Një portret i paautorizuar për Gramoz Ruçin nga Xhevdet Shehu

Një lexues i rregullt i DITA-s online që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara dhe që mbase jo krejt rastësisht e kam mik në Fejsbuk, më shkruante para pak ditësh kështu:

“Mora vesh se Gramoz Ruçi do të bëhet kryetari i ri i Kuvendit. E tha Edi Rama këtë në një intervistë. Mirëpo, unë kam një kuriozitet që dua të ma shuani ju të gazetës ‘DITA’: A është kjo zgjedhja e duhur? Sepse nuk e njoh fare Gramoz Ruçin dhe për më tepër thuajse nuk e kam parë në ekranet e televizioneve aty në Tiranë. Ka nga ata që thonë se ai përfaqëson krahun ekstremist në PS, disa e quajnë ministër të kohës së diktaturës. Por rezultati surprizues i PS-së më 25 qershor dhe sidomos në qarkun e Fierit ku zoti Ruçi doli deputet më kanë bërë të mos jem i bindur në ato që më kanë thënë për të, por edhe nga ato që shkruhen në disa rrjete sociale. Sidomos këto komentet në rrjetet sociale më duken të njëanshme dhe nuk i besoj…Mund të ma sqaroni këtë, mbase me anë të një portreti për figurën e tij….”

Po, iu përgjigja, do të shkruaj unë se cili është ai që do të jetë Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë.

“Njolla” në biografi e Gramozit

Shumë pyesin se si ka mundur të mbijetojë një ish-komunist, madje “fanatik” sikurse e etiketojnë Gramozin disa?

Mendoj se Gramozin nuk e komplekson aspak e kaluara. Dhe ja sepse:

Gramoz Ruçin e njoh prej afro 27 vjetësh, pikërisht në kohën që regjimi komunist kishte marrë rrokullimën dhe Gramozi u shfaq si një nga prurjet e reja në udhëheqjen e partisë. Ai erdhi nga Tepelena ku dy vitet e fundit kishte qenë sekretar i parë i partisë të rrethit. Ishte 39 vjeç kur erdhi në Tiranë. Madje në fillim të vitit 1991 ai ushtroi për rreth dy muaj e pak detyrën si ministër i Brendshëm. Pikërisht atëherë ndodhi ngjarja  e 2 prillit në Shkodër. Gramozi, si ish-ministër i Brendshëm në atë kohë, doemos që do të ishte ndër të akuzuarit kryesorë për atë ngjarje. Për të kuptuar situatën reale duhet me doemos të vendosemi në kohën e duhur për të cilën bëhet fjalë, kur Shqipëria ishte në një kaos thuajse total. Unë e kam ndjekur atë gjyq… Dhe dëshmoj se shumëkush priste që Gramozit t’i hidheshin prangat aty, në sallën e gjyqit. Natyrisht ishte një moment i vështirë për të në atë kohë, por Gramozit nuk iu gjend asnjë fakt që ta penalizonte dhe ta çonte pas dyerve të burgut. Qëndrimi i tij në sallën e gjyqit ishte burrëror. Dikush hodhi një këpucë kundrejt Gramozit. Por atij nuk i bëri përshtypje, duke ditur shumë mirë ku gjendej dhe mbase e arsyetonte edhe atë sjellje brutale dhe të papërmbajtur të ndonjërit si emocionale përballë një ngjarjeje tragjike. Sepse ai, më mirë se kushdo tjetër mbase e dinte të vërtetën, dinte autorët dhe ekzekutorët e masakrës…

Në të vërtetë ata që ia kujtojnë këtë pas 27 vjetësh, gabojnë dhe zhvlerësohen vetë. Ata që e kontestojnë Ruçin duke e implikuar atë në ngjarje mendoj se nuk kanë të drejtë. Gramozi e ka shpjeguar vetë këtë disa herë, por meqë erdhi fjala, po ju them: Ky gjyq është zhvilluar kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe ngjarja ishte fare e freskët. Por asnjë argument apo akuzë nuk qëndronte kundër Gramozit dhe ai doli i pafajshëm nga ajo histori. Kaluan vite dhe Berisha erdhi sërish në pushtet e qëndroi për 8 vjet kryeministër i vendit dhe, me gjithë nivelin e gjykatave dhe të gjykatësve në favor të Berishës, nuk guxoi askush ta riakuzonte Gramozin.

Fakt është se që nga viti 1991, Gramoz Ruçi nuk ka mbajtur asnjë post shtetëror, nuk u bë më pas kurrë ministër, pavarësisht se partia e tij ka ardhur disa herë në pushtet dhe ai mund ta ishte zgjedhur apo emëruar lehtësisht në poste të tilla. Ai ka qenë në vijimësi deputet, kryetar i grupit parlamentar dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste. Kaq.

