NEN DRITEN E FAKTEVE DHE TE VERTETES HISTORIKE/ Kryengritjet antikomuniste Të Shkodërs dhe Malësisë së Madhe

(Më shumë se një replikë me Uran Butkën)

Lexova me kureshtje dhe vëmendje librin e botuar para pak kohësh të autorit U. Butka mbi përplasjet e armatosura me rrethin e Shkodrës, menjëherë mbas çlirimit të Shqipërisë, midis forcave qeveritare dhe disa grupeve apo grupimeve, që autori e ka titulluar “Kryengritjet e para kundërkomuniste” – Kryengritja e Malësisë së Madhe, Kryengritja e Postribës, Lëvizja e Zhapokikës

Shaqir Vukaj

Shaqir Vukaj

Megjithëse dihen pikëpamjet dhe qëndrimet e z. Butka për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, per rolin e Ballit Kombëtar në këtë luftë, për “luftën civile në Shqipëri” etj. që i ka shprehur qartë në librat që ka botuar mbas viteve ’90-të,  unë, duke qenë me origjinë nga Malësia e Madhe, pra që i njoh vendin, traditat, zakonet etj., dhe meqenëse edhe unë para disa kohësh kam shkruar një material të bazuar në dokumente e kujtime të pjesëmarrësve, për Luftën e Kelmendit në janar të v. 1945,  e që e kam quajtur Lufta Vëllavrasëse e Kelmendit, e quajta me vend dhe një lloj detyrimi të jap disa mendime rreth atyre ngjarjeve të fillimit të vitit 1945 në Malësinë e Madhe.  Në shkrimin tim do të përqendrohem kryesisht në Luftën e Kelmendit, sepse përplasjet në Malësinë e Madhe midis grupeve apo grupimeve të kryesuara nga Llesh Marashi, Gjelosh Luli, Nikoll Deda etj.  (bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë) me forca e pushtetit që po vendosej, për më tepër në një zonë tepër të kufizuar e që kurrsesi nuk mund të quhet Malësia e Madhe, siç do të them më poshtë, kishin karakter tjetër, e që në asnjë mënyrë nuk mund  të ishin kryengritje…

Pamje nga Malësia e Madhe

Pamje nga Malësia e Madhe

Është e vërtetë se historiografia komuniste ka shkruar pak, tepër pak për këto ngjarje të dhimbshme ku shqiptarët janë vrarë me njëri tjetrin, siç është e vërtetë se dy dekadat e fundit është shkruar e folur shumë, madje tepër shumë. Në qoftë se në shkrimet e para viteve ‘90-të flitej me terma të përgjithshme e tepër shkurt, si për  “operacione spastrimi kundër bandave reaksionare, bajraktarëve” etj. ku më së shumti vërehej një lloj “harrese”, ngjarjet përshkruheshin nga këndi i fitimtarit. Në shkrimet e viteve të fundit, flitet si për një kryengritje të organizuar mbarë popullore antikomuniste të kësaj krahine, duke kaluar shpesh herë në folklorizëm, shtrembërime e falsifikime. I këtillë është edhe kapitulli për të ashtuquajturën Kryengritje të Malësisë së Madhe në librin e z. U. Butka, i cili, duke u bazuar në shumë prej këtyre materialeve të shkruara vitet e fundi, që në mjaft raste ngjajnë si hartime të këqija,  autori, me qëllim apo pa qëllim, thotë shumë të pavërteta.

Të shikosh vetëm gjysmën e së tërës…

Që në fillim të librit, autori e “sakaton”, duke e përgjysmuar Malësinë e Madhe kur shkruan “Kur flasim per Malësinë e Madhe, duhet të përqendrohemi te pesë Malet e Mëdha: Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati e Shkreli…” (fq.19). Kjo sipas tij është Malësia e Madhe, sepse këtu është zhvilluar ajo që ai e quan kryengritje, çka nuk i përgjigjet aspak realitetit. Historikisht, sipas të gjitha organizimeve kanunore,  zakoneve e traditave, jetës së përditshme, veshjeve, këngëve e valleve, etj. Malësia e Madhe ka qenë një krahinë unike e përbërë nga 11 bajraqe, sipas një rendi të përcaktuar qartë e rreptë: Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, Shkreli, Reçi, Lohja, Rrjolli, Grizha, Kopliku dhe Buza e Ujit. Kjo është Malësia e Madhe, dhe kështu është njohur nga të gjithë, shqiptarë e të huaj që kanë vizituar Shqipërinë e kanë shkruar për të, kështu është përfaqësuar gjithkund, në kuvende e luftëra, në festa, gëzime e morte. Kështu është përfaqësuar ajo, e bashkuar edhe në Lidhjen e Prizrenit… Madje edhe sot të gjitha këto “bajraqe” përbëjnë rrethin e Malësisë së Madhe.

Por e cunguar e duke i hequr Malësisë më shumë se gjysmën e saj, ose gjashtë bajraqet e tjerë, autori, me qëllim don të mohojë Luftën Nacional Çlirimtare të zhvilluar në qarkun e Shkodrës, ku këto zona, ose ndryshe Rranxat, (Lohja, Reçi, Rrjolli, Grizha, Kopliku, Buza e Ujit), së bashku me Postribën, kanë qenë baza kryesore e kësaj lufte në qarkun e Shkodrës.

