NIKOLLË IVANAJ, PERSONALITET I SHQUAR I SHTETIT DHE PAVARËSISË SHQIPTARE

GJEKË GJONAJ

Pashtriku.org, 15. 10. 2014: Asnjëherë nuk është e lehtë të shkruash për personalitete të shquara të shtetit dhe pavarësisë shqiptare, mbase të gjithë veprimtarinë e vet jetësore e vunë në shërbim të lëvizjes kombëtare shqiptare. Arma kryesore për këta burra të mëdhenj të Shqipërisë në mesin e të cilëve zë vend edhe trieshjani (bashkëvendasi im) Nikollë Ivanaj (1879- 1951) ishte lapsi , ishin dijet, formimi arsimor për liri, demokraci dhe përparim shoqëror. E veçanta e Nikollë Ivanajt, bashkë me elitën e burrave famëmëdhenjë shqiptarë, është se ai kurrë nuk mbajti “pushkën për krahu” as “vezme dhe gjerdanin e fishekëve” ngjeshur brezit. Por i edukuar në një familje atdhetare siç ishte ajo Ivanaj nga Bëkajt e Trieshit, e cila rriti , edukoi dhe arsimoi Mirash Ivanaj – Ministër i Arsimit të Shqipërisë (1932-1935) dhe në një mjedis të zjarrtë për fe e atdhe, siç ishte Trieshi, ai mori gjithçka dhe si intelektual i mirëfilltë me një kulturë të gjerë dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja hyri me vetëdije të plotë në rrjedhën e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare.

Luftëtar i planeve antishqiptare të Konferencës së Paqes në Paris

Veprimtaria e Nikollë Ivanajt me gojë ose me shkrim për përhapjen dhe ngulitjen e idesë së ruejtes dhe mbrojtjes së shtetit dhe pavarësisë së Shqipërisë në masat e gjëra popullore dhe diplomacitë e huaja është e një dimensioni të pakrahasueshëm. Mirëpo në këtë shkrim modest dëshiroj që përmes burimeve arkivore sllave (Ndërmarrja publike Fleta zyrtare e RSJ, Arkivi i Jugosllavisë dhe Instituti ushtarako-historik) të paraqes (kujtoj ) opinionit copëza të preokupimeve të Nikollë Ivanajt për sensibilizimin e çështjes shqiptare në rrethet ndërkombëtare në vitin 1920 në kohën e mbajtjes së Konferencës së Paqës në Paris, e cila, sikundër dihet, nuk u mor drejt përsë drejti me çështjen shqiptare dhe për rrjedhojë në vend që të plotësonte kërkesat e drejta të popullit shqiptar e komplikoi edhe më tej situatën.

 

Mirash Ivanaj (1891–1953)

 

Nikollë Ivanaj si kryetar i Klubit “Lidhja Kombëtare“ e Shqipërisë dhe delegat i Partisë politike shqiptaro-amerikane pranë Konferencës së Paqes në Paris ishte nga më aktivët e brezit të vet, ndër më të vendosurit dhe njëri nga vizionarët më të dalluar në mbrojtje të të sovarnitetit dhe ardhëmërisë së Shqipërisë.

Ky atdhetar me ndërgjegje të lartë qytetare politike, demokrat i shquar dhe udhëheqës politik ngriti zërin me forcë kundër vendimeve të padrejta që u morën në Konferencën e Paqës në Paris në kurrizë të Shqipërisë, organizuar nga fuqitë e mëdha fituese që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore, për t’u diktuar vendeve të mundura kushtet e paqes dhe rindarjen e kolonive si dhe sferave të ndikimit, në të cilën rolin kryesor e luajtën SHBA, Anglia, Franca Italia dhe Japonia. Në vijim po japim vetëm disa shkresa (dokumente) në disponim, të cilat dëshmojnë dhe dokumentojnë përpjekjet dhe angazhimin e fuqishëm të Nikollë Ivanajt në mbrojtje të Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran.

Apel Nikolla Pashiqit

Në dokumentin arkivor jugosllav, 336-28-IV-VII/12-5829 figuron se Nikollë Ivanaj, kryetar i Klubit “Lidhja Kombëtare” e Shqipërisë dhe delegati i Partisë politike shqiptaro-amerikane pranë Konferencës së Paqes në Pariq, një ditë pas fillimit të saj, më 19 janar 1919 përmes një shkrese (përkujtesë) kërkon nga Nikolla Pashiq, kryetarin e Delegacionit të Qeverisë Mbretërore Serbe që të angazhohet në shpëtimin e pavarësisë së Shqipërisë .

