Nga Kina, në Izrael dhe SHBA, sa është e shtrirë mafia shqiptare nëpër botë

Deklaratat e fundit të ambasadorit të SHBA-së në Tiranë se Shqipërinë e drejtojnë 4 klane kriminale dhe 20 familje mafioze, kanë ndezur debate të shumta.

Të gjithë në fakt pyesin dhe kërkojnë të dinë se kush janë këto 4 klane që drejtojnë vendin.

Por askush nuk ka folur me emra për këto klane, apo 20 familjet mafioze. Por në fakt mediat e huaja kanë folur dhe shkruar më shumë për mafian shqiptare dhe zonat e tyre të influencës nëpër botë.

SYRI.net ka zbardhur një pjesë të këtyre artikujve të shkruar dhe të përmbledhur në faqen e Wikipedia. Përmbledhja e këtyre artikujve, siç edhe duket është bërë në bazë të shkrimeve të medieve të ndryshme, apo edhe librave të bërë publik për mafian shqiptare.

PJESA E PARË

Mafia shqiptare apo krimi i organizuar shqiptar është mjaft aktiv në Evropë, Amerikën Veriore, Jugore dhe vende të tjera të botës, përfshirë Lindjen e Mesme dhe Azinë. Mafia shqiptare është e përfshirë në një rang të gjerë të krimit, përfshirë trafikun e drogës, armëve, njerëzve dhe organeve. Skena e krimit shqiptar karakterizohet nga plane të ndryshme kriminale, të cilat, në kompleksitetin e tyre shfaqin një nga kapacitetet më të lartë kriminalë në botë.

Vetëm në Shqipëri janë mbi 15 familje mafioze që kontrollojnë krimin e organizuar. Sipas raporteve të Wikileaks, mafia shqiptare ka monopolizuar filiale të ndryshëm ndërkombëtarë që shkojnë nga Izraeli deri në Amerikën Jugore. Këto raporte tregojnë kryesisht lidhje të forta midis politikanëve dhe familjeve të ndryshme mafioze shqiptare. Sipas Institutit të Kërkimeve për  Studimet Evropiane dhe Amerikan (RIEAS), grupet e mafias shqiptare janë në të vërtetë organizata hibride (sektorë të ndryshëm të shoqërisë), të përfshirë shpesh në aktivitetet kriminale dhe politike bashkë.

Mafia shqiptarë në tërësinë e saj përfaqëson një nga elementët më të lartë gjenerues kriminalë në botë, duke kombinuar karakteristikat “tradicionale” – të manifestuara në disiplinën e brendshme të ashpër, në strukturën e klanit, në mbylljen brenda vetes që e bën më të vështirë për t’u penetruar dhe soliditetin – me elementë novativë e modernë, si ndërkombëtarizimi, komercializimi dhe kultura e shërbimit. Logjistika masive pothuajse kudo dhe natyra gjithëpërfshirëse e krimit shqiptar ka lehtësuar aktivitetin jashtë vendit të origjinës dhe integrimin me kriminalitetin lokal.

Në SHBA, termi “mafia shqiptare” mund të përfshijë apo t’i referohet në mënyrë specifike grupeve të ndryshme shqiptaro-amerikane të krimit të organizuar, si Organizata Rudaj apo Albanian Boys, me bazë në Nju Jork. Grupet kriminalë shqiptaro-amerikanë ndryshojnë në shkallën e lidhjes me grupet mafioze në Shqipëri apo Evropë, që nga lidhjet e pakta deri te të qenit dega amerikane e grupeve mafioze shqiptare në Evropë.

Hierarkia e klanit

Struktura tipike e mafias shqiptare është hierarkike. Klani familjar i referohet fisit. Familjet kanë kryesi të njohura si Bajrak dhe zgjedhin një anëtar të rangut të lartë për çdo njësi. Njësia drejtohet nga Kreu apo Bosi, i cili zgjedh edhe bashkëpunëtorët e afërt që shërbejnë nën të. Kryetari zgjedh një Mik që shërben si lidhje midis anëtarëve dhe është përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve.

Anëtarësia

Të varur fort nga besnikëria, nderi dhe familja – me marrëdhëniet e gjakut apo krushqitë që shihen si shumë të rëndësishme – shumica e rrjetit shqiptar duket se i përket modës së vjetër. Familjet mafioze shqiptare apo klanet janë zakonisht të përbëra nga grupe që kanë mijëra anëtarë nëpër botë, duke formuar një familje të gjerë, që shkon përmes Ballkanit nga Turqia Lindore në Evropën Perëndimore e Amerikën e Veriut. Është shumë e zakonshme për mafian shqiptare të mbajë shqiponjën me dy krerë, në formën e tatuazheve, varëseve apo në rroba. Ajo është simbol i besnikërisë dhe nderimit të tyre karshi mafias.

Sipas Ioannis Michaletos, struktura familjare karakterizohet nga një disiplinë e brendshme e fortë, e cila arrihet përmes ndëshkimeve për çdo devijim nga rregullat e brendshme. Ndëshkimi sjell frikë dhe frika garanton besnikëri pa kushte për familjen. Bindja brenda rregullave të familjes bën që ligjet e shtetit të shihen si të parëndësishëm dhe jo të detyrueshëm për t’u zbatuar. Meqenëse familjet mafioze bazohen në marrëdhënie gjaku, numrat e anëtarëve të klaneve janë të kufizuar dhe lidhjet midis tyre kanë tendencë të jenë tepër të forta. Si rezultat, infiltrimi është pothuajse i pamundur. Anëtarët e grupeve të tjerë etnikë mund të pranohen për një ekzekutim të vetëm apo për punë dytësore. Familjet e mafies shqiptare janë të organizuara në 4-6 apo më tepër nivele, një strukturë e tillë u jep mundësi të ruajnë kapacitetin veprues edhe në rast se disa nga anëtarët e grupit kapen.

Klanet sipas rajoneve

Mafia shqiptare ka klane në të gjithë botën. Në Shqipëri, ka klane që operojnë në qytete të caktuar. Çdo rajon kontrollohet nga familje të ndryshme mafioze që mbikëqyr operacionet ndërkombëtare.