Një përgjigje për gjashtë letrat e Kryeministrit!

Nga Leon Lekaj

Ndjek me shqetësim të veçantë situatën në vendin tim dhe tik-taku i ditëve, të cilët afrojnë datën e 30 Qershorit më tingëllon në vesh për çdo çast. Asht siç më oshtijnë në vesh dhe ashtu siç rrokin gjithë vëmendjen time gjashtë letrat e një kryeministri. Dhe konstatoj jo pa keqardhje:
Kryeministri i vendit tim, nuk kërkon dialog!
Jam i sigurt që pas këtij konstatimi, të gjithë motorët e vegjël të propagandës së shefit të qeverisë do të ndizen, për të siguruar atë kompresorin e fuqishëm, të cilin ai e përdor në raste të tilla, për të shuar me lëngun e tij “magjik” kundërshtitë (edhe ato më të voglat, siç është kjo letër e dërguar prej një emigranti). Dhe pyetja do të vijë e madhërishme, komode, e fryrë dhe e mbarsur me gjithë finokërinë që kreu i ekzekutivit ka injektuar tek vasalët e vet:
Kryeministri ynë nuk kërkon dialog? Po gjashtë letrat e tija, ku ai i thotë opozitës “kur do flasim”, çfarë janë?
Për hir të etikës sime morale, nuk do të përdor atë fjalë e cila më ka zaptuar gjithë qenien këtë çast, por do të them se edhe prej së largu, letrat e “përvuajtura” të Edvin Ramës, nuk janë gjë tjetër, përveç se një lojë perverse, mbi të cilën shtrihet një mendim i shpërfytyruar, i një njeriu, të cilit pasi i ka humbur durimi, bën thirrje për një të tillë. Në fakt tek të gjashtë letrat e Edvin Ramës unë lexoj të qartë dëshirën e tij për ta shtyrë kundërshtarin e tij në luftë.
Po! Kryeministri im në letrat e tija drejtuar opozitës e fton atë në një luftë të pashmangshme, duke lënë vetëm një shteg: nënshtrimin total të opozitës, duke nënshkruar kështu bashkë me të, falimentimin e shtetit të së drejtës dhe të një sistemi pluralist. Thirrja e tij “kur do të flasim”, e përdorur dhelpërisht në protestën e studentëve, nënkupton atë që opozita duhet të ecë me gjunjë deri që të mbërrijë tek zyra e shndritshme e “liderit botëror”.
Dhe vazhdon t’i japë porosi opozitës se si ajo duhet të bëjë opozitë. Kryeministri! Që e ka marrë të qartë mesazhin e tij më të besueshëm, se sondazhi më i fundit e nxjerr atë në minorancë.
Kryeministri, i cili vazhdon të isistojë të kërkojë fajin gjithkund, mjafton që ai të mos i adresohet atij. Dhe thotë, me paturpësinë më të madhe; “…duke goditur Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe ngritur pikëpyetje të madhe tek miqtë evropianë, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian”:
Sinqerisht që nganjëherë kryeministri ynë edhe të mallëngjen. Të bën që me vrullin e një revolucionari, t’i turremi opozitës dhe ta zhdukim nga faqja e dheut, sepse të gjitha fajet, që Shqipëria është në këtë gjendja janë të sajat. Edhe pse as de jure, e as de facto, në duart e saj nuk janë më as “çelësat e kashtës”.
Në duart e tija po! Aty janë çelësat e të gjitha “arritjeve”, të gjitha “prosperiteteve” dhe të gjitha….
Pastë jetën e gjatë Lartmadhëria jonë e gjatë!
Të paktën, hera herës na bën të qeshim, edhe pse hidhur.
Sepse nuk ka gajasje më të madhe se sa “metafora” tij për anijen tjetër që po mbytet. Prej temperaturave të larta, shkaktuar nga ethet e tija për pushtet, ai nuk mbërrin të shohë ujin, që po vërshon në anijen e tij të mjerë. Ngado dhe gjithkund.
Sepse nuk mund të rrimë pa u gajasur, kur i thotë kundërshtarit të vet: “…Ju jeni i trembur! Keni frikë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe përfaqësoni një grupim që udhëhiqet nga frika e kësaj reforme qysh ditën e parë të nisjes së saj”.
A thua se dakot e gjiknurët që vodhën votat, janë në anijen tjetër “që po mbytet” dhe jo në prehrin e tij. A thua se 20 milion euro për km. i mori opozita dhe jo sejmenët e tij. A thua se korrupsionin e teatrit qe vepër e opozitës dhe jo e kanakarëve të tij. A thua se kriminelët në parlament, i futi opozita dhe jo ai. A thua se Xhafa e Tahiri nuk qenë deri dje “policia që duam”. A thua se…
E paçim zotin Kryeministër! Të paktën na bën të qeshim, në një kohë që asnjë situatë e krijuar në vendin tim, nuk është e përshtatshme për një gjë të tillë.
Ai përmend frikën e tjetrit, sepse ajo tashmë e ka pushtuar, ajo si një kulpër plot pushtet për psikologjinë e tij të lodhur dhe për nervat e tija gati në këputje, i ka bllokuar çdo ind të qenies. E si mund të pretendojmë ne, njerëzit e thjeshtë që në këtë gjendje depresioni, Kryeministri ynë të ketë logjikë?
Na bën të qeshim kur i referohet “dhunës” që ushtroka opozita ndaj institucioneve të pushtetit të tij.
Sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër, që partia e tij është ajo e dhunës, sepse është ajo që lindi “nga gryka e pushkës”, është ajo që e “fitoi me gjak” dhe “e lëshon me gjak”, pushtetin. Në se ai nuk e di, le të pyesë baba Takun, Ruçin & co.
Kryeministri i vendit tim shkruan letra! Pse të mos shkruajë, sepse mbas gjithë atyre “talenteve”, kushedi, ndoshta tani, në vitet e pushteti të tij të “lavdishëm”, zbulon edhe talentin e të shkruarit. Vetëm po i lutem atij, Laltmadhërisë së Gjatë, të mos u lodhet shumë, sepse tashmë fjalët e tija i besojnë vetëm militantët dhe administrata që mbledh nëpër “mitingjet” e ulur nëpër karrige.