Antifashizmi i Shkodrës dhe Malësisë së Madhe

Uran Butka

Uran Butka

Mirëpo, sipas autorit “Shkodra dhe trevat e saj qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore qendra të nacionalizmit dhe kundërkomunizmit…” ( fq. 21).  Për kujtesë z. Butka dhe atyre që nuk e dinë, Shkodra është qyteti ku kanë depërtuar për herë të parë idetë e majta, ku është festuar për herë të parë në Shqipëri 1 Maji, ku janë krijuar grupet e para socialiste dhe social-demokrate.  Nga Shkodra (më konkretisht nga Malësia e Madhe) kanë shkuar vullnetarë në ndihmë të popullit spanjoll për të luftuar kundër fashizmit, Zef Hoti (që dha jetën për Republikën e Spanjës) dhe Gjeto Keqi. Në Shkodër është krijuar grupi i parë komunist në Shqipëri (krahas atij të Korçës), ku disa nga anëtarët e tij kanë qenë nga Malësia e Madhe, nën drejtimin e të cilit menjëherë mbas pushtimit fashist kanë filluar demonstratat e aktet kundër këtij pushtimi, nga ku kanë dalë edhe dëshmorët e heronjtë e parë të të gjithë Shqipërisë, ku shkodranë e jo shkodranë, të edukuar aty, kanë shkruar ato epope të lavdishme si të Tre Heronjve të Shkodrës apo Pesë Heronjve të Vigut që i bëjnë nder jo vetëm Shkodrës por të gjithë shqiptarëve. Në atë luftë, që me të drejtë na ka radhitur në Koalicionin Antifashist, Shkodra është një nder qytetet ku lufta ilegale në qytet kundër pushtuesve nazifashistë, ka qenë ndër më aktivet në Shqipëri. Për kujtesë, Gjimnazi i Shkodrës  i ka dhënë Shqipërisë më shumë dëshmorë e heronj se çdo shkollë tjetër e asaj kohe në Shqipëri…

Malësia e Madhe ka kontribuar dukshëm në luftën kundër fashizmit. Është për të ardhur keq që edhe sot e kësaj dite nuk është folur për qëndrimin e  batalionit të përbërë nga  malësorë të Malësisë së Madhe, që së bashku me ata që bënë rezistencë më 7 prill, u rreshtua në kodrat e Shijakut dhe priti me pushkë pushtuesit italianë, por që fatkeqësisht edhe këtu tradhtia nga lart bëri punën e vet. Siç kanë treguar pjesëmarrësit e këtij batalioni, ata, të “tradhtuar nga Tirana” u kthyen në këmbë në shtëpitë e tyre. Mirë historiografia komuniste që ka heshtë për këtë akt të tyre, dhe kjo kuptohet, sepse nuk mund të flitej për Mul Delinë (komandant i këtij batalioni) se ai ishte “bajraktar” e oficer i mbretërisë,  po vitet e fundit perse nuk është shkruar apo sepse dikujt nuk i pëlqen të shkruhet për luftën kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre…

Është e vërtetë se lufta në qarkun e Shkodrës, sidomos në Malësitë e saj, e kryesisht në Malësinë e Madhe nuk u zhvillua në ato përmasa që duhej të zhvillohej e siç e kishte traditë. Megjithatë, Malësia e Madhe e më konkretisht Rranxat (që z.Butka nuk i përfshin ne Malësinë e Madhe)  u bënë baza kryesore  (së bashku me Postribën) e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në krejt Qarkun e Shkodrës. Aty, që në pranverë të v.1942 u strehuan partizanët e parë, aty u krijua çeta e parë partizane, e më vonë batalioni “Perlat Rexhepi”, prej aty janë organizuar shumë aksione kundër pushtuesve, nga Malësia e Madhe është dëshmorja e parë e krejt Veriut të Shqipërisë, aty u zhvillua Lufta e Reçit kundër pushtuesve italianë, të cilët ndërmorën sulmin vendimtar (sipas tyre) luftë që i bën nder jo vetëm Malësisë së Madhe por gjithë qarkut të Shkodrës.

Pesë Malet e Mëdha nuk u përfshinë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare ashtu siç e kishin traditë, siç kishin ber gjatë shekujve kundër pushtuesve të huaj. Dhe kjo ka arsyet e veta dhe nuk është qëllimi i këtij shkrimi… Por popullsia e Maleve nuk u bashkua dhe nuk u bë mish për top e pushtuesve italianë e gjermanë. Është e vërtetë se disa krerë nga Malësia e Madhe bashkëpunuan me pushtuesit, siç është e vërtetë që Italia Fashiste, duke shfrytëzuar prapambetjen, traditat, faktorët fetarë etj. kishte arritur të krijonte një situatë të tillë, në mos të pajtueshme me pushtuesin, të paktën e më kryesorja për të, të pengonte organizimin masiv të popullsisë për luftë kundër pushtuesit.

Shmangia e vëllavrasjes

Për të penguar Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, pushtuesit italianë me ndihmën e disa krerëve vendas, kishin organizuar disa Besëlidhje kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Kështu më 15 shkurt të v.1943 ata organizuan Besëlidhjen e parë në Malësinë e Madhe dhe  më vonë,  më 30 maj organizuan atë që u quajt “Besëlidhja e Malësisë së Madhe”. Mjafton të përmendim faktin se në shtabin e kësaj Besëlidhje ishte atashuar dhe drejtonte majori i ushtrisë italiane, Xhelozi. Më herët, pushtuesit italianë kishin organizuar edhe disa të ashtuquajtura forca vullnetare të cilat i kishin armatosur dhe i paguanin duke qëndruar në shtëpitë e tyre “për çdo rast”. Por është e vërtetë se këto forca nuk u përfshin në luftë kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Është shumë domethënës fakti, që në Luftën e Reçit, kur pushtuesit italianë deshën të angazhonin këto forca kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare,  popullit të Reçit e atyre që u shkuan në ndihmë (disa ballistë e legalistë), ata nuk pranuan të luftonin kundër Reçit e luftëtarëve të lirisë. Duhet venë në dukje roli i kontributi i madh i komandantit të këtyre  forcave, bajraktarit të Hotit Mul Delia, (që së bashku me nipin e bajraktarit të Reçit, Ramadan Reçi, si përfaqësues i Lëvizjes Nacional Çlirimtare) arritën të pengonin fillimin e një lufte vëllavrasëse, pasojat e së cilës kush e di kur mund ishin zhdukur… (kjo është dhe një ndër arsyet kryesore që mbas pushtimit nazist, gjermanët e arrestuan dhe internuan këtë njeri me emër në Malësinë e Madhe).

Dua të shtoj se shmangja e vëllavrasjes në Luftën e Reçit është një mesazh tepër kuptimplotë që malësoret e Malësisë së Madhe i kanë çuar të gjithë shqiptarëve, se shqiptarët nuk duhet “me u vra me njëri tjetrin”. Siç është mesazh tepër kuptim plotë për gjithë shqiptarët edhe fakti, që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare në qarkun e Shkodrës, nuk kemi përplasje me armë midis forcave Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe atyre të Ballit Kombëtar apo Legalitetit.

