NGERÇI I KUJTESES-Kush kane qene themeluesit e PKSH-se dhe cili ka qene perfundimi i tyre?

Flitet gjithmone per themelim te nje partie komuniste ne Shqiperi, me 8 nentor 1941, por ende sot e kesaj dite nuk dihen emrat e atyre qe kane marre pjese ne mbledhjen themeluese.

Diku shkruhet se: Mbledhja themeluese

Mbledhja për formimin e PKSH filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit 1941 dhe aty erdhën përfaqësuesit e tre grupeve. Nga Grupi i Korçës ishte Koço Tashko, Pilo Peristeri, Koçi Xoxe dhe Sotir Vullkani. Nga Grupi i Shkodrës ishin Qemal Stafa, Vasil Shanto, Kristo Themelko dhe Tuk Jakova. Kurse nga Grupi i të Rinjve ishin Sadik Premtja, Anastas Lula, Ramadan Çitaku dhe Sinan Hasani. Po kështu aty ishin prezent dhe Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, për të cilët të tre grupet kishin rënë dakord që të ishin si ndërmjetës dhe t’i ndihmonin për punët proceduriale. Përveç delegatëve me mandat, aty ishin prezent dhe persona të tjerë pa të drejtë vote si Skënder Çaçi etj. Po kështu rreth shtëpisë bënin roje dhe shumë persona të besuar që i komandonte Ali Demi. Që me fillimin e mbledhjes filluan debatet, pasi Lula dhe Premtja nuk ishin dakort me propozimin e Grupit të Korçës që të shpallej njëherë formimi i Partisë dhe pastaj të diskutoheshin problemet që grupet kishin në mes tyre. Sipas dëshmive të Premtes, thuhet se Grupi i të Rinjve nuk kishte fare njoftim se në atë mbledhje do procedohej për krijimin e Partisë, por ata kishin shkuar aty duke menduar se do të vazhdonte mbledhja që kishin lënë përgjysëm disa ditë më parë në shtëpinë e Bije Vokshit. Pas ndërhyrjes së Miladinit, u hodh në votë dhe fitoi propozimi që të formohej Partia, pastaj të bënin diskutimet. Me votim të plotë në mbrëmjen e 8 nëntorit u shpall themelimi i PKSH dhe u hartua rezoluta përkatëse. Për këtë Enveri në kujtimet e tij ka shkruar: “Ishte një çast solemn dhe unë i përqafova të gjithë. Atë mbrëmje përqafova dhe Anastasin e Sadikun për të fundit herë”. Mbledhja vazhdoi edhe shtatë ditë të tjera dhe Tashko ishte ai që dëgjohej më shumë nga të gjithë, për arsye se ishte komunisti më i vjetër dhe me mandat nga Kominterni. Ditën e fundit të mbledhjes u zgjodh Komiteti Qëndror ku fituan Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Enver Hoxha, Gjin Marku dhe Kristo Themelko. Kjo gjë erdhi pasi Enveri me dinakëri propozoi që Tashko, Premtja dhe Lula të ishin tre pjestarët e komisionit që do zgjidhnin Komitetin Qëndror dhe kjo gjë u miratua duke i lënë ata jashtë K.Q”

Si u zhdukën themeluesit e PKSH

Që pas mbledhjes së 8 nëntorit, Enveri filloi goditjen ndaj anëtarëve të K.Q. që ai i shihte si rivalë në luftën e tij për të kapur kreun e partisë. Nga nëntori ’41 e deri në marsin e ’43 kur Enveri u zgjodh në krye të PKSH, u vranë Qemal Stafa, Vasil Shanto dhe Sadik Stavaleci, të cilët ishin kandidatë kryesorë për kreun e PKSH. Për këta të tre sipas shumë dëshmive janë hedhur dyshime duke akuzuar Enverin të implikuar direkt në vrasjet e tyre. Po kështu në mbledhjen e marsit ’43 ku Enveri u zgjodh në krye të PKSH, u mor vendimi i përjashtimit të Premtes e Lulës nga K.Q i PKSH. Për këtë Enveri ngarkoi dhe personat për eleminimin e tyre. Për vrasjen e Anastasit, Ferik Demir Çorej nga Uznova na ka dëshmuar: “Më dt.12 mars 1943 erdhën në shtëpinë time një grup partizanësh të çetës së Ramiz Aranitasit që komandoheshin nga Orhan Frashëri dhe një kolonjar që quhej Dhori. Ata na thanë se atë natë kishin pushkatuar në Qafë të Gllavës një partizan që quhej Anastas Lula, i cili kishte dezertuar nga rradhët e udhëheqjes dhe bashkëpunonte me okupatorin. Atë e kishin pushkatuar të lidhur me cigare në gojë pasi kishte thirrur:”Rroftë Shqipëria”. Pas pushkatimit të Lulës, Enveri urdhëroi të njëjtën gjë dhe për Sadik Premten. Por pasi Sadiku mundi që t’u shpëtonte pritave që i bënë partizanët e Hysni Kapos në Tragjas, Enveri shkoi vetë në Vlorë. Pas kësaj Sadiku u fsheh dhe më pas u arratis nga Shqipëria dhe jetoi në Francë. Pas këtyre i erdhi rradha Zef Malës. Kur u kthye nga internimi ai shkoi në Pezë, ku Babë Myslymi i tha: “Ik or babë e mçifu në Tiranë, se dun me t’vra”. Për këtë Myslymi kishte parë telegramin që Enveri i dërgonte Nako Spiros ku thuhej: “I dashur Nako, Zef Mala jo vetëm që nuk duhet të shkojë në Kosovë, por ai duhet të dekorohet me një plumb kresë. Ai s’është i mirë prandaj duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por në asnjë mënyrë të mos lihet kjo gjë pas dore, sikur ka bërë Hyseni (Gogo Nushi) me të tjera këshilla që i kemi dhënë, për të cilat do përgjigjet. Të fala shoqërore Tarasi (A.Q.SH. fq 14, Dos 76. P 26.08.194). Pas kësaj Zef Mala u fsheh në Tiranë deri në mbarim të luftës dhe më pas përfundoi burgjeve dhe internimeve deri kur vdiq në vitin 1976 në mjerim të plotë. Që gjatë Luftës me urdhër të Enverit u pushkatua pa gjyq edhe Lazri, i zoti i shtëpisë ku u mbajt mbledhja themeluese më 8 nëntor.

Eleminimet pas mbarimit të Luftës

Pas mbarimit të Luftës, në fillim Enveri eleminoi Koci Xoxen duke e akuzuar si agjent të jugosllavëve. Koçi kishte funksionet më të larta pas Enverit, si nënkryeministër, sekretar organizativ i PKSH etj dhe u pushkatua më 10 korrik 1949. Më pas rradha i erdhi Kristo Themelokos dhe Sotir Vullkanit që Enveri i hoqi duke i konsideruar si njerëz të Xoxes. Kristo kishte lindur më 1916 në fshatin Vërnik të Bilishtit (shule) dhe kishte bërë vetëm 5 klasë shkollë. Pasi kishte qenë kapterr në ushtrinë e Zogut në Milot, ai ishte lidhur me Grupin Komunist të Shkodrës. Mbas lufte ai u emërua Komisar i Korpusit të Tretë në Berat me gradën gjeneral-major, deri në 1947 kur u bë Drejtor Politik i Ushtrisë. Pas goditjes së Xoxes, Enveri e hoqi si njeri të jugosllavëve (ishte me origjinë maqedonase) dhe e caktoi Kryetar të Arizanatit në Tiranë, brigadier për këpucarët, berberët dhe rrobaqepësit. Kurse Vullkanin i cili kishte qenë ndër komunistët më të vjetër të Grupit të Korçës (pas Koçi Xoxes) pasi punoi disa kohë oficer në prapavijë, Enveri e hoqi pse ai mbrojti Koçin. Vullkani vdiq në Tiranë në 1964. Më pas Enveri eleminoi dhe Çitakun i cili kishte qenë me Grupin e të Rinjve. Pasi Baca qëndroi disa kohë ambasador në Beogradc, Enveri e hoqi dhe dërgoi zv / Ministër për Financat dhe më pas në Bankën e Kursimeve. Çitaku vdiq në 9 prill 1990 dhe në atë kohë të gjithë u habitën, pasi nuk e mendonin se ai njeri ishte gjallë, pasi nga frika e burgosjes Baca nuk kishte dalë kurrë nga shtëpia për vite me rradhë. Në vitin 1956 Enveri eleminoi dhe Tuk Jakovën (zv. Kryeministër dhe sekretar organizativ i PKSH) pasi në një mbledhje Pleniumi, ai kundërshtpi manipulimin që i ishte bërë në shtëpinë muze të themelimit të Partisë me figurat e udhëheqjes. (Jakova vdiq në burg, pasi nuk e mjekuan. Në vitin 1960 Enveri eleminoi dhe Koço Tashkon duke e akuzuar si njeri të sovjetikëve. Tashko qëndroi në burg deri në moshën 80 vjeçare dhe vdiq në internim në kampin e fshatit Adriatik afër Mamurrasit. Të vetmit anëtarë të mbledhjes së PKSH që mbetën pa u goditur nga Enveri ishin Pilo Peristeri dhe Sinan Hasani. Nga Peristeri nuk i vinte asnjë e keqe Enverit, dhe ai e la atë formalisht në funksionin e kandidatit të Byrosë Politike dhe Drejtor të Uzinës Traktori, pasi puna kryesore e Pilos ishte që të fliste në përvjetorët e Partisë për gjenialitetin e Enver Hoxhës. Ndërsa Sinan Hasani shpëtoi nga goditja e Enverit pasi që në kohën e Luftës, u caktua të punonte në Kosovë dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Ai qëndroi atje dhe pas vdekjes së Titos u bë President i Republikës Federative të Jugosllavisë.