(Një parantezë e vogël: Për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm në 21 janar 2011 akuzohet edhe ministri i Brendshëm i Berishës në atë kohë, Lulzim Basha, aktualisht kryetar i PD-së, madje dhe vetë Berisha. Por as atëherë dhe as pas gjashtë vjetësh nuk u bë as përpjekja më e vogël për të gjetur autorët. Madje edhe tani bëhen përpjekje që ai gjyq të mos zhvillohet asnjëherë…)

***

I dashur mik, prandaj unë mendoj se ju keni të drejtë që nuk i besoni disa rrjete sociale që e akuzojnë Gramozin si “kriminel”, si përfaqësuesin e vijës së ashpër, madje staliniste në Partinë Socialiste. Duhet të kini parasysh një gjë: Të gjitha partitë që u krijuan apo u modeluan pas vitit 1990 ishin produkt i ish-Partisë së Punës. Nisur nga ky fakt, shkrimtari ynë i shquar Dritëro Agolli, ndërsa i shikonte ish-komunistët si kryetarë të partive të ndryshme që krijoheshin me shpejtësi në atë kohë, tha: “Të gjitha partitë tona kanë lindur nga mitra e përgjakur e Partisë së Punës”. Disa vazhduan të qëndrojnë në të njëjtën llogore të krahut të majtë, duke bërë një reformim të natyrshëm sa të vetes, aq dhe të partisë ku u bënë pjesë, të tjerët kaluan matanë, duke u bërë të mosbesueshëm. Gramoz Ruçi është një nga ata që nuk i ndryshoi asnjëherë bindjet e tij të majta, ndaj dhe ka mbetur për më shumë se një çerek shekulli një nga shtyllat e Partisë Socialiste. Gramoz Ruçi është mbase personazhi më emblematik i tranzicionit shqiptar.

Pse e them këtë? Sepse, më kërkove o mik të shkruaj për Gramoz Ruçin, por ai është e pamundur të shkëputet ai nga politika. Ai është politikan, një figurë publike dhe figura e tij është e lidhur pazgjidhshmërisht me politikën, me PS-në dhe me të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve. Kanë rrjedhur shumë ujëra gjatë këtyre viteve dhe kanë ndodhur kaq shumë ngjarje…

Për shkak të formimit, devotshmërisë, por edhe të karakterit të tij. Se kush e bëri këtë zgjedhje unë nuk e di. Mbase Ramiz Alia apo edhe Nexhmije Hoxha? Por kjo mendoj se ka pak rëndësi pas kaq vitesh. Kishte dhe të tjerë relativisht të rinj që ishin përzgjedhur për të vazhduar me devotshmëri kauzën e Partisë së Punës, por që me fishkëllimin e parë kaluan ylberin dhe u bënë ca “demokratë”, ca “republikanë” e ca “ballistë”… Erdhën si erdhën punët, Gramozi qëndroi aty ku ishte dhe spikati me personalitetin e tij në mbrojtjen e një kauze në një kohë që ajo ishte më sulmuara dhe lehtësisht e plagosshme nga të gjitha anët. E në atë kohë nuk të ngrinte kush në përgjegjësi, nëse nuk kishe aftësi. Gramozi i kishte këto aftësi.

Po është nursëz Gramozi, thonë disa. Është shumë i rreptë, duke u nisur nga një shikim në distancë. Përkundrazi. Jo, më thonë ata që e njohin më nga afër se unë Gramozin. Tjetrit shikoji punën e jo gunën, thotë populli. Prandaj dhe ata që e njohin nga afër e konsiderojnë atë një njeri serioz, një njëri që e mban fjalën dhe nuk ka asnjë paragjykim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, të majtë a të djathtë qofshin. E thonë këtë deputetë e ish-deputetë të PS-së, e thonë qytetarë të ndryshëm që kanë qarë hallet te Gramozi. Përndryshe, këta qytatarë nuk do ta kishin votuar për kaq shumë vite me radhë Gramozin.

Më thoshte një deputet i djathtë para ca kohësh: Do të mbarosh një punë, drejtoju Gramozit! Është burrë që e mban fjalën…

Gramoz Ruçi, pas Sali Berishës është pa dyshim politikani më jetëgjatë i Shqipërisë pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Është dhe një simbiozë e të dy regjimeve. Pavarësisht anatemimeve dhe sulmeve që i bëhen pambaramisht, fakti i mbijetesës tregon se ai është idealisti, mbase i më i përkushtuari në të majtën shqiptare, që nga koha kur Fatos Nano u zgjodh kryetar i PS-së e deri më tani që atë parti e drejton Edi Rama.

Kur shkruaj këto radhë, dua të më mirëkuptojnë lexuesit. Gramozin e çmoj në distancë si një politikan me integritet, pasi nuk bëj pjesë në atë parti dhe në as ndonjë parti tjetër.

Deputeti i PS Gramoz Ruci, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me aktin normativ te qeverise “Per sigurimet shoqerore suplementare te ushtarakeve te te gjitha kategorive”.