Për të kuptuar më mirë situatën e ngjarjet e zhvilluara në Malësi të Madhe duhet t’i referohemi situatës së krijuar në këtë krahinë e më gjerë, në të gjithë rrethin e Shkodrës gjatë pushtimit gjerman e sidomos në prag të çlirimit të vendit. Në këtë periudhë qark komandant i xhandarmerisë në Shkodër ishte Llesh Marashi (nga Shkreli i Malësisë së Madhe), komandant i forcave të armatosura ishte Gjelosh Luli (me origjinë nga Hoti i Malësisë së Madhe). Po në këtë periudhë, në Shkodër e rreth saj vepronin batalioni i Myslim Bajgorës që i ishte bashkuar xhandarmerisë. Maliq Bushati, ministër i qeverisë kuislinge kishte organizuar batalionin e Hasan Isufit. Po ashtu aty vepronte xhandarmëria e Xhafer Devës që drejtohej nga oficerë e instruktorë gjermanë si dhe një batalion special i Mark Gjon Markaj, edhe ai nën drejtimin e instruktorëve gjermanë.

I përmenda me emra, sepse të gjithë këta, me përjashtim të dy kosovarëve Xhafer Deva dhe Myslim Bajgora, u bënë organizatorë e udhëheqës  të “rebelimit antikomunist” në Qarkun e Shkodrës, që në librin e U. Butkës quhen patriotë, atdhetarë e prijës të këtyre të ashtuquajturave kryengritje. Në arkivat shqiptare dhe ato gjermane ka me dhjetëra e dhjetëra dokumente të asaj periudhe ku del shumë qartë veprimtaria e këtyre “patriotëve” në shërbim të pushtuesit gjerman. Për çdo shqiptar të ndershëm e patriot, pavarësisht nga bindjet partiake, shtrohet një pyetje e ligjshme. A mund të jenë patriotë e atdhetarë ata që i shërbejnë pushtuesit duke u vënë direkt në shërbim të tij në pozita të larta e për më tepër ushtarako-policore? Si ka mundësi që në Shqipëri gjenden disa të ashtuquajtur studiues (fatmirësisht jo shumë) që në ndryshim me të gjitha vendet demokratike u thurin himne këtyre tradhtarëve? A e dinë ata se në Europë e më gjerë, edhe sot, mbas pothuaj 70 vjetësh mbas përfundimit të Luftës Dytë Botërore bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë vazhdojnë  të damkosen si tradhtarë? A e dinë ata se mbas Luftës së Dytë Botërore, ata janë nxjerrë para gjyqeve e kanë marrë dënimin e merituar? Dhe të tillë në Europë, janë dënuar me mijëra e mijëra (dokumentet tregojnë se në Francë janë dënuar për bashkëpunim me pushtuesit gjermanë 120 mijë vetë, nga të cilët 4785 janë dënuar me vdekje, pa përmendur 4500 të tjerë të ekzekutuar nga partizanët francezë, ndërsa në Norvegji janë dënuar 18 mijë vetë etj.). Në Francë, Holandë e në disa vende janë dënuar edhe prostitutat që “u shërbenin” pushtuesve gjermanë.  Dua të kujtoj edhe një fakt tepër kuptimplotë. Në fillim të viteve ’90-të, në ShBA u ndalua me ligj hyrja në ShBA për bashkëpunëtorët e nazifashizmit.

Në përfundim të Luftës, kur gjermanët ishin në grahmat e fundit, Shkodra u bë qendra kryesore ku, krahas forcave gjermane u grumbulluan mijëra vetë, (vitet e fundit disa studiues shkruajnë, deri në 20 mijë vetë) shumë prej të cilëve kundërshtarë të Luftës Nacional-Çlirimtare, që nga krerët e Ballit Kombëtar, Legalitetit, ish oficerë e bashkëpunëtorë të pushtuesve, ish ministra e anëtarë të qeverive kuislingë etj. Një pjesë e tyre donin të largoheshin së bashku dhe nën mbrojtjen e  gjermanëve jashtë Shqipërisë,  disa të tjerë, në pamundësi për të ikur, të fshiheshin për krimet që kishin kryer, ndërsa një kategori tjetër, të organizoheshin për të vazhduar rezistencën kundër Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Por shumë prej  tyre, të gënjyer u kthyen në shtëpitë e tyre.

“Besëlidhja Shkodrane”

Theksojmë se në Shkodër, në maj të vitit 1944 ishte krijuar “Besëlidhja Shkodrane”. Siç kishte ndodhur shumë herë në të kaluarën, këta “patriotë e atdhetarë”  kishin shpresa të mëdha se ajo do të gjente mbështetje e përhapje në Malësi të Madhe. Por Malësia e Madhe nuk ra në grackën e këtyre “patriotëve” që në shumë raste ishin përpjekur ta shfrytëzonin Malësinë për interesat e tyre. Duke parë qëndrimin e Malësisë së Madhe, Llesh Marashi, në cilësinë e qarkkomandantit ankohej, se në Malësi, shumë vetë nuk po e respektonin “Besëlidhjen Shkodrane”, dhe në letrën e tij, përmendte si shembuj negativë, krahas famullitarit të Reçit edhe kryetarin e Komunës së Kelmendit (tërheq vëmendjen ky fakt për ngjarjet në fjalë). Pak ditë para çlirimit të Shqipërisë, u krijua edhe një organizëm gjoja ushtarak, me komandant shërbëtorin e bashkëpunëtorin e të gjithë pushtuesve, Mark Gjon Markaj, duke e quajtur “Lidhja Shkodrane”, me qëllim “që të mos lejonte Ushtrinë Nacional Çlirimtare të hynte në  qytetin e Shkodrës”, por që nuk pati asnjë aktivitet dhe u shpërnda pa u krijuar mirë. Tërheq vëmendjen edhe një fakt interesant. Më dt.23 nëntor në Shkodër u zhvillua edhe një takim  midis nacionalistëve të Shqipërisë dhe atyre të Malit të Zi, ku pala shqiptare përfaqësohej nga Kol Bib Mirakaj, Tahir Kolgjini, Xhelal Bushati etj. Aty u nënshkrua dhe një marrëveshje ku, ndërmjet tjerave, thuhej: “të lejonin pa kundërshtim kalimin dhe qëndrimin në tokën shqiptare të ushtrisë nacionaliste të Malit të Zi, e në rast nevoje, së bashku me ushtrinë kombëtare shqiptare, me marshue nëpër tokën shqiptare të ushtrisë së Malit të Zi dhe të luftonin së bashku kudo që e lypë interesi i përbashkët  i dy vendeve”.(sipas dokumenteve qe ndodhen ne Arkivin e Shtetit). Dihet se edhe kjo marrëveshje mbeti në letër…

