Nesër fillon tatëpjeta jote, z. Kryeministër! A mund të gjindet një forcë që të ndalojë vërshimin e të keqes?

Nga Leon Lekaj

Edhe pak orë na ndan nga 30 qershori, dhe kjo pyetje gërryen shumë prej njerëzve e urtë të popullit tim.
Me 27 shkurt 1933 zjarri përfshiu ndërtesën e parlamentit gjerman. I shpejtë dhe i vendosur, Adolf Hitler, pasi i thanë se në gërmadha ishte gjetur një antar i partisë komuniste, sajoi alibinë. Në sajë të dhunës së ushtruar, ai mbërriti që 44% e votave (aq sa sondazhet i japin Ramës sot) ta shndërrojë në dy të tretat, duke shtruar presion mbi partitë e vogla (atë që bëri Rama me “opozitën e re” sot). Pas pak muajsh, Republika e Vaimarit, ra plotësisht në duart e Hitlerit. (ashtu siç kanë rënë në duart e Ramës të gjitha pushtetet sot).
Kryeministri shqiptar, përveç këtij shembulli, ka në historinë e Shqipërisë komuniste të shumë përfolurën e “bombë në ambasadën sovjetike”, ku me një trillim spektakolar, Enver Hoxha çoi në togat famëkeqe të pushkatimit 22 intelektualë.
A i duhej një bombë apo një Reichstag Ramës, në prag të zgjedhjeve një partiake të 30 qershorit?
Në praktikë, kryeministri shqiptar, u largua prej etërve të tij shpirtëror, duke zgjedhur variantin e dytë, “djegien e shkollave”, nga “banditë dhe kriminelë”. Në fakt simboli i djegies nuk ka të bëjë aspak me me shkollat, por me materialin zgjedhor. Ai, me provokimet e gjeneral Lleshit dhe format e tij të marra hua nga sigurimi i shtetit, bëri çmos, që ky fenomen të shdërrohej në një fenomen masiv, me qëllim që pastaj të vinte gishtin mbi opozitën.
Në vitin 1997 kam qenë i pranishëm (atëherë punoja në arsim) kur komunistët e partisë së Ramës i vunë zjarrin shkollave. Për fat, kam qenë në zonën ku kryetar Bashkie ishte z. Zef Hila, të cilin, me një vendim kriminal të qëllimshëm, z Rama e shkarkoi. Por të gjithë e dinë, përfshij edhe mësuesit e asaj zone se sa me dashuri, durim dhe këmbëngulje, Zef Hila rindërtoi shkollat e asaj zone. Por Ramës i duhej alibia dhe jo dashuria e këmbëngulja e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, ndaj edhe e shkarkoi atë.
Ndërkombëtarët, si zakonisht bënë punë e tyre, atë më të voglën, atë më formalen. Pasi heshtën për kriminelët e që Rama futi në parlament, pasi heshtën për plantacionet e drogës, pasi heshtën për tahirët, dakot e gjiknurët, pasi heshtën për masakrën zgjedhore dhe së fundi edhe për publikimet e përgjimeve të gazetës Bild, u nxituan ti kujtojnë opozitës që të mos përdorë dhunë. Dhe unë bashkohem për herë të parë me ta.
Vendi im duhet ti thotë përgjithmonë JO DHUNËS!
Nesër Shqipëria shkon në votime. Në xhepin e vogël të Ramës, është edhe një parti “luftarake”, të cilën kryeministri shqiptar nuk e përmend as për etikë. 61:0. Rezultat spektakolar, i cili më rrëqeth prej kujtimeve të hidhura, kur na duhej të çoheshim në orën gjashtë të mëngjesit dhe me fytyrë të qeshur, e nën tingujt e melodive të gërnetave (jo klarinetave, ne armiqve e klasës na përgjohej edhe buzëqeshja) duhej të votonim me detyrim vetëm një emër.
Shpresoj që nesër vendi im të dëshmojë se di mençurisht të zgjedhë rrugën e duhur. Shpresoj që nesër njerëzit e mirë të atij vendi të kuptojnë se vendit të tyre po i kërcënohet një rrezik i madh, se ai po rrëshqet rrezikshëm në një udhë, e cila kudo mund ta çojë, por jo në demokraci.
Rama me një Korrik mendon se do të zgjohet i plotfuqishëm me një parlament, në të cilin kullosin dele të paqta dhe ato të “opozitës së re”, dhe me 61 kryebashkiakë, që do ti shtohen oborrit të tij prej Lartgjatësie, por ai gabon. Me datën një korrik fillon tatëpjeta e tij.
Do të gjindet një forcë që mund të ndalë vërshimin e të keqes.
Dhe ajo ka një emër.
Sovrani!
#EdheUnë.

Marre nga profili ne Facebook