Njeriu qe “e gjeti dhe e la” famën në Skrapar

Nga Bashkim Koçi

Vitin që sapo kisha mbaruar Institutin e Lartë Bujqësor, fakultetin e agronomisë, mësova të dija diçka rreth punës të një personazhi, i cili në atë kohë kryente detyrën e sekretarit të parë të komitetit të partisë të rrethit të Skraparit, Teki Malindit. Kisha dëgjuar të flitej për të gjatë muajve të verës kur vija në fshat  për pushime, por “indiferenca” e studentit nuk më kish lënë hapësirën e duhur  që të mund të dija më shumë rreth kontributit  të tij në lëvizjen e gjërave, në dhënien e shtysës tek njerëzit që ata ta donin dhe adhuronin punën. Fjala vjen edhe sot, pra pas afro gjysmë shekulli, nga viti që ai u largua nga Skrapari, dëgjon të flitet me mirënjohje, me nostalgji, ta konsiderojnë si një njeri të çuditshëm që ia dha famën vetes vetëm me punë.

Mesa duket ai paska qenë një ëndërrimtar i madh, por edhe i guximshëm. Sepse që të mund të arrihen e të kryhen deri në fund punë të cilat konsiderohen “të mëdha”, duhet me domosdo ta duash atë që bën e, më pas, t’i jepesh i tëri.  Edhe sot atje në Skrapar thuhet se ajo arë, ajo rrugë, ai vresht apo ajo pemëtore, ai ujësjellës  apo rezervuar uji,  ajo shkollë  e ai spital, “është bërë në kohën e Teki Malindit”. Sot një numër i madh qendrash shëndetësore, shkollash, vreshta e pemëtore, ujëmbledhëse e kanale ujitëse  etj., janë shkatërruar, nuk u gjendet as name e as nishan. Si në të gjithë Shqipërinë. Thirrja që lëshuan disa “demokratë” në vitet ’90, për të djegur e shkatërruar çdo gjë të trashëguar nga komunizmi,  u finalizua duke i çuar shumë institucione  të rëndësishëm të arsimit, kulturës, shëndetësisë e ekonomisë në nivelin zero. U shkatërruan të gjitha.  Por disa nga “gërmadhat” e kohës së Teki Malindit janë ende në këmbë, funksionojnë.

Teki Malindi (Caushi) mban për mbiemër emrin e fshatit të tij të origjinës, Malindit. Është paksa çuditshme dhe që të vë në mendim fakti që shumë njerëz  me veprimtari të ndritur mbajnë për mbiemër vendin nga e kanë origjinën, andej nga kanë rrënjët e të parëve. Kështu, në Skrapar, mund të përmendim dy Heronjtë  e Popullit Riza Cerova (Hoxha) e Zylyftar Veleshnja (Bregu), Muço Kapinovën (Bakiasi) e Njazi Çepanin (Zyka), Mane Nishovën (Koxhaj)  e Ganimet Vendreshën (Bregu), Sinan Leshnjen (Ylli) e  ljaz Sevranin (Bejko), Asllan Osojën (Caka) e Ismail Gjerbësin (Alushani), Alush Grepckën (Guri) e Neki Zaloshnjen (Sula) e shumë të tjerë.  Të shkon mendja që kjo specifikë e veçantë, që emri i vendit  të origjinës  t’u jetë bërë “fërrë” mbrapa emrit, mund të jetë edhe “ofiq” thirrur nga njerëzit e thjeshtë deri sa më në fund u ka mbetur si mbiemër i zyrtarizuar.

Personazhi ynë lindi në fshatin Malind të Skraparit, por u rrit e u burrërua në qytetin e Beratit, aty ku u vendos familja e tij në viti 1926. Ka qenë vetëm dy vjeç. Shkollën, atë të ciklit të ulët dhe të mesëm, i kreu po aty, në qytetin e gurtë. Duke qenë familje e ardhur në Berat, do të thoshte që nga ana ekonomike të ishin disi të vakët. Por ishin njerëz të gjendur e me shpirt fisnik.

Përballimi i jetës, i rritjes dhe shkollimit të fëmijëve për kreun e familjes, Karafilin, donte pak mundim, i duhej të kalonte vështirësi. Herë-herë të paparashikuara. Por ky skraparlli i rrahur me vaj e me uthull dinte një gjë, dinte që vështirësitë e jetës disa i lodhin,të tjerë i forcojnë. E unë, i thoshte ai vetes, futem tek të dytët, tek ata që vështirësitë e jetës i forcojnë, i bëjnë  të kuptojnë mirë filozofinë e jetës: Secila punë kërkon njeriun e tërë. Të konceptuar e përdorur jetën me këtë filozofi shtëpia  e tyre mori drejtim ndaj së mirës, gjithmonë  të udhëhequr nga ideja se njeriu nuk është i pavdekshëm, por të përpiqet  të jetë i pavdekshëm për ato që bën. Në këtë kuptim  kjo familje i mbajti dyert e shtëpisë të hapura, ditën dhe natën, për të përcjellë tek çdo bujtës vetëm mirësi. Gjatë luftë Nacionalçlirimtare, fjala vjen,  Margarita e Kristaq Tutulani, motër e vëlla, e patën strehëzën më të besuar, më të dashur, në çastet kur u vihej jeta në rrezik. E, në këtë frymë u rrit edhe Teki Malindi. Për nga tabiatet, ishte kopja e të atit. Pse? Sepse njeriu është produkt i mjedisit ku rritet e edukohet.