Më 29 nëntor Ushtria Nacional Çlirimtare hyri si çlirimtare në Shkodër, por lufta  s’kishte mbaruar. Vërtet ishte çliruar Shqipëria, por Gjermania naziste vazhdonte luftën në shume vende të Europës, madje edhe në afërsi të kufijve të Shqipërisë. Aleatët përgatisnin takimin e Treshes së Madhe në Jaltë, ku priteshin të merreshin vendime të rëndësishme  për t’i dhënë goditjen përfundimtare Gjermanisë Naziste dhe Japonisë dhe për të vendosur për të ardhmen e botës së mbas luftës. Në shumë vende të Europës, pavarësisht se gjermanët ishin përzënë ose ishin në tërheqje, mbeturina të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vazhdonin të rezistonin. Kjo ngjiste në shumicën e vendeve europiane, përfshi edhe Bashkimin Sovjetik, ushtria e të cilit po i afrohej Berlinit. Kjo ndodhte në Jugosllavi, Greqi, Itali, Francë, Norvegji, Poloni, Hungari, Rumani, Çekosllovaki etj. pra në vende që konsideroheshin të çliruara ose ishin në prag të çlirimit. Megjithëse pushtuesit gjermanë ishin përzënë, ose ishte në grahmat e fundit, ushtritë vazhdonin të ishin në gatishmëri dhe grupime ushtarake apo civile, pavarësisht nga cila anë kishin luftuar, vazhdonin të qëndronin të armatosura. Për këdo është e qartë se të gjitha këto ndodhnin sepse Lufta nuk kishte mbaruar. Kudo në këto vende, mbeturina dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve vazhdonin përpjekjet e armatosura, duke ndërmarrë sulme të armatosura kundër pushtetit të ri që po vendosej. Kjo ishte me pak fjalë situata në Europë.

Kështu ka ndodhur në atë periudhë edhe në Shqipëri. Edhe mbas 29 nëntorit, grupe të armatosura, kriminelë e banditë ordinerë, të organizuar në banda, ish-bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë, të organizuar në grupe apo çeta të vogla, ndërmerrnin herë pas here sulme të armatosura kundër qendrave të pushtetit të ri që po vendosej, qofshin këto posta ushtarake, komanda vendi (siç quheshin atëherë qendrat e para te pushtetit), qendra të këshillave popullore apo Nacionalçlirimtare etj. Madje, në disa zona ata kishin kurajën t’i kundërviheshin me armë edhe Ushtrinë Nacional Çlirimtare.

Pavarësisht nga situata e krijuar në prag të çlirimit të vendit, Ushtria Nacional Çlirimtare u prit me entuziazëm në Shkodër.  Dokumentet e kohës, përfshi shumë fotografi, e tregojnë më së miri këtë. Mijëra vetë nëpër rrugët e Shkodrës përshëndesnin çlirimtarët. E njëjta gjë ndodhi edhe në Malësinë e Madhe. Në qoftë se në disa krahina të tjera të Veriut, si në Mirditë, Iballë të Pukës e Nikaj Mërtur, ish-bashkëpunëtorët e pushtuesit kishin organizuar rezistencë me armë ndaj Ushtrisë Nacional Çlirimtare (pavarësisht se u thyen shpejt) në Malësi të Madhe ndodhi krejtësisht ndryshe. Askund dhe në asnjë rast Ushtria Nacional Çlirimtare nuk u prit me pushkë, megjithëse një pjesë e kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesve italo-gjermanë ishin arratisur dhe kishin gjetur strehë në Malësi të Madhe…

Bashkëpunëtorë të fashizmit apo antikomunistë?

Në librin e U. Butkës përmenden me emra si organizatorë e drejtues të atyre përpjekjeve me armë që autori i quan kryengritje, disa prej bashkëpunëtorëve më të zellshëm të pushtuesve nazifashistë, ku bien në sy emrat e Jup Kazazit, Mark Gjon Markajt, Llesh Marashit, Kolë Ashikut, Gjelosh Lulit, Nikoll Dedës, Gjergj Lulës, Hasan Isufit etj. Të gjithë këta i kishin shërbyer pushtuesve dhe ishin dalluar si shërbëtorë shumë të zellshëm te tij… Pa u zgjatur me veprimtarinë e tyre (ekzistojnë me qindra e qindra dokumente në arkivat tona, italiane e gjermane), po përmendë disa nga funksionet që kanë pas disa prej tyre gjatë pushtimit:
Jup Kazazi rridhte nga një familje shumë e njohur në Shkodër, që ishte shquar për patriotizëm e bujari. Ai kishte mbaruar shkollën e lartë në Itali. Që me pushtimin e vendit nga Italia Fashiste ai u vu në shërbim të saj, në detyra të ndryshme, si Sekretar Federal, anëtar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, prefekt i Durrësit, Ministër i Partisë Fashiste, zv/prefekt i Shkodrës. Në gusht të v.1943, kur Italia Fashiste ishte në grahmat e fundit, largohet nga detyrat shtetërore fashiste.