Gramozi përballë Saliut

Gramoz Ruçi dhe Sali Berisha janë dy politikanët më të vjetër të Kuvendit të ri. Problemi është fare i thjeshtë: Kush nga ata do ta çelë seancën e parë? I takon Saliut si më i moshur. Saliu është 73 vjeç, ndërsa Gramozi është nja shtatë vjeç më ri. Dyshoj se duke njohur karakterin dhe sjelljen e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali, ai nuk do të pranojë të drejtojë atë seancë, edhe për faktin se nuk do që t’i shtrëngojë dorën e ta urojë kryetarin e ri të Kuvendit publikisht për detyrën e lartë që do të marrë përsipër të kryejë. Këtë Berisha e ka manifestuar në të gjithë karrierën e tij dhe në të gjitha rastet, nuk ua jep dorën e nuk ua uron fitoren atyre që i zënë vendin, aq më pak një kundërshtari si Gramozi kur e sheh të bëhet Kryetar Kuvendi.

Ata kanë qenë të dy ish-komunistë, Saliu me një stazh 25 vjeçar edhe si sekretar fanatik partie, Gramozi në pesë vitet e fundit. Deri në vitin ‘90 ata të dy të vrisnin për Enverin, por më pas ata u ndodhën jo krahë për krahë, po ballë për ballë si kundërshtarë politikë. Dhe janë ndeshur e përplasur kushedi sa herë me njëri-tjetrin gjatë këtyre viteve, për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të ndryshme që ata mbanin dhe në fakt i ndanin nga njëri tjetri… Dhe ja, ky është thelbi ku ata ndryshojnë ata nga njëri-tjetri, tek karakteri krejt i ndryshëm.

Po tregoj një ngjarje të përjetuar nga shumëkush nga 25 vite më parë, në prill 1992, kur Sali Berisha zgjidhej president i vendit. Një nga kritikët më të rreptë të Saliut në atë kohë ishte pikërisht Gramozi.  Ai e pati akuzuar Berishën si revanshist dhe si një njeri që po fuste frymën e përçarjes kombëtare në popull. Në një moment replikash të ashpra me Berishën, i ishte drejtuar atij me fjalët: “Ti kërkon me çdo kusht të bëhesh president. Edhe mund të arrish të zgjidhesh ndonjë ditë, por president i Shqipërisë nuk ke për t’u bërë asnjëherë!”

Duke patur këtë ndjesi të shprehur botërisht, për të ruajtur dinjitetin e ati që do të bëhej kryetar shteti, prandaj dhe kjo ishte arsyeja që demokratët bënë një ndryshim në dispozitat kushtetuese, ku u sanksionua se zgjedhja e presidentit bëhet pa debat nga deputetët. (Një vit më parë zgjedhja e Ramiz Alisë president ishte bërë pas një diskutimi maratonë, ku u derdhën të gjitha mllefet dhe fyerjet, lëvdatat dhe meritat, vlerësimet dhe gabimet, akuzat dhe retorikat e mundshme për personin që do të merrte frenat e shtetit në duar, gjë që në fakt e zhvlerësoi atë në sytë e opinionit ende pa u ulur në kolltukun presidencial).

Për Berishën atë ditë u hapën shishet e shampanjës në sallën e parlamentit dhe pati entuziazëm të madh te simpatizantët e tij që mbushnin platenë dhe lozhën e parlamentit. Por opozita socialiste votoi totalisht kundër dhe më e rëndësishmja është se ky parashikim i Gramozit u vërtetua katëcipërisht në 1996, ‘97, ‘98, por edhe gjatë qeverisjes së dytë të Berishës, 2005-2014…

Tani, i nderuar mik i largët, të vijmë tek fitorja e 25 qershorit. Fitorja e thellë e PS-së në këto zgjedhje kërkon një analizë të thellë, pasi për të kanë ndikuar shumë faktorë. Disa konsiderojnë arritjet në mandatin e parë të Ramës, disa opozitën e dobët dhe pa vizion etj., etj. Besoj se i ke ndjekur debatet që bëhen në ekrane dhe në faqet e shtypit të shkruar. Kur vjen puna në rrafshin brenda kampit të socialistëve, kam dëgjuar të majtë e të djathtë që thonë se fitorja nuk është atribut vetëm i Ramës, por po aq edhe i Gramoz Ruçit. Ai, pra Gramozi, edhe pse ishte figura numër dy në parti, pranoi të futej në listë i 9-ti në Fier. Dhe PS në atë qark, e udhëhequr gjatë fushatës nga Gramozi, mori edhe mandatin e dhjetë.

***

Nesje, që të mos e zgjatim me këtë portret të paautorizuar, Gramoz Ruçi si Kryetar i ri i Kuvendit do të ketë një barrë shumë të rëndë përsipër dhe do të jetë në një pozicion më ndryshe nga tani: më i atakueshëm, por edhe i më i kritikueshëm se sa deri më sot. Sepse kush punoi e nuk gaboi.

Por për një gjë mbase flas me bindje: Ai nuk do ta lejojë Berishën të flasë pambaramisht dhe pa doganë siç ka bërë për vite me radhë nga foltorja e Kuvendit. Ai thjeshtë do të zbatojë rregulloren e Kuvendit dhe rregullorja nuk e lejon këtë. Mendoj se ky gjest do të përshëndetet nga qytetarët e këtij vendi, pasi ia rrit vlerat atij vendi ku shkojnë ata, burra dhe gra, që i ka zgjedhur populli t’a përfaqësojnë denjësisht. DITA