Nga Prof.sha Evalda Paci: Meshari Buzukut, një vepër themelore në historinë e shkrimit shqip

Mbi një vepër themelore në historinë e shkrimit shqip

Është përherë me vend të flitet e të përkujtohet një vepër komplekse nga përmbajtja dhe elementet tekstore të një interesi të veçantë, si është ai i vitit 1555, që tradicionalisht në pikëpamje autorësie i atribuohet një meshtari të quejtun Don Gjon Buzuku. Pjesë të veçanta të këtij libri, renditja sipas një ecurie që të kujton modele librore të kohës, gjendja fizike e dëmtuar e veçanërisht mungesa e indiceve bibliografike të domosdoshme për të evidentuar prejardhjen, vendin e botimit dhe të tjera elemente që natyrshëm plotësojnë referencialitetin e një libri të tillë, bën të mundur të shtrohen hipoteza mbi çështje të autorësisë, por dhe të mundësisë së lejimit të botimit të kësaj vepre nga autoritetet kishtare të kohës, aq më tepër që tërësia e teksteve që përfshihen në të në të vërtetë të shpie në thellime të mëtejme mbi modelet nga të cilat duhej të ishte servirur autori i këtij korpusi tekstor, dhe gjithashtu mbi variante të cilat pa dyshim njiheshin dhe ishin pjesë e një praktike kishtare ekzistuese në gjuhën shqipe.

Në ditët e sotme tradita e studimeve mbi këtë libër kaq unik e të veçantë në historinë e shkrimit shqip përfaqësohet e shënuar nga një sërë arritjesh të lavdërueshme, ndër të cilat vetë përpilimet  e studimeve monografike mbi nënsisteme të veçanta gjuhësore që gjurmohen në përmbajtjen e teksteve të tij përbëjnë një premisë për të sistemuar më tej gjurmimet në fushë të morfologjisë historike e njëkohësisht dhe dialektologjisë historike të gjuhës shqipe. Të tilla studime u lehtësuan së tepërmi nga realizimi i botimeve kritike e filologjike mbi këtë libër e që gjithashtu përfaqësojnë veçanti në pikëpamje të shkollave të filologjisë që reflektojnë, mundësisë që ofrojnë për të përafruar me tekstin kryesisht specialistët e fushave të gjurmimeve të tilla, kryesisht gjuhësore, letrare e tekstologjike.

Sprovat për tejshkrimin e teksteve të librit të Buzukut pasqyrohen hershëm në studimet filologjike shqiptare, në veçanti dhe në kontributet e gjurmuesve arbëreshë që nuk ndanë nga interesat e tyre studimore  të tilla dëshmi shkrimore, ndërkohë që projektonin të hulumtonin gjithashtu dhe vepra të ngjashme të realizuara në viset italo-arbëreshe, me një përmbajtje të ngjashme në kuptimin që ishin të destinuara për praktikën liturgjike e njëkohësisht bartnin dhe elemente të një hershmërie që dëshmon ndër të tjera dhe lidhjen e pazgjidhshme të banorëve të atyre viseve me besimin e krishterë. Që në të tilla sprova, që në trajtesat e para që mëtonin të përshkruanin përmbajtjen e librit, elemente të ndërtimit dhe të përbërjes së tij, ndërtime e tekste më të veçanta që dalloheshin në të, referimi ndaj Vulgatës latine si burimi kryesor referencial në pikëpamje konsultimi dhe mbështetjeje për ta përgatitur atë mbetet një linjë që bashkon një sërë studiuesish, veçanërisht ata të fillimit dhe gjysmës së shekullit të kaluar.

Sprovat që synonin të vinin në dukje ç’pasuri gjuhësore e letrare mund të vilet nëpërmjet njohjes dhe thellimit të teksteve të këtij libri, klasifikimet tekstore që bënin të konsideroheshin më objektivisht variantet e psalmeve që gjinden në të e veçanërisht në pjesët që i prijnë Mesharit, dallimi i teksteve të lutjeve që bënin të qartë faktin që autori përdorte dhe njihte më se një variant ekzistues në praktikën e liturgjisë së përditshme, veçantia e përdorimeve që gjurmoheshin pikërisht në himnet më të dashura e të njohura për besimtarët e krishterë, evidentimi me anë leksikonesh të posaçme i një arsenali ndërtimesh që janë specifike për gjuhën e liturgjisë dhe për atë të teksteve biblike, vënia në dukje e mundësisë së rishqyrtimit përmbajtësor të kësaj vepre në funksion të një studimi të mëtejmë tekstologjik të pjesëve të veçanta të tij rinënvizojnë rëndësinë e madhe që një vepër e këtyre përmasave paraqet dhe sot e kësaj dite për studimet albanologjike e veçanërisht për gjurmimet në fusha më specifike të dijes së albanologjisë.

Përfshirja në një periudhë të veçantë të historisë së shkrimit shqip të autorëve si Gjon Buzuku, Luca Matranga, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, më tej dhe Gjon Nikollë Kazazi, i shërben dhe prirjes për të konsideruar si pjesë studimesh sistemike veprat dhe elementet qenësore të tyre, leksikun, përdorimet dhe ndërtimet që sa bëjnë të mundur të nënkuptohet veçantia dhe përkatësia e tyre ndaj një regjistri specifik gjuhësor, aq ndihmojnë dhe për të reflektuar mbi veçantinë dhe origjinalitetin që natyrshëm pasqyron shkrimtaria e secilit prej autorëve të sipërpërmendur.