Mark Gjon Markaj, djali i Gjon Marka Gjonit, i njohur për veprimtarinë e tij në dëm të interesave të Shqipërisë…. Në vitet 1940-1943 ai ishte anëtar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, në vitet 1941-1943 nën/ministër i Punëve të Brendshme (realisht ministër, sepse ministri ishte italian me qendër në Romë). Me pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania Naziste, vihet në shërbim të saj dhe emërohet Ministër dhe nënkryetar i Legjislativit.

Llesh Marashi, ish oficer i kohës së Mbretërisë, rridhte nga një familje me emër në Malësi të Madhe. Mbas pushtimit nga Italia Fashiste, me gjithë joshjet e pushtuesve italianë, ai nuk pranoi të bashkëpunonte me ta. Madje në fillim të vitit 1943, ai iu përgjigje thirrjes së Frontit Nacional Çlirimtar dhe u bashkua me partizanët, të cilët e zgjodhën komandant çete. Mbasi qëndroi rreth 3 javë në çetën partizane, papritur iku nga çeta, së bashku me njerëzit e tij (7 vetë). Qëndrimi i tij deri në Luftën e Reçit ka qenë i dyshimtë, sepse vërtete ai mori pjesë në Luftën e Reçit, por menjëherë mbas pushtimit të vendit nga nazistët gjermanë, ai u vu krejtësisht në shërbim të tyre, të cilët e emëruan në postin tepër të lartë për atë kohë, në atë të Qarkkomandantit të Shkodrës. Zoti Butka e të tjerët, besoj kanë parë dokumentet e kohës së luftës që tregojnë veprimtarinë e tij… Pa u zgjatur, do përmendë vetëm faktin, se sipas dokumenteve të shumtë që gjenden në arkivat tona e ato gjermane, Gestapo, së bashku me njerëzit e Llesh Marashit e kryesorja me firmën e tij, arrestuan rreth 200 të rinj nga Shkodra dhe i internuan në kampet naziste, kryesisht në atë të Prishtinës, 80 prej të cilëve nuk u kthyen më… Shumica dërmuese e tyre në lulen e rinisë.

Gjelosh Luli, ish oficer i Mbretërisë, me prejardhje nga familja e dëgjuar e Dedë Gjon Lulit, menjëherë mbas pushtimit të vendit nga Italia Fashiste u vu në shërbim të saj. Me pushtimin e vendit nga nazistët gjermanë vazhdoi në këtë rrugë, duke qenë gjatë gjithë kohës së pushtimit komandant i Forcave të Armatosura të Qarkut të Shkodrës.

Kolë Ashiku, i njohur që në rini si spiun i të huajve. Në v.1920, ai (për llogari të armiqve të Shqipërisë) ka vrarë në Shkodër patriotin e Sali Nivica. Mbas daljes nga burgu është vënë në shërbim të jugosllavëve dhe ka jetuar për shumë kohë në Beograd. Me pushtimin e vendit nga Italia fashiste është vënë në shërbim të saj, në rolin e kryespiunit, veprimtari që e ka vazhduar më me intensitet gjatë pushtimin gjerman. Në v.1946, në hetuesi ka pranuar veprimtarinë e tij si spiun, ku ndërmjet tjerave ka pohuar se “sa iku Zogu, spiunët e tij u banë spiunë të Italisë, sa kapitulloi Italia fashiste, të nesërmen, ata (spiunët) kanë ardhë te unë për tu regjistruar si spiunë të Gestapos”.

Hasan Isufi, ish kapiten gjatë pushtimit nazist, i njohur për frikën dhe tmerrin që kishte shkaktuar në radhët e popullsisë së Shkodrës batalioni i tij, ku ai ishte komandant e ku si instruktorë shërbenin oficerë gjermanë…
Nikoll Deda, ish kryetar i Komunës së Shkrelit gjatë pushtimit, i njohur për veprimtarinë e tij në shërbim të pushtuesve nazifashistë. Me dhjetëra dokumente të kohës së luftës flasin shumë qartë për këtë.
Kështu mund të vazhdohet edhe me të tjerë…

Kush provokoi i pari?

Ndërmjet tjerave autori shkruan: “Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte lëvizje refraktare e vetvetishme, e provokuar nga mësymja e ushtrisë qeveritare për ta nënshtruar e ndëshkuar atë: ishte lëvizje e gjerë popullore, ku morën pjesë gati të gjithë malësoret: ishte një reagim e veprim i brendshëm, i pa urdhëruar nga ndokush tjetër, nga jashtë apo nga brenda” (fq. 45).

Së pari, Ushtria Nacional Çlirimtare nuk ka mësy dhe nuk ka provokuar askënd, sepse nuk kishte nevojë të provokonte, të mësynte e për me tepër të ndëshkonte ndokënd. Dhe kjo është e qartë për këdo, sepse që të mësysh duhet të kesh një armik përpara. Ajo hyri e qetë e pa asnjë ngacmim nga askush në Malësi të Madhe, madje në shumicën e fshatrave u prit si çlirimtare. Nuk ka asnjë ngjarje a përplasje midis Ushtrisë e kujto qoftë gjatë muajit dhjetor, kur po vendoseshin organet e para të pushtetit të ri, sepse edhe ata kriminelë e bashkëpunëtorë të fashizmit që ishin fshehur në Malësi të Madhe, nuk kishin asnjë forcë reale me vete, madje fillimisht strukeshin për të ruajtur kokën e tyre. Ata filluan të organizohen në fund të dhjetorit, kur zhvilluan dhe takimet e para, për krijimin e grupeve e “çetave”, kur ushtria e forcat e pushtetit të ri ishin shtri dhe së bashku me malësorët vendas, po krijonin organet e pushtetit të ri. Së dyti, e kryesorja, ajo nuk ishte aspak një lëvizje e gjerë, por shumë e kufizuar, që u shtri në një zonë tepër të ngushtë të Malësisë, në zonën e Kastratit e Shkrelit dhe nga një grusht njerëzish.

Por masat shtrënguese kanë filluar si kundërpërgjigje ndaj aksioneve e sulmeve të armatosura të këtyre grupeve, kundër forcave qeveritare, në Bajzë të Kastratit dhe Koplik. Në asnjë rast UNÇ nuk ka filluar e para pushkën, përkundrazi, faktet e dokumentet vërtetojnë më së miri, se mbasi është sulmuar, atëherë ajo ka filluar mësymjen, përndryshe “operacionet e spastrimit”.

