Nga çështja e pengjeve, tek spiralja e bërthamores: SHBA-Iran, 40 vite në llogore

Gjithçka nisi me fundin e Shahut. Në vitin 1979 erdhi kriza. Tani, larja e hesapeve

Për të kuptuar rrënjët e prishjes radikale dhe ideologjike midis SHBA dhe Iranit, duhet të kujtojmë kohërat kur Irani ishte një mbretëri absolute, por pro-perëndimore, në të cilën vajzat shëtisnin me minifunde, ekonomia zhvillohej fuqishëm dhe Shahu (titull që ashtu si ai i Carrit dhe Kaizerit, e ka burimin nga Çezari) Reza Pahlavi ishte jashtëzakonisht popullar: burrë i pashëm, mizor dhe modernist, fotot e tij spikasnin në revista së bashku me ato të gruas së trishtë Soraya, e refuzuar pa dëshirë për shkak se nuk bënte fëmijë.

Lufta e Ftohtë ishte një luftë e vërtetë dhe Persia ishte një pjesë skakierës perëndimore, e cila vepronte si një kundërpeshë ndaj Irakut, peng i perandorisë sovjetike. Në vitin 1953, për më tepër, CIA kishte penguar një komplot për të vrarë Presidentin Mossadeq. Por ajo që favorizoi rënien e Shahut dhe fitoren e revolucionit fondamentalist islam ishte Franca, e cila mirëpriti si mërgimtar me kujdes maksimal Ayatollah Khomeinin, një njeri sipas të cilit laicizmi është “vepër e Satanit” dhe, sa për hebrenjtë, “Zoti i shfarostë!”.

Khomeini ishte në vitet shtatëdhjetë dhe pastaj në vitet tetëdhjetë, një lloj Che Guevare i antiamerikanizmit islamik dhe për këtë arsye adhurohej nga të rinjtë francezë dhe jo vetëm. Ishte një operacion i shkëlqyer i mediave majtiste, që çoi Khomeinin drejt triumfit nga Parisi në Teheran, ku ai vendosi një diktaturë fetare mesjetare, anti-moderniste, që riktheu mbulimin e detyrueshëm të grave, duke bërë kamxhikun dhe forcën, mjetet e preferuara të qeverisë. Ai vendosi moshën e vajzave që mund të dhunohen përmes martesave të rregulluara në nëntë vjeç. I dha një intervistë të famshme Oriana Fallacit, e cila grisi vellon që i ishte imponuar asaj për ta mbajtur gjatë intervistës, duke bërë që ajatollahu të largohej i tërbuar.

Khomeini dekretoi me një fetva (dënim fetar me vlerë civile) dënimin me vdekje (për fat të mirë nuk u zbatua kurrë) të shkrimtarit anglez me origjinë indiane Salman Rushdie, autori i të famshmeve “Vargje Satanike”. Akti i parë i luftës me Shtetet e Bashkuara ishte e ashtuquajtura “krizë e pengjeve”. Rojet revolucionare pasdarane, duke shkelur imunitetin diplomatik, pushtuan ambasadën amerikane në Teheran, kapën të gjithë personelin që u bë peng i regjimit, mes demonstratave dhe kërcënimeve të dhunshme.

Presidenti i dobët i Amerikës Jimmy Carter, një pacifist që hezitonte të urdhëronte një reagim të fortë, autorizoi në minutën e fundit një operacion ushtarak, që dështoi për shkak të një zinxhiri aksidentesh. Ishte një dështim total dhe pasdaranët triumfuan të duartrokitur nga e gjithë bota anti-amerikane, e cila pa në atë veprim burracak, poshtërimin e Perëndimit. Ishte atëherë, dyzet vjet më parë dhe jo sot, që Irani vendosi gjendjen e luftës me Shtetet e Bashkuara, një luftë që vazhdoi ndër vite me nuanca të ndryshme, midis presidentëve të etur për t’i dhënë fund regjimit të Teheranit dhe atyre që, si demokrati Barak Obama, vendosi për një zgjidhje që do të bllokonte programin e armëve bërthamore të Iranit.

Programi kishte si qëllim të shpallur që shteti i Izraelit të zhdukej nga faqja e dheut: negociatat për pasurimin e uraniumit çuan në marrëveshjen midis Bashkimit Evropian e SHBA, me republikën islamike, por marrëveshja u konsiderua gjithnjë si dështim nga republikanët amerikanë. Trumpi, sapo u zgjodh, nxorri menjëherë SHBA nga Marrëveshja dhe kërkoi larjen e hesapeve, që po ndodh këto orë.

Zyrtarëtr e Pentagonit kanë idenë e tyre për rezultatin e kësaj përplasjeje që mund të çojë, pas një vale të parë kërcënimesh, drejt një ridimensionimi me Iranin, si një alternativë e luftës. Dëshira për përshkallëzim, sidoqoftë, ishte e dukshme edhe në veprimet e fundit iraniane, përfshirë sulmin në Gjirin ndaj dy çisternave të naftës, një japoneze dhe një norvegjeze qershorin e kaluar.

Pakkush e mban mend se, si Anglia ashtu dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur historikisht një doktrinë të politikës ndërkombëtare, që e konsideron çdo kërcënim për lundrimin e lirë dhe transportin e energjisë, si një casus belli. Henry Kissinger në një intervistë dy vjet më parë e tha hapur se çdo administratë republikane do të duhet të përballet me Iranin, furnizuesin e parë të energjisë për Kinën, një vend tjetër që ka hyrë në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara. / Il Giornale – Bota.al