Nju Xhersi, një piceri ndihmon njerëzit në nevojë. Kjo bujari prezantohet nga “Associated Press”

Ndërsa janë bërë të zakonshme lajmet e vazhdueshme nga mbarë bota rreth efekteve të koronavirusit, të tilla janë edhe historitë që tregojnë mirësitë e njerëzve të panjohur dhe individëve që sakrifikojnë për të tjerët. Agjencia e lajmeve “Associated Press” ka filluar një serial që tregon pikërisht mbi mirësitë e biznesve dhe individëve në këto kohë të vështira për shumë njerëz.

Bryan Morin dhe vëllai i tij Michael janë pronarë të “Federico’s Pizza në qytetin bregdetar Belmar në shtetin Nju Xhersi. Gjatë sezonit të verës, ata shërbejnë pica dhe lloje të tjera ushqimesh për pushuesit në bregdet, që është vetëm disa minuta nga restoranti i tyre. Gjatë dimrit, klientët mbushin restorantin e vogël që gjendet në rrugën kryesore të qytetit të vogël.

Ndërsa Italia po përjeton një situatë të rënduar me mijëra viktima dhe nivel të lartë panunësie si rezultat i koronavirusitBryan Morin dhe vëllai i tij menduan se si të parandalojnë këtë për biznesin dhe punonjësit e tyre.

Kështu, Michael dhe Bryan Morin morën një borxh prej 50 mijë dollarësh për të siguruar pagat për punonjësit. Vëllezërit u premtuan punonjësve se do të kishin të sigurta vendet e punës për të paktën dy muaj.

“Bashkë me vëllain menduam që të marrim një kredi që ta përdornim në rast se gjendja do të keqësohej, sepse donim që punonjësit tanë të mos mbeteshin pa paguar. Donim të kujdeseshim për ta, sepse ata kujdesen për biznesin tonë”, thotë zoti Morin.

Njerëzit janë më të rëndësishëm se fitimet thotë bashkëpronari Michael Morin.

Ajo që dy vëllezërit pronarë nuk e dinin ishte se mirësia e tyre do të nxiste donacione nga mbarë vendi. Ndërsa premtimi i vëllezërve Morin u përhap, komuniteti në Belmar u tregua i gatshëm  ndihmonte.

“Ndjehesh mirë kur shikon mbështetjen që njerëzit japin për njëri-tjetrin, sepse në një situatë si kjo, të gjithë duhet të veprojmë të bashkuar”, thotë Michael Morin, bashkëpronar i restorantit.

Klientët filluan të jepnin 10 dollarë vetëm për punonjësit e kuzhinës, përveç bakshishit që është 20 përqind e kuponit të ushqimeve që konsumojnë në restorant.

Por e papritura ndodhi – një valë donacionesh për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Si ata që porosisnin ushqime dhe ata që donin të ndihmonin, i telefonuan picerisë duke porositur ushqime për njerëzit në linjën e parë të luftës kundër koronavirusit.

Njerëzit filluan të porosinin dhe paguanin për ushqimet e dërguara për stafin mjekësor në spitalin e qytetit, policinë, zjarrëfikësit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë.

Brenda dy javësh piceria “Federico’s” mori porosi prej afro 4 mijë dollarësh për të dërguar ushqime për ekipet e reagimit të shpejtë. Vetëm pak momente para se Bryan Morin të fliste për “Associated Press” javën e kaluar, restoranti i tij dërgoi 30 pica falas për qendrën mjekësore të qytetit bregdetar.

“Do të bëjmë patjetër atë që premtuam. Ne do të kujdesemi për të gjithë”, tha Michael Morin.

Qyteti Belmont është një qendër e rëndësishme e betejës kundër COVID-19, në një shtet që zë vendin e dytë për nga numri i rasteve në mbarë Shtetet e Bashkuara.