Një lamtumirë e dhimbshme për piktorin, intelektualin dhe shembullin e qytetarisë shkodrane, Ndoc Gurashi

Pas 4 ditesh në gjendje koma, ndërroi jetë në Shkodër më 17 shkurt 2018 një nga personalitetet më të spikatur të traditës dhe qytetarisë, kulturës, dijes, Ndoc Gurashi. Qytetarë të shumtë e përcollën me nderime në banesën e fundit shembullin më të mirë të këtij qyteti. Ai ikën për të lënë pas një vepër dhe një emër që do të kujtohen dhe do të meritojnë respekt dhe mirënjohje sot e përgjithmonë.

Tashti pushon në atë Varrezë, shkruan në Requiemin e saj Radio Vatikani, ku mbretëron lutja e paqja, të cilën natyrisht e pati pikturuar. Duke lënë pas shtëpinë përplot me vlera artistike dhe etnografike, që meriton të shndërrohet në muze, sepse një faqe me vlerë nga historia e asaj Shkodre, që po zhduket ditë për ditë. Në ato mure mund të soditësh jo vetëm pikturat e Ndoc Gurashit, piktorit e intelektualit të mirënjohur shkodran, por edhe të babait të tij, Kolë Gurashit, këngëtar e piktor, mik i ngushtë i Kolë Idromenos, që pikturonte pak hapa më tutje. Gjithçka në këtë mjedis të kujton udhën e artit popullor e të kultivuar shkodran, që e pati njërin nga djepet pak hapa më tej, nën Kryqin e Kishës Françeskane, ku dikur ngrihej Liceu “Illiricum” e ku u përgatit Ndoc Gurashi, në një klasë me Lin Delinë e me nja dy a tre muzikantë të njohur të muzikës kombëtare. Tepër, për një klasë të vetme. Pak, për fillesat e artit, në një vend që sapo kishte dalë nga sundimi turk. Art që do t’i kishte themelet në shkollat katolike të kohës, të cilat do ta pasuronin me një mori emrash.

U përcoll dje në banesën e  fundme, në Varrezat e Rrëmajit. E fjalët e lamtumirës mbi varr, në këtë ditë zie për këtë familje, që humbi njëherësh piktorin e mirënjohur dhe bashkëshorten e tij, ia tha një piktor tjetër, i afërm i Ndoc Gurashit, artisti i ri, tashmë me famë ndërkombëtare, Adrian Paci.  Shenjë shprese e vazhdimësie!

Ndoc Gurashi  mbylli sytë në moshën 95 vjeçare. I vlerësuar me shumë çmime e tituj, me ekspozita të hapura brenda dhe jashtë vendit, ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një nga personalitetet e shquara të Shkodrës e të Shqipërisë, ashtu si edhe familja e tij. Shkodra humbi një nga artistët më të mëdhej, një Mësues, që gjithë jetën ia kushtoi artit dhe edukimit artistik të breznive të reja. Kisha, një besimtar model, që kalonte shumë kohë sa në lutje, aq edhe në bibliotekën e riorganizuar françeskane, ku vijonte të frymëzohej për vepra të reja. Pa çka se tashmë kishte jetuar gati një shekull e ishte kujtesë e gjallë e historisë së Qytetit të Veriut, që ka nisur t’i harrojë shumë nga ngjarjet, të cilat vijojnë të rijetojnë, me ngjyra të freskëta, ndër ato telajo, përskaj të të cilave bie në sy firma “Ndoc Gurashi”.

Kryen gjimnazin franceskan “Illiricum”

Ne vitin 1957 merr pjese ne ekspoziten e pare lokale te piktures

Ne vitin 1964 diplomohet per pikture ne Tirane.

Ne vitin 1973 eshte anetar i Lidhjes se Shkrimatreve dhe Artisteve te Shqiperise`´

Ne vitin 1993 hap ekspozite vetjake ne Bari , Itali

Ka nje koleksion me mbi 150 punime

Vleresimet

Ne vitin 1962 dhe 1970 dekorohet me “Medalja e Punes” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor

Ne vitin 1976 Kuvendi Popullor i jep titullin “Mjeshter i shquar ne profesion”

Ne vitin 1978 merr cmimin e dyte ne ne nje ekspozite kombetare me punimin “Nje marshim i veshtire”

Ne vitin 1983 Kuvendi Popullor e dekoron me urdherin “Naim Frasheri” i klasit te dyte”

Ne vitin 1985 Presidiumi i Kuvendit Popullot i akordon medaljen “Per sherbime te shquara shoqerore dhe shteterore”

Ne 2005 Keshilli Bashkiak i Shkodres i jep titullin “Mirenjohja e Qytetit”