Nga Newsweek – Donald Trump-Vladimir Putini dhe marrëdhënia më e rrezikshme në botë

Në nëntor të vitit që kaloi, natën e zgjedhjeve presidenciale, atmosfera në Pubin Union Jack në Moskë ishte festive. Një grup i përzgjedhur drejtuesish të mediave, aktivistësh pro Kremlinit dhe anëtarësh të parlamentit shihnin të ngazëllyer – dhe me një gëzim të pabesueshëm – teksa votat e kolegjit elektoral të Donald Trumpit shtoheshin drejt fitores. Në një qoshe të barit ndodheshin portrete me bojë vaji, në një stil heroik socialist, të Trumpit, marine Le Pen dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Një producent i Tsargrad TV, kanali pariotik ortodoks i Rusisë, bënte me gisht nga treshja duke festuar. “Bota e nesërme është e tyrja!” Sot, ai rend i ri botëror nuk duket askund. Kongresi amerikan ka prishur romancën Trump-Putin dhe ka detyruar presidentin amerikan të firmosë sanksionet ekonomike më ndëshkuese që janë vendosur ndonjëherë ndaj Rusisë, për ta ndëshkuar Moskën, pse ka futur hundët në Ukrainë dhe Siri, bashkë me zgjedhjet në SHBA. Dhe përderisa zbulimet mbi një bashkëpunim të fshehtë mes ekipit të Trumpit dhe Kremlinit kanë nisur si një ortek drejt një krize që mund të përfundojë me impeachment, vlerësimi i dikurshëm i presidentit amerikan për Putinin është zhdukur.

Kolapsi i shoqërisë së admirimit të ndërsjellë Trump-Putin – potencialisht marrëdhënia politike më e rëndësishme në botë – është një histori shpresash jorealiste ruse, gjestesh amerikane të menduara keq dhe përpjekjeve të gabuara të Kremlinit për të ndërhyrë në demokracinë amerikane. Putini besonte se Trumpi ishte njeri me të cilin mund të bënte punë, një pragmatist i gatshëm që të injoronte aneksimin e Krimesë nga Moska, mbështetjen për presidentin sirian Assad dhe luftënxitjen në Ukrainën lindore; dikush që mund të lejonte Kremlinin të kishte dorë të lirë në shkëmbim të mbështetjes së rusëve në luftën kundër terrorizmit. Trumpi kishte admiruar prej kohësh lidershipin autoritar të Putinit dhe i kishte zili nivelet e mbshtetjes. Në fushatë, ai kishte vlerësuar Putinin si një mjet të dobishëm, ndonëse të vogël, në arsenalin e tij të stimujve anti Clinton. “Mendoj se do të kem një marrëdhënie shumë të mirë me Putinin”, tha Trump në shtator 2016. “Dhe mendoj se do të kem një marrëdhënie shumë të mirë me Rusinë”. Të dy udhëheqësit gaboheshin… /

Dështimi i Putinit dhe Trumpit për të nisur një epokë të re bashkëpunimi pas Luftës së Ftohtë do u kushtojë shtrenjtë të dyve. Udhëheqësi rus përballet me thellim të izolimit ndërkombëtar dhe një shtrëngim të ngadaltë ekonomik. Por ështëmë keq për Trumpin. Fjalët e tij plot vlerësim shtynë Putinin që të përpiqej ta ndihmonte të shkonte në Shtëpinë e Bardhë. Nuk ka prova deri tani, që Trumpi bashkëpunoi direkt në këtë përpjekje. Por përqafimi prej Putinit sërish mund të rezultojë fatal për manjatin, që donte thjesht të ishte “miku më i mirë” i të fortit të Rusisë. / Me shkurtime nga Newsweek – Bota.al