Nikaragua, Papa Françesku i fton ipeshkvijtë të vijojnë dialogun

Vijon shtypja e protestës kundër qeverisë Ortega. Viktima të reja gjatë ndeshjeve në vijim. Kardinali Brenes, i sulmuar nga paraushtarakët pak ditë më parë, pohon se ipeshkvijtë do ta vijojnë dialogun kombëtar, ashtu siç u ka kërkuar Papa.

R. SH. – Vatikan

Në Nikaragua vijojnë protestat popullore kundër presidentit Daniel Ortega: dje, të paktën dy vetë u vranë në qytetin Masaya, ku policia përdori armë të rënda kundër manifestuesve. Sot forcat proqeveritare rrethuan Kishën e Mëshirës Hyjnore, në Managua ku, janë strehuar rreth 200 studentë gjatë demonstratave  kundër Ortegës, i cili akuzohet se, së bashku me gruan e tij, po e shtypin vendin nën thundrën e një diktature, ku mbretërojnë korrupsioni e hatëret.

Më se 350 të vdekur

Që nga fillimi i shtypjes qeveritare, më 18 prillin e kaluar – sipas agjencive humanitare – kanë humbur jetën më se 350 vetë. Opozita kërkon dorëheqjen e Ortegës, në fuqi që nga viti 2007, për mandatin e tretë, së bashku me të shoqen, Rosario Murillo, si zëvendës-presidente.

Papa: ipeshkvijtë të jenë gjithnjë pranë popullit

Në këtë situatë dramatike, Papa i inkurajon ipeshkvijtë e Nikaraguas  “të vijojnë ecjen në udhën e dialogut”, për të  arritur në paqësimin e situatës  dhe të jenë gjithnjë pranë popullsisë, në këto çaste të rënda vuajtjeje”. Këtë pohoi, në një intervistë dhënë TV2000, kardinali Leopoldo Brenes, kryeipeshkëv i Managuas  i cili, të hënën e kaluar, u sulmua së bashku me nuncin Waldemar Stanislaw Sommertag dhe ipeshkvin-ndihmës të Managuas, Silvio Báez, nga aktivistë që mbështesin qeverinë Ortega, ndërsa po shkonin t’i shprehnin afërsinë e tyre bashkësisë kishtare nikaraguense të një famullie, e cila ka humbur katër vetë gjatë ndeshjeve.

Kardinali Brenes: Papa kërkon ta vijojmë misionin tonë

Dialogu – pohon kardinali Brenes – është e vetmja formë për të siguruar paqëtimin e vendit, e Papa na nxit të ruajmë unitetin e Konferencës ipeshkvnore, duke na ofruar lutjen e tij, që të mund ta vijojmë besnikërisht misionin tonë. Në këtë situatë njeriu – shtoi kardinali – nuk mund të mos ketë frikë, por shoqërimi nga ana e meshtarëve tanë me lutje, është për ne forcë e vazhdueshme. Gjatë një takimi të jashtëzakonshëm, prelatët nikaraguensë vendosën njëzëri që, pavarësisht nga shtypja dhe sulmet anti-katolike, të vijojnë shërbimin e tyre si ndërmjetës e dëshmitarë të dialogut kombëtar, ashtu siç kërkon Papa Françesku.

Kardinali Parolin: grupet paraushtarake mbjellin dhunë

Këto ditë foli për situatën në Nikaragua edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke shprehur shqetësimin e tij  për terrorin e  dhunën që vijon të mbillet nga grupet paraushtarake. Si Kishë – pohoi – kërkojmë një dialog, që duket se në këtë çast edhe mund të rifillojë, “por me kusht që të dyja palët të kenë vullnetin e mirë për të arritur në kompromis”.

Nunci: Papa kërkon respektimin e të drejtave të njeriut

Nga ana  e tij, nunci në Nikaragua, Waldemar Stanislaw Sommertag, nënvizon se Papa është shumë i shqetësuar për sulmin kundër ipeshkvijve dhe kërkon të respektohen të drejtat e njeriut të të gjithëve. “Ne – pohon – i lëmë mënjanë kërcënimet dhe e lëshojmë plotësisht veten në dorë të Zotit, që është Zotëria i Historisë dhe i jetës së secilit prej nesh”.

Ortega: nuk  e jap dorëheqjen!

Ndërkaq, Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Peruja dhe SHBA-të kanë hartuar një bocë me tetë pika për zgjidhjen e konfliktit, që duhet miratuar nga Osa (Organiztata  e Shteteve Amerikane). Në bazë të saj, ftesa drejtuar Ortegës që të hartojë kalendarin e organizimit të zgjedhjeve të reja. Po Ortega ripohon se nuk e ka aspak në mend të japë dorëheqjen, as ai e as e shoqja, që do të vijojë ta kryejë detyrën deri në fund të vitit 2021.