“Një kafe e vogël me lahutarin e madh, Jonuz Delaj”

Nga  Ndue  BACAJ

Në vend të hyrjes
Titulli  “një kafe me Jonuz  Delajn”, mu dukt se i shkon  per-shtat  këtij portreti  kushtuar  lahutarit   dhe kantautorit të  njohur të Kelmendit , Malësisë Madhe e më gjërë , pasi  portreti  është  i vogël (sa një kafe) , në krahasim  me portretin e madh  që  ka  krijuar  me vepren e tij mbi gjysemshekullore  “kreshniku”  i lahutes Jonuz  Delaj.  Vetëm  interpertimi me lahutë i këngëve të kreshnikeve  nga  Jonuz  Delaj më bënë të mendoj se kengët e kreshnikeve , ndonse linden shekuj para Jonuzit, ato  më duken sikur u krijuan  enkas per t’u  kenduar  nga ky lahutar  i Kelmendit , djepit  të kreshnikëve.
Jetshkrim i vogël per lahutarin e madh
Jonuz  Delaj lindi në vitin 1950 , në Nikç të Kelmendit , në njërin  prej  bajraqeve  më të permendura per trimeri , urti e atdhetari  të kesaj treve nga më famozet e Shqiperisë Etnike.. Jonuzi lindi në një familje patriotike , që trojeve shqiptare u dualen zot ndër mote e shekuj me pushkë , por edhe me këngë të shoqeruar me veglen e traditës , lahutën , me të cilen ata  ju kenduan trimave e trimëreshave  , ju kenduan virtyteve e vlerave të mrekullueshme ketyre trojeve, dhe njëkohesisht me këngë e lahutë  u percollë  nga njeri brez në tjetrin historia, frymzimi e lavdia  ndër shekuj…Jonuz Delaj u rritë  së pari në shkollen epike të “votres”, shkollën që e kishte çdo shtepi fisnike e Kelmendit e Malesisë Madhe, që siç shkruante i madhi at  Gjergj  Fishta: “Kjo ishte  metoda më e aftë per tja dalë qellimit edukativ  ishte ajo e maleve tona, ku shkollë e kateder ishte asohere votra mikpritëse , ku mësues ishte tata, edukatore lokja fisnikeshë ,liber kanuni e rapsoditë, kalem lahuta e çiftelia, bibliotekë kallzimet e pleqëve  ,disiplinë respekti  ndaj të vjetërve, e nderimi ndaj gruas e motres… Në shtepin e të parëve të Jonuz  Delajt pranë pushkes gjithmon ishte e varur lahuta . Lahuta mesohej  e trashigohej brez pas brezi siç  mësohej pushka per tu dalur zot trojeve  shqiptare . Si edhe mban mend lahutari Jonuz Delaj lahuta  që ka prekur me dorë që femijë ishte lahuta  e  trashigueme prej gjyshit tek  babai i Jonuzit , ishte një lahutë që kur nuk kishte zënë qaxhë (tym nga zjarmi i shtepisë) ,pasi i kishin ra  e kënduar  si gjyshi dhe babai i Jonuzit.  Lahuten në dorë  Jonuzi e kishte marrur që  i vogël , madje në moshen 7 vjeçare  ai merr pjesë në një organizim që bëhet në Kelmend  , me  qellim zbulimin e talenteve të vegjël.  Në atë kohë komisioni i vlersimit të talenteve , Januzin e vogël e vlerson  si lahutarin  më të mirë. E themi lahutarin , pasi në organizimin e zbulimit të talenteve të vegjël (të reja)  konkuronin edhe  talente të veglave të tjera popullore ,  si fyelli , zymarja  , çiftelia e deri  te kënga maja-krahut.  Jonuzi edhe sot  e kujton  atë kohë  kur mori  me  i ra lahutes në moshen  7 vjeç dhe më e madhe ishte lahuta se  lahutari…  Pas ketij evenimenti Jonuzi i vogel thirrej shpesh  që  t’i  binte e kendonte  lahutes në odat malësore  gjatë  mbasditeve dhe neteve , kur burrat mblidheshin në shtepiat  e njeri-tjetrit ,per zafete , kuvende , lojra e tjer , ndersa  Jonuzi i vogel kendonte me lahutë  kryesisht këngët e eposit të kreshnikëve.  Keshtu vitet rrodhen e zani mori dhenë , se në Nikç të Kelmendit është një djal që i bie e i këndon mrekullisht lahutës. Jonuzi edhe në ato vite të një fëmijrie të veshtirë si per gjithë moshataret e tij , lahuten nuk hoqi doret , ai duke u rritur  vijonte të merrte  pjese në të gjitha aktivitete e kohes që zhvilloheshin në Kelmend , madje ai shpesh thirrej per të kenduar me lahutë , në dasma e gezime familjare dhe festa fetare. Ai kendoi në logun e bjeshkeve  e logjet e tjera  të  kohës , si dhe me rastin e festave fetare si Shna Prendja e Shna Rroku  e tjer.  