Nënë Tereza: Shenjtore e ditëve tona, ndërmjet shenjtoreve shekullore të krishterimit

Është e pamundur t’i njohësh të gjitha historitë e shenjtorëve të shumtë të krishterimit! Po me që Nënë Tereza është e gjakut tonë, dëshirojmë të shfletojmë gjithnjë faqe të reja nga jeta e saj. Një faqe e re, pra, sot!

R. SH. – Vatikan

E pamundur t’i njohësh të gjitha hollësitë, legjendare a historike, të të gjithë shenjtorëve të krishterimit. E po t’ia nisim të kujtojmë vetëm gratë, që u lartuan në nderimet e altarit, do të zbulonim universin femëror, që do të mund ta quanim “realizmi i shenjtërisë”. Jeta e ndonjërës prej tyre na e nxit aq shumë fantazinë, sa të ngatërrojmë përralloren me virtualen…

Pranë shenjtorëve, çdo mrekulli bëhet e mundshme!

Duke shfletuar jetëshkrimet e shenjtoreve, njihemi me gra e vajza të të gjitha kohëve. E nuk mund të mos ndalemi tek emri i asaj, që është më pranë nesh: emri i Nënë Terezës. Por edhe tek emrat e shenjtoreve legjendare. Tek Anjezja, për shembull. Emri i pagëzimit i Terezes. Nga kohë të largëta a fare pranë nesh, ato janë figura të mbështjella me mister. Në dukje, gra të zakonshme – Nënë Tereza, një vajzë e thjeshtë shqiptare nga Shkupi, që merr rrugën e jetës rregulltare, si shumë e shumë vajza të tjera, dje e sot – e që gjatë jetës shndërrohen në figura të jashtëzakonshme. Duke përfaqësuar elementin femëror shëlbues në jetën e përditshme.

Çka të prek më shumë, kur ua lexon portretet, është risia e tyre e përjetshme. Janë bashkëkohore me ne! I flasin  shpirtit tonë. Na bindin se mrekullia në jetë është plotësisht e mundshme e se shpesh ndodh përtej riteve të liturgjive e rregullave, që na i mëson Kisha. Na kujtojnë se Shpirti Shenjt fryn ku dëshiron ai vetë, pa pyetur për formula e formalitete.

E kush e kishte menduar?!

E kush e kish menduar se Anjeze Bojaxhija do të shndërrohej, në duart e Shpirtit të Zotit, në Shenjtoren me ndikimin më të madh mbi botën moderne, pavarësisht nga besimet? Se do të  shndërrohej në një laps të vogël në dorë të Zotit? Laps i vogël, që do të shkruante histori aq të mëdha?

Ndokush mund t’i shikojë mrekullitë e shenjtorëve, në përgjithësi, e të Nënë Terezës, në veçanti, si fryt i fantazisë së atyre, që e takuan. Po mrekullitë e tyre vijojnë të gërshetohen me jetën e përditshme të të gjitha kohëve. Shenjtorët i përgjigjen me jetën e tyre,  ngjarjeve, që vrapojnë sot, para syve tanë. Hyjnë në jetën tonë e u japin përgjigje pyetjeve që na mundojnë. Gjithnjë me jetën e tyre, të shkrirë për tjetrin. Jetë të  zakonshme, që shndërrohen në të jashtëzakonshme. Si jeta e Nënë Terezës! Që iu përgjigj me gjithë vetveten, kërkesës sublime të Zotit të kryqëzuar: “I thirst!”. “Kam etje”.  Etje për shpirtra! E la gjithçka, për të shuar etjen e Zotit, etjen time, tënden, për atë që vlen shumë më tepër se e përditshmja – sepse e përjetshme! Pranë shenjtoreve si Nënë Tereza, çdo mrekulli bëhet e mundshme!