Në 1946 Peristeri s’ia dha Enverit deklaratën, duke thënë se ai nuk kishte qenë me Grupin Komunist të Korçës

Nga të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të 8 nëntorit të vitit 1941, vetëm Pilo Peristeri mundi që t’i shpëtonte goditjes së Enver Hoxhës, duke rezistuar deri në shëmbjen e regjimit komunist. Por edhe ai nuk kishte mundur që të shpëtonte “pa u lagur”, pasi e kishte paguar haraçin që në vitet e para të pasluftës. Diku aty nga viti 1946, kur Enver Hoxha nuk e kishte konsoliduar akoma pushtetin e tij të hekurt në Parti ashtu siç ndodhi më vonë, ai i dërgoi njerëz Pilo Peristerit, për t’i kërkuar një deklaratë ku Pilo të dëshmonte, se Enveri kishte qenë pjesmarrës i Grupit Komunist të Korçës që në fundin e viteve ’30. Por Pilo Peristeri u tha njerëzve që shkuan për t’ia kërkuar deklaratën, se nuk mund t’ua jepte dot atë, pasi Enveri nuk kishte qenë me Grupin Komunist të Korçës. Pas kësaj Enveri i dërgoi Pilos një nga njerzit e tij më të afërt, por edhe atij Pilo iu përgjigj negativisht duke i thënë: “Jo bre, s’i të gënjej unë, Enveri nuk ka qenë me Grupin e Korçës”. Pasi Enverit i dështoi edhe tentative e dytë me Pilon, ai dërgoi njerëz për ta marrë deklaratën pranë Sotir Vullkanit, por edhe Sotiri nuk pranoi që ta jepte atë deklaratë, duke dhënë të njëjtën përgjigjie si Peristeri. Pas kësaj, Enveri u hakmorr ndaj Peristerit e Vullkanit duke i shkarkuar ata nga funksionet që mbanin. Sotir Vullkanin e arrestuan gjoja për armëmbajtje pa leje dhe në vitet që pasuan atij i arrestuan dhe i burgosën për vite me rradhë edhe djalin e tij. Por inatin më të madh Enveri e kishte me Pilon, të cilin si fillim e dërgoi në Kuçovë, gjë e cila i shkaktoi atij edhe një problem të madh familjar. Pilo qëndroi në Kuçovë deri në atë kohë që pranoi të jepte deklaratën për Enverin dhe pas asaj ai u rehabilitua dhe u soll përsëri në Tiranë. Pilo është i vetmi që ka mbetur gjallë nga pjesmarrësit e mbledhjes themeluese të 8 nëntorit të vitit 1941. Tashmë ai i ka kaluar të nëntëdhjetat dhe banon në një apartament të ri fare pranë qëndrës së Tiranës, duke i mbetur besnik Enver Hoxhës.

*Marre nga “Gazeta Shqiptare” 08/11/2003

Leave a Reply