Kudo ku kendoi Jonuzi  jehoi zeri i tij , shkelqyen tingujt e ëmbël  të lahutes , aq sa  me keto interpertime  u dukej pjesmarresve se janë gjallë e po jetojnë kohen e kreshnikëve , që djepin e kanë pasur në trojet e Kelmendit.. Jonuz Delaj gjatë ketyre viteve do të  perfundonte me rezultate shumë të mira edhe  shkollen 7 vjeçare të kohës në vendin e tij.  Në vitin 1966 Jonuz Delaj kujton se ka ecur në këmbë  nga Nikçi i  Kelmendit per në Reç (të Malesisë Madhe) ,ku me rastin e perkujtimit të luftës antifashiste të kesaj krahine zhvilloeshin  edhe aktivitete kulturore  ,  me kengëtarë , instrumentist e valltarë . Me ketë rastë perzgjidheshin  më të miret per tu aktivizuar në aktivitete të tjera lokale e kombetare. Mbas vitit 1967 që u hap rruga e makines  per në Kelmend  filloi një erë e re  edhe per lahutarin e ri Jonuz  Delaj. Muzikantet e njohur të Shkodres  si Tonin  Daija  , Gjon Kapedani , Pjeter Gaci , Çesk  Zadeja  e mbi të gjitha  studiuesi e njohesi i shkelqyer i folklorit  Ramadan Sokoli , kanë mbetur të pashlyer në mendjen e Jonuzit , pasi siç  kujton  ai ata e kanë ndihmuar  në  aktivitetin e tij aq shumë sa i kanë afruar rrugen  per të “shkuar” më lartë , në kryeqytetin e Shqiperisë –Tiranë , deri në asamblin (shtetror) të  këngëve e valleve… Jonuzi   Delaj do të merrte  pjesë per herë të parë në festivalin e dytë folklorik kombetar në vitin 1968 , e pastaj do të vijonte të merrte pjesë me sukses në të gjitha festivalet folklorike  kombëtare të zhvilluara deri sot ,here pjesë e grupeve të Shkodres e herë e grupeve të Malesisë  Madhe . Në vitin 1971 lahutari  Jonuz  Delaj  do të caktohej  të shkonte në  festivalin  ballkanik  të folklorit  që do të zhvillohej në  Ohër (Maqedoni).  Me ketë rast  radiot e asaje kohe do të transmetonin  kenget e ketij lahutari.  Enkas per  ketë festival  Jonuzi  kishte krijuar kengën që do ta kendonte vetë me lahutë dhe i kushtohej një heroine shqiptare të shekullit 17-të  , në luften kunder pushtuesve turq , Norës së Kelmendit. Duke biseduar per ato kohë Jonuzi më kerkoi që tja publikoj katër vargje të kesaj kenge që e ka krijuar e kenduar që para 46 viteve:
“Në  maje  t’bjeshkëve  të Kelmendit
Mblidhen burrat   n’log  të kuvendit
Ndër ta  ishin edhe burrnesha
Nore  trime  sokolesha …”
Pas kesaj pjesmarrje të parë dhe të sukseshme  jashtë kufijeve të Shqiperisë , Jonuz Delajt ju hap disi rruga per të marrë pjesë në festivale  rajonale  apo në organizime të tjera , kryesisht  në trojet shqiptare të mbetura jashtë kufijeve politik të vitit 1913 të republikes të Shqiperisë e tjer.   Në vitin 1973  Jonuz  Delaj  perseri do të ishte pjesmarres  në festivalin e Ohrit  , si dhe në organizime të tjera  folklorike e muzikore në Mal të Zi. Më ka mbetur në mendje tregon  Jonuzi  kenga “Lahutari i Bjeshkëve” të cilen e krijova enkas kur dhashë koncerte në vitin 1978  në trojet shqiptare nën Malin e Zi. Por viti më i  pa shlyer per Jonuz  Delajn ka mbetur viti 1980  , kur  me  rapsodin dhe kanautorin e e njohur  Sali  Mani do të shkonin  në perberje të grupit  të  Radio-Shkodres  dhe do të  jepnin disa koncerte në trojet shqiptare të Kosovës kreshnike.. Jonuzit i kujtohet se  Sali Mani kishte pergatitur një këngë të mrekullueshme per Hasan  Prishtinen , por kjo kengë nuk u lejua të kendohet , ndaj thotë Jonuzi unë kam qendruar tërë naten  bashkë me Sali Manin  per të krijuar  një kengë tjeter që do ta kendonte  në të nesermen . Kënga kishte titullin domethenës “ Mirse të  gjejë  Kosova  trime”.  Per çudi kjo këngë u lejua të kendohet nga kengetari Sali Mani . Kenga siç dihet u bë hit në tërë Kosoven , në trojet e tjera shqiptare  e kudo në Botë ku jetonin shqiptar…Vlenë të theksohet se ndonse pushteti komunist censuronte rreptë artin e kulturen në Shqiperi , kur na nxjerrnin jasht shtetit (per aresye politike në arenen nderkombetare ) dukej se na toleronin disi në kenget e vallat tona . Jonuz Delaj ndër mote ka qenë edhe një adhurues i hershem  i patriotit  e poetit kombetar  At Gjergj Fishta , ndonse ky gjeni ishte  i  ndaluar nga regjimi komunist . Jonuzi që në atë kohë  i  kishte kushtuar  Fishtes  një këngë kuptimplotë (per kohen) , që Jonuzi  thotë se e kendonte  me zë të ulët , vetem per vehte. Disa nga keto vargje edhe me deshiren e Jonuzit  menduam ti  citojmë :
“Ti me  më falë lahuta  shqiptare
Ti me  më falë o Fishta ynë gjeni
Kengët e tua  kurr  nuk  mund  t’i  këndova
Se vinte  “deti” , besa “hova –hova”
Edhe pse muza e ime  ishte e gjanë…”
Në vitin 1991  Jonuz Delaj merr pjesë në festivalin  folklorik Europian që u zhvillua në Ankara të Turqisë , ku pati mjaftë sukses. Në vitin 1995  grupi folklorik i Malesisë Madhe  do të  ishte fitues i festivalit folklorik kombetar që u zhvillua në qytetin e Beratit , dhe si i  tillë më pas do të perfaqesonte Shqiperinë me mjaftë sukses në një  festival nderkombetar në Francë.  Jonuz  Delaj do të ishte një ndër perfaqesuesit më dinjitoz  e të vlersuar të grupit folklorik të Malesisë e Shqiperisë. Vlenë të theksohet se Jonuz Delaj ishte pjesmarrës edhe në të gjitha aktivitetet kulturore lokale e më gjërë , si dhe ishte një punonjës  i palodhur dhe i dalluar  në punen e tij , aty ku punonte , e veçanarisht në ato veprat e kohës…
Jonuz  Delaj si një patriot që e don pa hile vendin e vet , e kishte perjetuar me dhimbje të madhe vitin e mbrapshtë 1997 në Shqiperi . Ketij viti i kishte kushtuar  një kengë me titullin domethënës  : “Një andërr me Pashko Vasen”, kengë që sipas deshires të lahutarit Jonuz  Delaj po e citoj:
“Një anderr me Pashko Vasen”
“Në krisma të plumbave  në gjumë sa rashë
Pashko Vasen në anderr e pashë
Erdhi si hije e ngadalë më thotë
Burrat kombi ku i ka sot ?
Zot ça asht per ty Shqipni
A prapë mbeta me krye në hi
Po Zot ç’ka lahuta e mjerë
Që  në atë gozhdë paska mbetë vjerrë
A thua  s’din  kerkush me i  ra
Që  në gjakë e në lotë kenka la
Pashko Vasa o atdhetar
Besa besë jam  lahutar
Por më ka mbetë e shkreta varë
Se ditë per ditë mja bajnë ka i varrë
Baj me knua  ,s’punon ma zani
N’gjakë  lahuta e  n’gjakë vatani.”.
Ndersa në vitin 1999 Jonuzi  do të merrte pjesë në festivalin  tregues të vlerave folkorike , së bashku me grupin Çam. Festivali ishte organizuar nga  Universiteti  i  Bolonjes (Itali), ku edhe u zhvillua ky festival.  Në vitin 2000 Shoqata Ndërkombetare  “Bienale  di  Venezia” , do të organizonte  festivalin  folklorik dhe etnografik . Jonuzi në ketë festival perveçse ka interpertuar  kengë me lahutë nga  Eposi i Kreshnikëve , plus lirika (rreth 20 minuta) , ai  edhe ka folur per vlerat e lahutës  dhe ndertimin e saj si instrument popullor  shumë i hershem.  Mbasi festivali zhvillohej në Venezia , Jonuz  Delaj do të kendonte edhe një këngë lirike që kendohej që heret në Shkoder e Malësi dhe  i kushtohej kohës të Venedikut. Disa nga keto vargje po i kujtojmë si më poshtë :
“Na vinë barkat me bajama
Me bajama  venedikut
Me ja plasë zemrën  ashikut
Ashik  kjosh , ashik mos kjosh
Në maje t’bjeshkëve  ti  dimnosh…”
Kjo kengë (veç të tjerave) u duartrokitë gjatë nga të pranishmit…
Disa nga vlersimet  e punës dhe vepres të  Jonuz  Delajt
Per aktivitetin e tij si lahutar e kantautor (folkloric) z. Jonuz  Delaj  është vlersuar me medalje , çrtifikata , diploma,  tituj  , çmime fituese etjer , disa nga të cilat mendova ti rendis si vijon:
1.Medalja “Naim  Frashëri”,- nga presediumi i kuvendit popullor.. (1979).
2.Medalja  e  Punës , – nga presediumi i kuvendit popullor (1985).
3.Çmimi  i parë (si grup folklorik i rrethit  të Malësisë  Madhe) në vitin 1995 në Berat.
4.Fitues  i çmimit  “Lahutari më i mirë” , Lezhë 2003.
5.Çertifikatë mirnjohje  per kontributi e shquar në rapsodinë  shqiptare.(dhënë nga qendra kombetare  e veprimtarise folklorike-Tiranë).
6.Çertifikatë pjesmarrje në festivalin e katërt folklorik kombetar  , të rapsodëve dhe instrumentisteve popullor –Lezhë 2005.
7.Diplomë e instrumentistit popullor , fitues i çmimit “Lahutari më i mirë” ,Lezhë 2005.
8.Çertifikatë pjesmarrje në festivalin folklorik kombetar , Gjirokaster 2009.
9.Çertifikatë mirnjohje , Tuz -2009.
10.Diplomë e vendit dytë  në festivalin folklorik tipologjik kombetar të rapsodëve  e instrumentisteve popullor , Lezhë -2010.
11. Titulli “Qytetar  Nderi “ i Bashkisë Koplik.
12.Çertifikatë nga komuna Klinë (Kosovë) si interpertuesi më i mirë (2014).
13.Çertifikatë mirnjohje nga komuna Klinë , qershor 2014.
14.Çertifikatë pjesmarrje në festivalin folklorik kombetar të rapsodëve dhe instrumentisteve , organizuar nga Ministria e Kultures ,Qendra kombetare e veprimtarive folklorike , Bashkia Lezhë.
15.Tutulli  “Lahutari i Malësisë” , dhënë nga revista “Fjala” -2014.
16.Mirnjohje nga Muzeu Etnografik i Malësisë , Lekaj-Tuz -2016.
17.Çmimi i  mirnjohjes nga Shoqata artistike “Buna 2” dt.25 janar 2017  e tjera të cilat besoj se do t’i  plotesojnë fotot e ketyre vlersimeve që “shoqerojnë” ketë portret.
Jonuz  Delaj është jo vetem një lahutar  i  mrekullueshem , por edhe një krijues tekstesh të kengeve që shumicen i ka kenduar vetë , ku  disa nga keto këngë janë edhe poezi të mirfillta të krijuara e “lmuara” si një poet i vertet.
Në vend të  një epilogu
Per të gjithë ketë aktivitet  të sukseshëm në fushen e folklorit , z. Jonuz  Delaj falnderon edhe  fatin  e madh që ka lindur e rritur  në një trevë si Kelmendi ku folklori në pergjithsi e lahuta në veçantin kanë pasur e kanë djepin e tyre të pa-mort ndër shekuj.  Në Kelmend çdo shtepi ka pasur lahutë  dhe shumë kelmendas janë të njohur si lahutar të mrekullueshem , madje ketu  edhe femrat i bien e kendojnë lahutës . Prandaj thotë Jonuzi  disave  prej tyre nuk po mundem  pa jua  permendë  emrat si :  Ndue  Biboçi ,  Prenash  Zefi  , Gjeto  Gjon  Vuktilaj  , Martin  Lleshi  , Prekë  Gjon  Luca  ,  Dedë  Pati  (i cili dinte  thuajse gjithë ciklin  e këngëve të eposit të kreshnikëve) ,  Pretash  Nila  ,  Nikollë  Loshi  ,  Zef  Prekë  Mirashi  e  deri te lahutarja  e re Vera  Qosja  e tjer  e tjer  , që ndonse per momentin   nuk po mundem  tju a kujtoj të gjithve emrat  ,  emrat e tyre janë të skalitur në perjetsi në trojet e Kelmendit , djepit të kreshnikëve dhe lahutarëve që  kenduan , këndojnë e do të  këndojnë sa të jenë jeta…  Jonuz  Delaj është  një nga ata që linden e rriten trojet e Kelmendit , dhe njëkohësisht edhe një nga lahutarët më të medhenjë të të gjitha kohrave  në Kelmend , Malësi të  Madhe dhe në të gjitha trojet shqiptare  të “Lahutës”…