Ky njeri ishte me plot ëndrra. Por jo thjesht ëndërrimtar në hava. Ai dinte mirë se synimet që kërkon të arrish, që mund t’i bësh realitet, duhet të kesh kurajën e duhur. Në vitet 1954-1959 pati fatin të shkollohej në Bashkimin Sovjetik, në Moskë. Në shkollë me tradita të shkëlqyera  mësimdhënieje, por edhe me shokë të mirë, që ndikonin për t’u formuar si kuadër  i zoti dhe me ambicie për të ngjitur shkallët e suksesit. Disa ndër këtë bashkë studentë ishte Thanas Nano, Gaqo Nesho e Skënder Luarasi. Teki Malindi, sa qe gjallë, fliste me konsiderata të larta, duke i quajtur  “gurë të rëndë”,  intelektualë që shkëlqyen në punë deri na fund të jetës së tyre.

Sekreti i ecjes përpara qëndron tek nisja. Ajo, kur fillon mbarë, të tillë e ka edhe fundin, të suksesshëm. Teki Malindi pas mbarimit të shkollës në BS iu ngarkuan detyra të rëndësishme  në shkallë vendi, të cilat i mësuan një gjë: sukses do të thoshte djersë plus sakrificë. Kur iu ngarkua detyra e “të parit” në Skrapar (1964), e që do të qëndronte aty plot 12 vjet (1975), i tha vetes: për të transformuar këtë vend më duhet forcë, më duhet durim, por edhe pasion për të kontribuar për Skraparin tim.

Skrapari në ato vite siguronte vetëm dy muaj bukë. Dhjetë muajt e tjerë furnizohej nga shteti. Ishte varfëri ekstreme, mjerim. Në një nga ditët kur në Çorovodë zbriste i gjithë Skrapari për të marrë racionin e misrit për çdo frymë, aty nga pasditja depua e drithit u boshatis. Ata që nuk arritën dot duhet të prisnin furnizimin e radhës. Në këtë situatë aspak të mirë për “të parin” e vendit, Tekiu u përball me një grua, e cila vinte nga Tomorrica. E mjera grua qante, ulërinte dhe, ashtu si e ikur nga mendja, iu ul më gjunjë Teki Malindit, i puthte  duar e këmbë, duke iu lutur që të jepte urdhër për të gjetur mundësinë për  pak misër, të mos kthehej në fshat, tek fëmijët, pa bereqet. Këtë ditë Teki Malindi nuk do ta harronte kurrë. Madje, siç thoshte ai më pas, në atë ditë u betua për të ndryshuar situatën dhe se skraparllinjtë nuk mund të ndjeheshin të poshtëruar  për një copë bukë. Sigurisht nuk është vendi të sjellim atë punë të madhe drejtuese e organizuese të këtij njeriu që mbeti i famshëm për Skraparin, por një fakt duhet shënuar: Në ato vite, të cilat më të drejtë populli i konsideronte  “të Teki Malindit”,  ai rreth, ndoshta shumë malor, arriti t’i dorëzonte teprica drithi shtetit. Kur lexoja këto ditë, në një nga gazetat e përditshme, se Greqia në vitin 1982 ka importuar drithë nga Shqipëria, më shkoi mendja që në ata thasë  të mbushur me grurë ka pasur edhe nga ai që prodhohej në Skrapar.  Nuk jam nga ata që të mbetem nostalgjik i së shkuarës, por si qytetar i këtij vendi nuk ndjehem mirë kur shoh e dëgjoj që unë, ti, të gjithë në shqiptarët konsumojmë miell nga ai që fqinjët tanë, shtetet nga furnizohemi, e përdorin për kafshët. Meqë sollëm faktin që Skrapari dikur vetë furnizohej me drithë, a nuk i ka mundësitë shteti të nxisë fermerët, t’i përkrah, madje edhe të investojë që ne si popull, aq sa jemi, të konsumojmë grurë, misër  dhe drithëra të tjera nga duart tona?

Teki Malindi qe njeri i suksesit. Kulmin e lavdisë si njeri i punës e i sakrificës e arriti në Skrapar, aty ku edhe mori famë, aty ku edhe pas kaq dekadash e përmendin, e marrin si shembullin e drejtuesit që la histori për t’i treguar.

Xhevahir Spahiu: Ai u vuri emrat arave

Pas çdo takimi nderimi im për të rritej, kujton poeti Xhevahis Spahiu. Njeriu, edhe ai më i thjeshti, sapo hynte në kujtesën e tij, nuk dilte më prej saj. Secilit i fliste me emër, si Bonaparti ushtarëve të tij. Kam qene disa herë maleve me të dhe kam ndjerë thellë këtë sjellje të jashtëzakonshme. Atëherë, por edhe tani, dëgjoj të thonë: “Tekiu u ka vënë emrat arave të Skraparit”. Dhe të pagëzosh arat, është si të pagëzosh njerëzit, apo jo? Ishte njeri i veprimit. Ishte gjithë dinjitet sepse dinte të çmonte dinjitetin e tjetrit. Dymbëdhjetë vitet e drejtimit të tij janë 12 vjetët e Rilindjes së Skraparit. Ja përse,  edhe sot vendasit thonë natyrshëm: Në kohën e Teki Malindit.

Deri vonë kur s’ishte i veshur me petkun e zyrtarit, por njeri i zakonshëm, në pension, sa shkelte në Skrapar, aty nën rrepet e Osumit njerëzit e rrethonin me dashuri. Ata e dinin mirë: ato arra e qershi, ato ullinj e vreshta me rrush në faqet e kodrave mbi qyet ishin mbjellë “në kohën e tij”. Një ditë-vijon Xhevahir Spahiu- e takova tek kulla e Sahatit në Tiranës. Ishte Janar-Shkurt 1983.” Hë, tha, si i ke punët?” “Ja, i thashë, ashtu…”. Porsa isha kritikuar hapur me emër nga Sekretari i Parë, jo Tekiu, tjetri Enveri, për ndikime nga filozofia “ant-marksiste” e Sartrit. Tekiu, bashkëfshatari im i shtrenjtë, më pa në sy si një prind, e kuptoi fare mirë gjendjen time të trazuar e gjysmë të hutuar e më përqafoi fort. “Mos u jep më tha. Kështu e kanë këto punë. Dhe ki kujdes! S’e kam fjalën për rrymat në fushën tuaj të  letërsisë, po ruhu nga smira e të ligut. Kam besim tek ti”.

Mikhail Susllovi, ai që u deh me raki Skrapari

Gjatë kohës që Teki Malindi studionte në Moskë i binte rasti të mblidhej me shokët për t’u argëtuar ashtu shqiptarçe, duke pirë edhe ndonjë gotë raki, të cilën e merrte  me vete sa herë që nisej për studime. Sigurisht që rakia ishte nga ajo e Skraparit, ballë kazani. Një nga këto ditë, të planifikuar për t’u mbledhur pranë gotës së rakisë, vjen rastësisht  Mikhail  Susllovi, politikan i rangjeve të larta në PK të Bashkimit Sovjetik, por që jepte edhe leksione të lëndës së filozofisë për studentët e huaj. Susllovit  i ra në sy që studentët shqiptarë pinin një lëng që i ngjante më shumë ujit sesa vodkës së famshme ruse.

-Çto eto, ç’është kjo?-kishte pyetur Susllovi. Studentët shqiptarë i kishin treguar se ky lëng pa ngjyrë quhej raki dhe se nxirrej nga lëngu i rrushit. I kishin mbushur edhe një gotë, nga ato të rakisë, pra të përmasave të vogla. Pasi e kishte hedhur gotën plot, Susllovi u kish kërkuar djemve studentë që t’i mbushnin një gotë tjetër, më të madhe, nga ato të ujit.

-Kjo qenka një mrekulli, po më bën për vete-kish thënë plot intuziazëm Susllovi,  pasi e kish rrokullisur gotën e ujit të mbushur denkaz me raki.

Kaq ishte dashur që, sekretari për problemet ideologjike të PK të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Susllovi,  t’i jepte urdhër Teki Malindit të shkonte në Shqipëri posaçërisht për të marrë raki Skrapari.

U tha, u bë. Studenti Teki Malindi pasi prenotoi biletën e avionit, falas, u përgatit shpirtërisht për të ardhur në atdhe. I erdhi fati, s’di nga ku,  për t’u takuar me miq e shokë, por në mënyrë të veçantë njerëzit e familjes për të cilët e kish marë malli. Sapo mbriti në Berat, të parën punë që bëri, i kërkoi babait t’i siguronte rakinë, nga ajo që të përvëlonte xhanin, pikë e parë. E kam për një të mdh,  për një personalitet të lartë politik të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Susllovin, por që është edhe profesori im, e kish sqaruar babain. Plaku në fillim nuk e kish kuptuar, madje nuk  e kishte besuar të birin sepse çka po i kërkonte i dukej marrëzi.  Si ka mundësi, ç’politikan qënka ky Susllovi, kish thënë me vete xha Karafili, si mund të nis tjetri të birin e botës, mijra kilometra larg, për të marrë disa litra raki Skrapari?

Pas dy-tre ditësh  rakia erdhi sipas porosisë dhe u ambalazhua bukur, si për një mik të veçantë. Studentit Teki Malindi nuk i mbetej gjë tjetër veçse t’i hipte avionit për në Moskë,  ndërsa rakinë ta niste me një anije tregtare për në Odesë, aty ku e priste një person tjetër, njeri i dërguar nga- Mekhail Susllovit.