Një virus i ri misterioz që nuk është ndeshur në asnjë formë jete, gjendet në Brazil

Sipas shkencëtarëve, një virus i ri misterioz, me gjenet që nuk janë parë asnjëherë deri tani dhe në asnjë formë jete, është zbuluar në Brazil.

Yaravirus, i cili është emëruar sipas Yarës – një përendesh uji mitologjike braziliane, është gjetur në liqenin Pampulha, një lagunë artificiale në qytetin Belo Horizonte, thuhet në një punim të ri hulumtues në BioRxiv, shkruan “nypost.com”.

Shkencëtarët nga Universiteti i Francës, Aix Marseille, dhe ai Federal i Brazilit, Minas Gerais, gjetën se mbi 90 për qind e gjeneve të Yaravirusit nuk janë identifikuar kurrë në viruse tjera, transmeton Koha.net.

Shkencëtarët, po ashtu, thanë se “virusi i ri mbart një numër të rëndësishëm të gjeneve të pa përshkruara më parë”.

Gjithashtu, ata thanë është e paqartë se kur dhe ku filloi dhe u zhvillua ky virus.

“Do të ishte e nevojshme të izolohen viruse të reja të ngjashme me Yaravirusi, për të përmirësuar analizën tonë dhe të provojmë të definojmë origjinën e tyre”, ka thënë për “Live Science” Jonatas Abrahao, profesor i asocuar në Universitetin Federal të Brazilit.

Virusi i ri, i cili është vetëm 80 nanometër në diametër ose rreth 0.1 për qind e trashësisë së flokut të njeriut, ka aftësi të infektojë amebat tjera. Por nuk ka asnjë indikacion se virusi i ri është një rrezik për njerëzit, shtuan shkencëtarët.

“Nëse i konsiderojmë të gjitha viruset e njohur deri më tash, mund të themi se shumica prej tyre nuk paraqesin ndonjë rrezik për shëndetin tonë”, tha Abrahao, duke shtuar se ato janë ende “jashtëzakonisht të rëndësishme në mjedis”.

Lajmi për zbulimin e virusit të ri vjen pas koronavirusit, i njohur me emrin COVID-19, i cili është zbuluar së fundmi në Kinën qendrore duke çuar në një emergjencë shëndetësore publike ndërsa është përhapur në mijëra njerëz brenda dy muajve.

 

© KOHA