Kryengritja e Kelmendit

Por le të vazhdojmë me atë që autori e quan Kryengritja e Kelmendit.
Kelmendi shtrihet në skajin më verior të Alpeve të Shqipërisë. Historikisht ai ka qenë pjesë e Malësisë së Madhe dhe, sipas organizimit të Malësisë, ai ka qenë bajraku i tretë, mbas Hotit e Grudës ( në organizimin e brendshëm, Kelmendi ndahej në katër bajrakë. Por kjo ka qenë një nënndarje e brendshme, sepse në çdo rast, në kuadrin e Malësisë së Madhe, Kelmendi është njohur e përfaqësuar si një bajrak i vetëm). Para vendimeve të Kongresit të Berlinit, brenda Kelmendit përfshiheshin edhe Plava e Gucia (sot brenda territorit të Mal të Zi) e deri në Vuthaj (sot brenda territorit të Kosovës). Rrethuar nga të gjitha anët me male, popullsia e tij bënte një jetë të mbyllur, të kufizuar kryesisht brenda vetes. Megjithëse të varfër, banorët e kësaj krahine dalloheshin për bujari e mikpritje të jashtëzakonshme.

Të gjendur ballë për ballë me sllavët e në ngatërresa të vazhdueshme me ta (për të mbrojtur kufirin, kullotën, ujin, malin, bjeshkën, pyllin etj.) banorët e kësaj krahine janë dalluar historikisht për atdhedashuri, patriotizëm e trimëri. Në të gjitha zhvillimet politike e ushtarake, Kelmendi ka qenë pushkë e parë, ku bijtë e tij janë shquar si luftëtarë trima. I veçantë ka qenë qëndrimi i tyre në mbrojtje të Vermoshit, kur ish Mbreti Zog, sipas marrëveshjes me Beogradin, ia dhuroi atë Jugosllavisë….

Siç thamë, pjesëmarrja e “Maleve” në Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë e ultë, ndërsa e Kelmendit mund të thuhet e papërfillshme. Por duhet thënë se Kelmendi nuk është shkelur as nga pushtuesit italianë e gjermanë. Me përjashtim të disa ekspeditave për të studiuar mundësitë e shfrytëzimit të pasurive natyrore (pyje, nëntoka, ujërat etj.) apo të ndonjë njësie të vogël ushtarako-policore që vinte nga Plava e Gucia (që në kuadrin e Shqipërisë etnike u bashkuan me Shqipërinë), në Kelmend nuk ka shkelur asnjë ushtri e huaj. Duhet vënë në dukje se Kelmendi nuk kishte asnjë rrugë komunikacioni dhe, rruga për në Shkodër bëhej vetëm në këmbë ose me kafshë që zgjaste 2-3 ditë (rruga e parë automobilistike që e lidhte Kelmendin me Shkodrën është ndërtuar në v.1968).

Duke qenë zonë e izoluar, ku mungonin krejtësisht shkollat, numëroheshin me gisht njerëzit që dinin shkrim e këndim. Si shumë malësorë të Malësisë së Madhe, shumë prej tyre bënin jetë të dyzuar, mes maleve e fushës. Që herët, Turqia, për interesa të veta, kishte lejuar, madje kishte ndihmuar që shumë malësorë, përfshij edhe nga Kelmendi, të zbrisnin në kënetat e bregdetit, që nga Nën Shkodra, Bregu i Matit, e deri në zonën e Milotit. Si njerëz që kishin vuajtur gjithë jetën për një copë tokë, ata arritën të hapnin toka të reja në këneta, të shtonin blegtorinë e të përmirësonin jetën e tyre. Por shumë prej tyre nuk ndaheshin nga malet ku shkonin në pranverë dhe ktheheshin në vjeshtë. Kështu ka vazhduar për shumë e shumë vite, deri sa një pjesë e tyre u ngulit përfundimisht në këto zona ku jetojnë edhe sot. Janë pikërisht pasardhësit e atyre malësorëve që edhe sot e quajnë veten malësorë, megjithëse kanë lindur e janë rriture në fushë, në Velipojë, Breg të Matit, në bregdetin e rrethit të Laçit etj.

Duke qenë pranë qendrave të banuara, ata kishin mësuar gjera të reja e mënyra të reja jetese, që në forma të ndryshme i çonin edhe në Kelmend, por gjithsesi jeta atje vazhdonte në traditën e saj shekullore… Kështu e gjeti Kelmendin çlirimi i vendit.

Prek Cali – antizogist, antikomunist dhe… antidemokrat!

Për shumëkënd që e njeh Kelmendin, kur përmendet ai, menjëherë i shkon mendja tek Prek Cali, emër tepër i njohur për këdo në Kelmend e në krejt Malësinë e Madhe e që i kishte kaluar kufijtë e saj, por që mbas Luftës vëllavrasëse të Kelmendit u damkos si tradhtar e bashkëpunëtor i fashizmit, reaksionar, feudal, bajraktar etj. etj. e që mbas viteve ‘90-të u ngrit në piedestal, duke e hyjnizuar e kthyer pothuajse në mbinjerëzor….Duke qenë një figurë tepër interesante që kërkon trajtim të ekuilibruar, larg mllefeve e ndikimeve ideologjike, qoftë të kohës së socializmit, qoftë të periudhës së “tranzicionit” ai mbetet një figurë me shumë vlera sidomos për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë dhe mbrojtjen e tyre. Por gjithsesi, ai ishte njeri, me të mirat e këqijat, meritat e gabimet. Ai ishte njeri i thjeshtë, i dalë nga populli, që megjithëse analfabet, me urti e burrëri, diti të ecte përpara e të bëhej i respektuar nga shumëkush, madje edhe nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha që u morën me caktimin e kufijve veriorë. Roli i tij është tepër i madh per mbetjen e Kelmendit brenda territorit të Shqipërisë.