– Duke e patur deri më tani Mbretërinë Serbe, Kroate dhe Sllovene, si mik dhe mbrojtës tonin në luftë për pavarësi, populli shqiptar dëshiron që të mos lihet në përpkrahje ose papërkrahje të imperialistëve të rinj, të cilët vijnë nga ana tjetër e Adriatikut në Ballkan. Lëshimet që i jepen Mbretërisë Serbe , Kroate, Sllovene me kufi deri në Drin , mund të jenë fatal për unitetin tonë kombëtar, sespe zonat më të pasura dhe më të banuara të Shqipërisë së Mesme , mbeten në këtë mënyrë nën dominimin e Italisë. Nëse Delegacioni i Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene nuk mund të ruaj integritetin e shtetit shqiptar në kufinjt nga viti 1913, unë jam i lirë të apeloj tek Ju z. Kryetar, që kufirin e propozuar të mundoheni ta shtyni sa më larg në jug për këto arsye:

1. Sepse ne shqiptarët nuk kemi besim në Italinë zyrtare, gjegjësisht në krijimin dhe ekzistimin e pavarësisë së Shqipërisë, si në vështrimin politik dhe ekonomik, sepse ajo, ka për qëllim që gjatë mandatit të italianizojë shtetin tonë dhe kështu më vonë ta aneksojë;

2. Sepse Italia as me Traktatin e Londrës 1915 nuk ka të drejtë në pjesën e epërme të Shqipërisë:

3. Sepse fiset e Mirëditës, Matit dhe Malësisë nuk mund të mbijetojnë ekonomikisht, nëse ndahen nga qyteti i Shkodrës me rrethinë – çka tregon qartë edhe një shikim fluturimthi në hartën gjeografike-ne kërkojmë: që kufiri i përkohshëm të caktohet dhe të tërhiqet së paku për atë vijë, e cila është e paraparë për Serbi dhe Mal të Zi si eventuale me Traktatin e Londrës , 1915.”

Dy kërkesat e Ivanajt mikut të tij Krosto Dakos 

Nuk po zgjatem në portretin e Krosto Dakos, por nuk mund të mos theksoj pohimet e njohësve të mirë të veprimtarisë së tij atdhetare se emri i tij ishte ndër më të dalluarit në mjedisin e emigracionit shqiptar në Amerikë. Kjo mendoj unë ishte arsyeja kryesore që Nikollë Ivanajn e nxitën t’i drejtohet edhe zyrtarisht mikut të tij Krosto Dakos për shpëtimin e shtetit dhe pavarësisë shqiptare, nga rreziku i copëtimit të saj në ato vite.

Ivanaj: Populli shqiptar do të derdhë pikën e fundit të gjakut për ruajtjen e shtetit dhe pavarësisë shqiptare

Në shkresën e parë që Ivanaj i dërgon Kristo Dakos, president i Partisë politike shqiptare në Boston thuhet: “Njoftoni kompetentët se çështja e pavarësisë se Shqipërisë është çështje e ekzistimit të popullit shqiptar. Me asnjë parim dhe me asnjë të drejtë nuk mund të arsyetohet shfuqizimi i pavarësisë së shtetit shqiptar, e cila ka ekzistuar ndërkombetarisht nga viti 1913. Aneksimi i Vlorës dhe ndarja e Gjirokastrës dhe Korçës e vrasin” eksistencën shtetërore dhe nacionale të Shqipërisë. Populli shqiptar nuk do të lejojë ta komnadoj as Italia as Greqia, dhe as cilido mandat tjetër kushdo qoftë. Italia nuk ka vend në Vlorë, e cila është porti i vetëm shqiptar. Hyrja e saj (Italisë – shënimi im) në Ballkan, qoftë nëpërmjet Vlorës , qoftë nëpërmjet mandatit në Shqipëri mundet vetëm të nxisë ngatërresa te reja ndërkombëtare. Shqipëria nuk është e rrezikuar në veri nga Jugosllavia, e cila kërkon pavaresinë e saj, por nga Italia dhe Greqia të cilat veprojnë për ndarjen e saj. Duke u thirrur në të drejtat e mia të njeriut dhe në principe, të cilat përfshihen në 14 pika të presidentit Wilson, populli shqiptar do të derdhë edhe pikën e fundit të gjakut për ndalimin e kërkesave zaptuese të Italisë dhe Greqisë dhe për ruajtjen e shtetit të formuar dhe pavarësinë kombëtare”. (AJ, 336-28-IV-VII/12- 5829). Shkresa me firmën e Nikollë Ivanajt është cituare plotë dhe ka të shënuar datën Paris, 10 mars 1920.

