku shtetet e demokracisë kanë fuqinë kryesore, të krijonin imazhin e rrezikut që gjoja i kanoset Europës dhe Perëndimit nga “Fondamentalizmi islamik shqiptar”.

(Vijon shkrimi: “Fondamentalistët islamikë” me origjinë shqiptare janë produkt i bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete të Serbisë dhe Maqedonisë”.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/nocioni-fondamentalizem-islamik-shqiptar-eshte-produkt-i-sherbimit-sekret-te-serbise-544313/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright