Nënë Tereza, shenjtorja e mëshirës, devotshmërisë dhe përkushtimit. Kishte ardhur për të bekuar jetën tonë dhe shenjtëruar veprën e vet

Nga Albert Vataj

Ajo kishte ardhur për të bekuar jetën tonë dhe shenjtëruar veprën e vet. Ajo diti të ishte sa thjeshtë aq dhe e mirë, sa e përkushtuar aq dhe e dashur, sa e përvuajtur aq dhe e devotshme. Ajo ishte gjithçka që i duhej njeriut modern për të kuptuar më mirë dhe për të parë më qartë, për të ndjerë më thellë dhe për të besuar më shumë; te Zoti, të veprat e adhurimit, te e drejta për të qenë i urdhëruar nga mrekullia që sjell bërja e gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Ajo hyri në zemrën njerëzve, sepse më parë u kishte bërë vend atyre në prehrin e përkujdesjes. Ajo besoi te mëshira, bujaria dhe dashuria, sepse në themelt të veprës së kësaj bamirëseje qëndron kjo trini. Sepse gjithçka që duhet për të ndryshuar jetën e të sëmurëve, të braktisurve, të përvuajturve, të nëpërkëmburve, të rrënuarve, është t’i gjendesh pranë. Ata janë kaq shumë dhe kanë nevojë kaq pak… dashuri, përkujdesje, besim.
Gjithçka që besojmë se vjen nga qielli, janë këto duar përkushtuese që e bëjnë vepër, është ky vullnet që e kumton. Janë këto forca transformuese, që duke mëkuar; në zemra që gëzohen, në sy që shkëlqejnë, në mirënjohje që jepet me përulje, ata bëhen udha dhe e vërteta, e sotmja dhe e ardhmja, bekimi i hyjshëm i jetës në vepër.
Shenjtorja jonë, Terezë, veç veprës monumentale të bamirësisë, ajo qëndrisi me shkronja drite dhe fjalën, me kthjellësinë e një qielli që i bëri vend mbolli arën e besimit te mëshira, me zjarrin e pasionit që e shndërroi në feniomen dhe urtësinë e kulluar ajo mbrujti “psalmet”. Ata janë fjalë të gatuara në një shpirt sakrificash, janë kumtime të endura në një zemër ë madhe, janë thirrjet e një gjëmimi kushtruse hyjnor. Gjithka e saj është e bekuar, sepse e tillë është vepra që ajo ndërtoi me kaqë përzemërsi, përkushtim dhe adhurim si një obligim që ajo ndjente para Krishtit, para humanitetit dhe gjithçkasë njerzore, që ajo diti t’i japë përmasa hyu duke u shndërruar nga një grua e përulur, në një shenjtore. Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin. Por duhet theksuar edhe një virtyt tjetër heroik i kësaj gruaje të madhe, i cili u bë i njohur vetëm pas vdekjes së saj. E fshehur nga sytë e të gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan më pranë, jeta e saj e brendshme u vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të vazhdueshme se ishte ndarë nga Zoti, madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt i rritej gjithnjë e më tepër dëshira për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti “errësirë”. “Nata e dhimbshme” e shpirtit të saj, e cila nisi në kohën kur sapo kishte filluar apostullimin mes të varfërve e që vijoi gjatë gjithë jetës, e çoi Nënë Terezën në një bashkim edhe më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori pjesë mistikisht në etjen e Krishtit, në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë për dashuri, duke u njësuar me mjerimin e të varfërve.
“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”…
… janë këto fjalët përmbyllëse të Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003 që tha Papa Vojtila, është ky predikim që ai bëri për gruan e madhe të një vendi të vogël.
“Jeta ime”, çfarë na mëkon të gjallët e këtij vullneti hyjnor të blatuar në tokësoren e kësaj gruaje, e cila diti t’i japë një shembull të lartësimit nga përulja, të shenjtërimit nga mëshira, të përkushtimit nga adhurimi, të ngadhnjimit nga vepra. Ajo, nderoi misionin e saj, na bëri krenar ne si shqiptar, dëshmoi botës së qytetëruar se sa e bekuar është dashuria dhe se për asgjë më shumë se për atë nuk ka nevojë njerëzimi.
“Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten”
Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia.
Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme.
Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.
Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.
Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd.
Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para. Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit.