Një grup prej 55 deputetësh socialistë i kërkuan sot parlamentit të shkarkojë Presidentin e Republikës, Ilir Meta

Një grup prej 55 deputetësh socialistë i kërkuan sot parlamentit të shkarkojë Presidentin e Republikës, Ilir Meta, për shkak të anullimit prej tij të zgjedhjeve vendore.

Ata deklaruan se ky akt i presidentit është në kundërshtim të hapur me parimet e një republike parlamentare, të funksioneve të postit të tij dhe me ushtrimin e sovranitetit nga populli.

“Zoti Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë me pëlqimin tonë. Ne, socialistët, nuk i përkasim kulturës politike të arbitraritetit dhe dhunimit të ligjit dhe do të ndjekim rigorozisht procedurën e parashikuar në rastin e shkarkimit Presidentit” – tha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Deputetët socialistë shtuan se presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve dhe mbi bazën e atij dekreti nisën një seri përgatitjesh të procesit zgjedhor, të cilat ai nuk mund t’i prapsojë më. Ata cituan disa nene të Kushtetutës të cënuara nga presidenti.

“Anulimi i 30 qershorit si datë e zgjedhjeve vendore dhe më e rëndë akoma, moscaktimi i një date tjetër për mbajtjen e tyre, mohon në thelb të drejtën e sovranit për të qenë i tillë” – shënojnë deputetët në kërkesën e tyre drejtuar parlamentit.

Ata shtuan se me aktin e anulimit të zgjedhjeve vendore, Presidenti praktikisht është duke u sjellë në pozitën e një pushteti absolut që vepron përtej kompetencave të tij të dhëna nga vetë sovrani nëpërmjet Kushtetutës.

“Presidenti Meta ka sulmuar Kuvendin me një gjuhë të padenjë dhe të papranueshme. Kuvendi nuk intimidohet nga askush, por zoti Meta e ka ulur nivelin e presidencës së tij nën kufirin minimal të etikës shtetërore, sa herë hap gojën” – tha zoti Balla.

Deputetët citojnë në kërkesën drejtuar parlamentit edhe shkeljen e parimit të periodicitetit të zgjedhjeve si dhe të zgjatjes së mandateve së institucioneve të zgjedhura.

Kërkesa e tyre bazohet në nenin 90 të Kushtetutës, ku thuhet se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”.

Propozimi për shkarkim duhet bërë nga një e katërta e deputetëve dhe duhet të mbështetet nga dy të tretat e Kuvendit. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra, saktëson Kushtetuta.

Ndërsa në nenin 112 të rregullores së Kuvendit thuhet se kërkesa për shkarkimin e presidentit diskutohet në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe ky mund të propozojë ngritjen e një komisioni hetimor, i cili mund të dëgjojë edhe presidentin me argumentat e mbrojtjes së tij.

Pas kësaj, rregullorja parashikon një raport nga ana komisionit hetimor, një seancë plenare, ku sërish mund të dëgjohet presidenti me argumentat e tij mbrojtëse. Më pas kërkesa për shkarkimin e tij mund të hidhet në votim, ku për t’u miratuar duhet të marrë së paku 2/3 e votave të gjithë deputetëve, dhe vendimi i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila ka fjalën e fundit për këtë nismë.

VOA