Është për të ardhur keq që nuk është folur për rolin e tij në mbrojtje të Vermoshit, kur ish Mbreti Zog ia dhuroi atë Jugosllavëve dhe ai u vu në krye të malësorëve për ta mbrojtur me jetën e tyre që ai të mbetej brenda kufijve të Shqipërisë. Në kohen e socializmit nuk flitej sepse ai ishte damkosur si tradhtar, ndërsa tani nuk flitet se ata që e hyjnizojnë, duan t’i shmangen këtij akti tradhtar të Ahmet Zogut… Ky, mbasi erdhi në pushtet e internoi Prek Calin. Në fakt armiqësia midis tyre lidhej edhe me faktin se ai kishte përkrahur Revolucionin e Qershorit. Dokumentet flasin se armiqësia midis tyre ishte më e hershme, mbasi në v.1923 A. Zogu nuk i dilte zot dhe nuk ngrinte zërin për të mbrojtur Vermoshin nga ngacmimet e sulmet e jugosllavëve (Një fakt tepër interesant. Në arkivat ruse kam gjetur dokumente që tregojnë se krahas jugosllavëve, në këto veprime të armatosura kanë marrë pjesë edhe bjellogardistë rusë, pikërisht nga ata që në dhjetor 1924 sollën Zogun në pushtet). Pavarësisht se mbas katër vite internimi, Zogu e lejoi Prek Calin te kthehej ne vendin e tij dhe, siç kishte vepruar edhe me të tjerë, që me dhelpëri e joshje përpiqej të merrte me të mirë armiqtë e kundërshtarët, i dha gradën e kapitenit në rezervë, duke e caktuar “për mbajtjen e qetësisë publike dhe ruajtjen e kufijve të Kelmendit”. Megjithatë, ata nuk u bënë kurrë miq. ….
Gjatë periudhës së Luftës Dytë Botërore, tashmë në moshë të thyer, ai ka qëndruar pothuajse gjatë gjithë kohës në fshatin e tij, në Vermosh. Italia Fashiste që ndiqte një politikë mikluese ndaj njerëzve me emër, e kishte caktuar në detyrën e komandantit të forcave vullnetare të Kelmendit, Plavës e Gucisë. Për veprimtarinë e tij gjatë luftës të dhënat janë kontradiktore. Ka dokumente që tregojnë pakënaqësi të pushtuesve ndaj tij për mosveprim kundër atyre që luftonin për liri, siç ekziston edhe ndonjë dokument që tregon se ai ka marrë pjesë në ndonjë aksion kundër atyre që luftonin për çlirimin e vendit. Kështu në një letër të Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmerisë, Hysni Dema të dt.19 prill 1944 thuhej: “Informohemi se komunistët e Tuzit janë tuj lëvizë lirisht në atë rreth dhe komandanti i atyshëm nuk ka marrë ndonjë masë. Hetoni mbi sa më sipër dhe na njoftoni se ç’arsye e pengojnë atë oficer të mos marri masa kundër atyne komunistave”. Kolonel Hysni Dema.

Shkodra_Albania_1_03Ndërsa në një letër të Komandantit të Përgjithshëm të Rojës Kufitare, drejtuar Komandës së Mbrojtjes Kombëtare dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërmjet tjerave thuhet: “Komanda e batalionit Heroi i Kufirit Shkodër, e mbështetur në informatat që ka marrë telegrafisht, na njofton se Prek Cali me një çetë vullnetarësh të katundit të tij, së bashku me disa çeta të Plavë e Gucisë, në bashkëpunim me çetnikët malazezë që ndodheshin në katundin Vermosh, mbasi kanë kalue kufinin kanë mësy partizanët dhe në vazhdim të një përpjekje janë shpartallue. Prek Cali me 20 vetë ka mujtë me shpëtue, kurse shokët e tij kanë metë mrena. Prek Kola prej katundit Vermosh e banues në Guci, me të birin janë zanë rob prej partizanëve, të cilët mandej i kanë lirue…Shtojmë se fati i çetnikëve nuk dihet”. Kolonel Sami Koka ( Arkivi Qendror i Shtetit).

Mbas çlirimit të vendit Prek Cali nuk iku jashtë Shqipërisë, as nuk u fsheh shpellave siç bënë disa të tjerë. Ai qëndroi në shtëpinë e vet, i respektuar deri në fund nga shumica dërmuese e malësorëve, por jo ashtu siç shkruan U.Butka se “Popullsia e Malësisë së Madhe dha kushtrimin . Prijësit e saj ishin Gjelosh Luli, Prek Cali dhe Llesh Marashi” ( fq. 34)

Duke ju referuar dokumenteve që përmendë Z. Butka dhe atyre që nuk i përmendë, në asnjë dokument nuk rezulton që Prek Cali ose përfaqësues të Kelmendit të kenë marrë pjesë në ato kuvende që organizuan Llesh Marashi e të tjerë, për më tepër, që ata vetë të kenë organizuar kuvende për përgatitjen e kryengritjes kundër pushtetit të ri. Nga dëshmia e Llesh Marashit në gjyqin Ushtarak, që U. Butka i referohet me hollësi ( fq.36), del shumë qartë se ata kishin menduar të organizonin një mbledhje me parinë e Malësisë së Madhe, ku dhe i kishin ftuar dhe ai përmendë me radhë Hotin, Kastratin, Bzheten, Dedaj, Zagorën ( këto tre të fundit, fshatra të bajrakut të Shkrelit) etj. Ai pohon në gjyq, se kishin tentuar të organizonte çeta, në Hot, Kastrat e Shkrel. Kelmendi nuk përmendet fare. Edhe në relacionin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (fq.37) ku flitet për organizmin e një mbledhje të parisë së Malësisë së Madhe, ku merrnin pjesë përfaqësues nga Hoti, Shkreli, Bzheta, Dedaj e Zagora, nuk flitet asnjë fjalë për Kelmendin.
Në kapitullin “Kryengritja e Kelmendit” ( f.40) thuhet “Malësia e Madhe kishte dhënë kushtrimin. Kelmendi ishte në ballë të kësaj rezistence me në krye Prek Calin”. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Që te qëndronte në ballë, duhej të organizohej, të ishte e para në përplasjen e armatosur. Kelmendi ishte i fundit për nga pozicioni gjeografik e jo i pari, pra nuk kishte si të qëndronte në ballë. Për me tepër, përfaqësuesit e Kelmendit nuk morën pjesë në asnjë prej këtyre kuvendeve ku planifikohej “kryengritja”, kështu që nuk kishte si të ishte në ballë. Megjithëse kapitulli që i kushtohet kësaj “kryengritje”, është hallakatje për t’ju shmangur pikërisht asaj, që vetëm kryengritje nuk ka qenë.