Pas tri javësh, saktësisht më 2 prill 1920 Ivanaj përsëri i drejtohet Kristo Dakos me një shkresë të shkurtër me këtë përmbajtje domethënëse: ,,Bindeni koloninë tonë, që populli shqiptar nuk mund të presë kurrfarë të mirash nga Italia, derisa ajo të heqë dorë nga qëllimet e saj okupuese në Ballkan. Ajo duhet të ndjek shembullin e Jugosllavise dhe t’i njohë Shqipërisë pavarësinë e plotë politike dhe territoriale”. (AJ, 336-28-V-VII/ 12-6031)

Ndikimi i presidentit amerikan Thomas Woodrov Wilson

I shqetësuar për fatin e ardhshëm të Shqipërisë Ivanaj nga Parisi, më 2 prill 1920 i drejtohet presidentit amerikan Thomas Woordov Wilson (1913-1921) me shkresë, siç vijon: ,,Në kohën kur Konferenca e Paqes përfundon punimet e saj, unë apeloj në presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të mirë të popullit shqiptar, përfaqësues i të cilit jam, duke e lutur , që të largojë ( shmang) nga shteti ynë të gjitha qëllimet (projektet), që shkojnë në dëm të integritetit të tij politk dhe shtetëror. Marrëveshjet e fshehta kundërshtojnë pavarësine tonë popullore të cilën Shqipëria e ka arritur ndërkombëtarisht në vitin 1913. Madje edhe vet memorandumi nga data 9 dhjetor e asgjëson pavarësinë e shqiptarëve, sepse e shkëputë territorin shqiptar duke ia dhene Italisë dhe Greqisë. As shqiptarët nuk mund t’ia lëshojnë shtetin e vet kërkesave imperialiste të Italisë dhe Greqisë dhe as nuk mund të pranojnë që në Ballkan të instalohet një fuqi e huaj. Ne e lusim presidentin, të veprojë ndaj Italisë, në mënyrë që ajo, duke ndjekur shembullin e Jugosllavisë, të pranojë parimin e pavarësisë së plotë të Shqipërisë, në formën politke dhe territoriale, ku edhe qëndron kushti i zhvilimit tonë të qetë dhe i qetësisë ne jug të Europës”. Me këto argumente Nikollë Ivanaj kërkoi të influenconte sadopak në mendimin e presidentit amerikan Wilson, i cili në atë kohë konsiderohej si prijsi më i popullarizuar i botës.

Çfarë deklaruan Nikollë Ivanaj dhe Panteli Vangjeli?

Përfaqësuesi i Seksionit malazez D.S. Gjukiq , më 8 prill 1920 përmes një shkrese zyrtare njofton kryetarin e Delegacionit të Serbëve, Kroatëve, Sllovenëve, kryetarin e Delegacionit si edhe zotëri dr.Milenko Vesniq në Paris me deklarimet e krerëve shqiptarë Panteli Evangjelit dhe Nikollë Ivanajt në zyrën e Seksionit malazez.

“Delegacionit të këtushëm shqiptar u kanë ardhur zëra për incidentin me delegatin tonë në Shkodër. Sipas versionit, i cili ka mbërrijtë deri tek ato qarqe shqiptare, pushteti vendor shqiptar në Shkodër e ka lutur zotëri Nershiq,përfaqësues i Qeverisë Mbretërore të lëshojë qytetin, duke theksuar si “arsye” se “Mbretëria Serbe Kroate, Sllovene të jetë në Shkodër e përfaqësuar me një përfaqësues të rregullt diplomatik”. Me këtë rast sot kanë ardhur në mesditë në zyrën e Seksionit malazez krerët shqiptar Panteli Evangjeli dhe Nikollë Ivanaj dhe deklaruan në emër të delegacionit shqiptar:

1. Se u vjen shumë keq për këtë rast i cili ka ndodhur në Shkodër.

2. Se plotësisht nuk solidarizohen me këtë akt (veprim).

3. Se i kanë dërguar Ahmej Beut, Minsitrit të Punëve të Brendshme protestën më të ashpër dhe kanë kërkuar nga ai t’i japë satifaksionin e plotë Qeverisë Mbretërore .

4. Se ata dhe i gjithë populli shqiptar i mbesin besnik shtetit tonë, i cili i vetmi mund të realizojë pavarësinë e Shqipërisë dhe përmes së cilës duhet të orijentohet ardhmëria e popullit të tyre”, thuhet në shkresë e cila mban firmën e D.S. Gjukiq, përfaqësues i Seksionit malazez. (AJ, 336 – 28 -V -VII/12- 6070)

Ivanaj kërkon nga Qeveria e Beogradit të mos lejojë hyrjen e Esad Pashës në Shqipëri

Përfaqësuesi i Seksionit malazez D.S.Gjukiq, më 15 prill 1920 e njofton kryetarin e Delegacionit të Serbëve, Kroatëve, Sllovenëve në Paris me diskutimet e zhvilluara në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë të delegatëve shqiptarë, në të cilën ishte i pranishëm edhe Nikollë Ivanaj. Zotëri Kryetar mbrëmë rreth orës 7 ka ardhur në zyrën e Seksionit malazez z. Nikollë Ivanaj dhe, sipas gjasave më deklaroi:

1. Se i gjithë delegacioni shqiptar është shumë i hutuar me lajmet, të cilat janë publikuar kohën e fundit në shtypin iatlian mbi mospajtimet (mosmarrëveshjet) në delagcionin tonë me rastin e çështjes shqiptare.

2. Se edhe vet opinioni jugosllav i ka pranuar këto lajme dhe u ka dhënë besueshmnërinë , siç shihet në artikujt e jokahershëm.

3. Se krahas kësaj ka ardhur deri te manifesti në Podgoricë, me të cilin kërkohet Shkodra për Mal të Zi e deklarata të tjera të ngjashme edhe nga qarqet më të larta.

Të gjitha këto dukuri kanë shkaktuar në delegacionin shqiptar frikë se në politkën tonë të jashtmne ka ardhur deri tek një kthesë, e cila shkon në dëm të popullit shqiptar. Përveç kësaj delegacioni shqiptar është njoftuar se Esad Pasha përgatitet të kthehet në Shqipëri menjëherë mbas përfundimit të Konferencës në San Remo. Kjo rrethanë shkakton tek të gjnithë ata panik dhe gati indinjatë. Sipas mendimti të tyre hyrja e Esad Pashës në Shqipëri do të jetë barazi me grusht shtetin dhe shkatërrimin e gjendjes e cila është krijuar në Kuvendin e Madh Popullor në Lushnje. Paraqitja e Esad Pashës në Shqipëri do të thotë rrëzim i Qeverisë Popullore, përmbysje e shtetit dhe ndarje të Shqipërsië. Qeveria e Beogradit e vetmja mund të ndalojë këtë avantur fatale, sepse Esad Pasha vetëm përmes saj mund të hyjë në shtet. Nëse vërtet vjen deri te ajo që Esad Pasha gjendet një ditë në trollin shqiptar, kjo do të thotë se Qeveria e Mbretërisë Serbe Kroate, Slloovene me vetëdije do “të mbysë” shtetin shqiptar, mu atëherë dhe kur ajo e tëra është angazhuar që të heqë nga vetja zgjedhën (jarmin) e okupimit italian dhe mandatit italian. Qeveria Mbretërore ndoshta nuk do të veprojë në atë mënyrë që popullin shqiptar ta largojë nga vetja, duke e hedhur plotësisht në vorbullën e mahinacioneve italiane. Ky është kryesisht kuptimi i diksutimit të zhvilluar në këtë mbledhje”, përfundon shkresën e tij Gjukiq (AJ, 336-28- IV-VII/12- 5829)

Përfundim 

Nuk po citojmë më burime e fakte të tjera. Ato janë shumë dhe mund të përmblidhen vetëm në një monografi, minimalisht. Por edhe këto dokumente të cituara nga burime sllave që pasqyrojnë angazhimin e Nikollë Ivanajt në harkun kohor prej vetëm dy muajsh në kohën kur kishte filluar punimet Konferenca e Paqes në Paris, flasin bindshëm për veprimtarinë e tij të pasur patriotike në shërbim të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Ky vizionar dhe analist për të ardhmen e Shqipërisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare me veprimtarinë e tij politike u bë emër i njohur në botën shqiptare, dhe jo vetëm. Si politikan Nikollë Ivanaj ishte ndër më aktivët e brezit të vet, ndër më të vendosurit, më luftaraku dhe një nga vizionarët më të dalluar në mbrojtje të sovranitetit dhe ardhmërisë së Shqipërisë. Ai ishte bashkëkohës dhe bashkëpunëtor me pothuaj të gjithë burrat më në zë të Shqipërisë, nga të gjitha trevat, në ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë, një nga figurat me autoritet të padiskutueshëm, mendimi i të cilit kishte peshë. Ivanaj ishte propagandues i të drejtave dhe kërkesave të shqiptarëve për vetëqeverisje dhe pavarësi në Evropë dhe Shtetet të Bashkuara të Amerikës, orator me fuqi argumentuese, publicist, shkrimtar e folklorist.Thënë shkurt personalitet me veprimtari të gjithanshme. Për sintezën e përpjekjeve atdhetare të Nikollë Ivanajt na e dha Parashqevi Qirazi, kur shkruante: “Veprat na veshin me pavdekësi lavdërimi ose ç’nderimi. Ato janë të vetmet tapi që mund të trashëgohen pas vdekjes”.

Kontributi i tij në fushën e politikës i bazuar me gjuhën e argumenteve, për lirinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e shtetit dhe pavarësisë shqiptare, nderon brez pas brezi çdo shqiptar në përgjithësi dhe çdo trieshjan në veçanti.