Në këtë kuadër historik e socioletrar të pasuruar nga emra prelatësh që përpiluan vepra të ndryshme në pikëpamje të ndërtimit tekstologjik e të afërta njëkohësisht nga përmbajtja, libri i Gjon Buzukut vijon të tërheqë interesimin e studiuesve që orientohen kah dija e filologjisë së tekstit, tekstologjia dhe studimi përmbajtësor i pjesëve të veçanta të këtij libri.

Mbetet përherë burim interesi gjurmimi dhe saktësimi i modeleve referenciale që në të vërtetë duhet t’i kenë shërbyer autorit në proces të fëdigës për të përfshirë tekstet që bëjnë pjesë në të tilla korpuse tekstore, në të cilat gjindet edhe Oficja e Zojës, edhe Breviari e Rituali, por dhe Meshari, me një numër të konsiderueshëm tekstesh biblike, një pjesë e mirë e të cilave për gjatësinë konkrete me të cilën paraqiten në libër dhe për mungesat e dukshme në elemente tekstore duhen parë me më shumë vëmendje. Prania e teksteve nga Besëlidhja e Vjetër, përdorimet që në të vërtetë evokojnë elemente të një bote të hershme e që në pikëpamje emërtimi pikërisht te Buzuku e Bogdani përbëjnë një objekt të veçantë interesi në shumë këndvështrime, përforcon një linjë vëzhgimi që pikënisjen duhet ta ketë pikërisht në librin e Buzukut.

Në të vërtetë, mjaft herë është vërejtur dhe nënvizuar një larmi përdorimesh në gjuhën e librit të sipërpërmendur, gjithashtu dhe një diversitet i dukshëm gjuhësor nga njëra pjesë e librit në tjetrën që ndër të tjera dëshmon se ndikimet e qarta nga gjuhë të tjera e veçanërisht prania e elementeve latine dhe latino-romane mund të bëjnë të mendosh se të tilla tekste mund të ishin pjesë e një praktike përdorimi dhe jashtë viseve shqiptare.

Në pikëpamje të vëzhgimit tekstologjik të pjesëve të caktuara nga ky libër, dhe detaje në dukje të evidentuara disa herë nga gjurmues të vetë librit dhe të teksteve të vjetra në përgjithësi mund të shpien në deduktime që kanë të bëjnë me modele të përzgjedhura prej autorit, që mund të jenë burimet e duhura për t’u konsultuar dhe sot e kësaj dite në kuptimin e saktësimit të teksteve më të afërta për krahasim me vetë pjesët e këtij libri.

Në veçanti siglat introduktive që u përgjigjen pjesëve nga Besëlidhja e Vjetër e që u prijnë teksteve të caktuara nga ky libër mbeten një prej indiceve që mund të gjurmohen në libra e leksionarë të kohës. Gjurmimi tekstologjik i Pasionës te Meshari dhe i paragrafeve që dëshmojnë qartë që autori u referohej njëkohëisht disa teksteve të ngjashme për nga përmbajtja e që kanë të bëjnë me Liturgjinë e Pashkëve bën të mundur të vihen në dukje dhe inkoherenca që në optikën e distancës kohore që ndan prej nesh realizimin konkret të librit dhe daljen në dritë të shtypit të tij sërish të shpien në çështje të referencialitetit në pikëpamje të varianteve të konsultuara ndërkohë që përgatiteshin pjesë të veçanta të këtij libri.

Duke e rimarrë sërish çështjen e sipërpërmendur e që në të vërtetë përbën një prej rrugëve më konkrete në pikëpamje të metodologjisë së studimit përmbajtësor të këtij libri, duhet theksuar se burimet referenciale mund të mos jenë të njëjtat për të gjithë librin, duke pasur parasysh se për tekste specifike si psalmet, më të vështira dhe për t’u shqipëruar e përshtatur autori duhet të ketë konsultuar më shumë variante latine që duhet të kishin parasysh Septuagintën.

Të parit libër që njohim deri më sot në traditën e studimeve shqiptare iu kushtuan botime të plota të natyrës kritike e filologjike që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, ndërkohë që botimet e veprave të tjera të mëvona të së njëjtës traditë shkrimore si Dicionari latinisht-shqip i Frang Bardhit(Romë, 1635) dhe Cuneus prophetarum(Padovë, 1685) i Pjetër Bogdanit u realizuan dekada më vonë, duke bërë të mundur të ndiqeshin më qartë ngjashmëritë në pikëpamje të vijimësisë gjuhësore dhe të përdorimeve specifike që ndeshen në të tilla vepra. Bibliografia e studimeve të shumta kushtuar këtij libri dhe sot e kësaj dite mbizotërohet nga vëzhgime kryesisht gjuhësore e filologjike, ndërkohë që nuk kanë munguar sprovat që trajtojnë me argumente dhe çështje të literalitetit dhe shprehësisë poetike të gjurmueshme në pjesë të veçanta të tij, ashtu dhe kontekstualizimin më se të qartë në një periudhë ndryshimesh të rëndësishme historike për Kishën e Romës dhe për Evropën e Ballkanin.

http://sq.radiovaticana.va/news/2018/01/05/evalda_paci_meshari_buzukut,_nj%C3%AB_vep%C3%ABr_themelore_n%C3%AB_histori/1357737