Brigada e Parë në Malësinë e Madhe

E vërteta, dhe këtë e di i gjithë Kelmendi, ka qenë krejtësisht ndryshe. Siç thamë me sipër, në ndryshim me ndonjë krahinë tjetër, në Malësi të Madhe, Ushtria Nacional Çlirimtare nuk hasi asnjë rezistencë të armatosur. Ashtu si ka ndodhë kudo neper Europë, edhe në Shqipëri, puna e parë ishte vendosja e pushtetit të ri dhe eliminimi i elementëve që kundërshtonin me armë pushtetin. Kjo do të ndodhte edhe në Kelmend. Kështu një pjesë e batalionit të parë të Brigadës I Sulmuese (tri kompani) ishin nisur drejt Kelmendit. Në një dokument të këtij batalioni për këtë mision thuhet: “Me 30 të muajit nanduer niset për në Shkodër dhe aty vendoset. Me 11 janar 1945 tri kompani të batalionit të parë që ndodheshin në Shkodër, u nisën për të kryer një mision që i ishte ngarkuar batalionit tonë në Kelmend të Malësisë së Madhe. Aty duhej të organizonte Këshillat Nacionalçlirimtare dhe të pastronte zonën nga ndonjë bandë reaksionare që mund të ndodhej aty” (Arkivi Qendror i Ushtrisë).

Sipas dëshmisë të Bejto Faslisë dhe siç e dinë shumë njerëz në Kelmend, ai, i sapo emëruar komandant vendi në Koplik (qendra e Malësisë së Madhe) do të nisej së bashku me batalionin në drejtim të Kelmendit vetëm me këtë qëllim (siç thuhet në dokumentin e mësipërm), për të organizuar Këshillat Nacionalçlirimtare. Si malësor i Malësisë së Madhe që i dinte zakonet e traditat, para nisjes kishte marrë përsipër të bisedonte me krerët e Kelmendit për misionin e këtij batalioni dhe kryesorja që partizanët ( kështu vazhdonin të quheshin ata edhe në ketë kohë) të priteshin si miq. (Në një letër tjetër të komandës së batalionit thuhet se Bejto Faslia thotë se në Kelmend “do të hymë si miq, vetëm në marrëveshje me kelmendasit”, detyrë të cilën ai e ka marrë përsipër).

Mbasi ai është marrë vesh me përfaqësuesit e Kelmendit, batalioni është nisur qetësisht drejt Kelmendit, pa pasur asnjë shqetësim rrugës dhe i sigurt se në Kelmend do të priteshin si miq. Ishte përhapur ndonjë thashetheme se mund të përplasej me ndonjë grup të armatosur në Hot, meqë thuhej se aty ishin strehuar disa nga bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë. Por edhe aty gjithçka ka shkuar mirë e pa asnjë problem, sepse krahas tjerave, Kadri Delia, përfaqësuesi i shtëpisë së bajraktarit ( Bajraktari Mul Delia, siç e kemi përmendë më lart ishte internuar nga gjermanët) ka luajtur rol pozitiv për sistemimin e partizanëve dhe shoqërimin e tyre për në Kelmend. Madje ai vetë i ka shoqëruar partizanët deri në Rapsh të Hotit (fshat kufitar midis Hotit dhe Kelmendit).

Siç flasin dokumentet, dhe siç kanë dëshmuar dëshmitarë të këtyre ngjarjeve, mbas një marshimi dy ditor, batalioni ka arritur në Rrapsh të Hotit më 13 janar, ku është pritur me “bukë e kripë e zemër”. Siç kanë qenë zakonet e traditat e maleve tona, kur jovendasit kanë shkuar nga një vend në tjetrin, për çdo rast, ata janë shoqëruar nga vendas. Kështu ka vepruar edhe Hoti në këtë rast. Katër hotjanë (të cilët z. Butka i përmendë me emër fq.56) i kanë shoqëruar si udhërrëfyes, dhe batalioni është nisur qetësisht drejt Kelmendit.
Z.Butka dhe të tjerët, që nuk i dinë traditat e maleve, duhet ta mësojnë se kur përfaqësues të një krahine shoqërojnë këdo që sulmon krahinën tjetër, atëherë midis dy krahinave fillon armiqësia dhe ndoshta pushka, por në ketë rast hotjanët kanë shkuar jo si hjeksa por si udhërrëfyes vullnetarë, sepse përndryshe midis dy krahinave do të kishte hy armiqësia, ndoshta dhe pushka.

Në këtë kohë, sipas marrëveshjes që ishte arritur më përpara, populli ishte përgatitur për të pritur partizanët “me bukë, kripë e zemër”. Madje, paraprakisht kishin bërë edhe planin për shpërndarjen e partizanëve neper shtëpitë e malësorëve, që, sipas gjendjes ekonomike, do të strehoheshin ku një, ku dy apo tre partizanë. Megjithëse të varfër, ata kishin filluar përgatitjet për të pritur miqtë dhe, siç kanë treguar vendasit, kishin venë edhe darkën në zjarr për të përgatitur atë që u ndodhej në shtëpi…

Kjo është e vërteta, pavarësisht nga deformimet e periudhës së socializmit dhe shtrembërimet e gënjeshtrat e këtyre viteve të fundit, të cilave fatkeqësisht u ka besuar dhe i ka përsëritur, madje i ka ngatërruar edhe më shumë z. Butka në librin e tij. Për këto janë dëshmitarë malësoret e Kelmendit, që e dinë më mirë se kushdo këtë të vërtetë.

(SHKRIM I PUBLIKUAR ME 28 JANAR 2014 NE “DITA”)