Nji vorr për At Gjergj Fishtën – Nga At Zef Pllumi (Hylli i dritës”, 1996)

31 dhjetor 1940. Ajo natë nuk kje natë gzimi: nji ndër bijt ma në za të Shqipnisë mbulohej në dhe të zi. Nuk pati andrra lirije, pse dy pushtues të huej luftojshin mes vedit mbi këtë truell. Qielli kje i ngrysun, i ftoftë, i merdhitun si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës. Vonë në natën e 31 dhjetorit, nji grup i vogël françeskanësh hapëm atë vorr me zemër të thyeme e me lot ndër sy. Te kryet nji kryq dullije për me çue në vend dishirin që pat lanë amanet: “Nji kryq druni, t’kojsha true /nxierre e venma përmbi krye”… Qindra kurora lulesh, që e mbuluen vorrin, nuk e zbukuruen atë vdekje…

Dukej sikur në luftën e madhe të popujve mëndje çoroditun, Fishta po binte fli. Vorri ishte aty, në fund të kishës. Heshtje e mallëngjim. A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-trës me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin “botën e re”: “Internacionale do të jetë bota e re!”. Para tyne u duk sikur kombit tonë iu përvdorën të gjithë hyjt e diejt e vet. Nga vorri në fund të kishës u hoqën në fillim kunorat me lule. Kryeqi dullije u zhgul. Mbet vetëm nji rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emen e pa kombsi. “Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë, pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron.

Në vitin 1967, kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen.

Simbas nji dishmitari okuar, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin. Partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino-teatër, ndoshta nga friga se nga fundi i Kishës mund të ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem. Por ai çast i turpshëm për mbarë kombin dhe racën shqiptare ishte pregatitë kaherë: fillonte që te programet e para shkollore të pushtetit të ri. Vazhdonte me urdhën partiak, në fillim në surdinë te mbledhjet e plenumet e shkrimtarëve e gjuhëtarëve ndër rrethe të mbyllura, deri që shpërthente haptë me korin e neveritshëm të shkrimtarëve, kritikëve e historianëve të realizmit socialist, që u vunë në garë mes vedit se cili po hjedh gurë e baltë më shumë mbi poetin.

I mbetun pa vorr, Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me herojt e epopesë së tij. Me gjasë lexuesit e tij nuk dinin kurrgja mbi fatin e trupit e t’eshtnave , dinin se kishte dikund një vorr, ku Poeti pushonte në paqe , ndoshta as nuk u jepnin randësi të mbetunave të tij. Ndërkaq në heshtje nën za, recitonin me ngulm kangët e “Lahutës së Malcis”, ky ishte një veprim konspirativ antishtetnor, antisocialit, antitiranik, antiservil që dënohej së paku me 10 vjet burg.

Leave a Reply