Negociatat shqiptare me BE, kur vendet anëtare luajnë sipas halleve të tyre!

Nga Ardit Rada

Nëse besoni se gara për hapjen e negociatave vendoset vetëm nga zhvillimi i situatave në Shqipëri, thjesht gaboheni. Sepse procesi i integrimit europian influencohet në çdo moment të tij nga dinamikat e zhvillimeve brenda vendeve anëtare, nga luftërat në rajonet rreth kontinentit, flukset e emigrantëve, terrorizmi apo edhe tendencat politike të vendeve të tjera, siç është rasti i presidencës Trump. Siç shihet është një lojë me shumë porta, një ekuacion me shumë të panjohura.

Nga këto ligjësi të shkruara e të pashkruara nuk bën përjashtim as rasti shqiptar, me negociatat për anëtarësimin në BE. Siç dihet pas pak ditësh krerët e Unionit duhet të marrin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dhe këtu nis baleti i interesave të brendshme të vendeve anëtare.

Së paku tre vende të Bashkimit Evropian momentalisht e bëjnë të pasigurtë çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Bëhet fjalë për Francën, Danimarkën dhe Holandën.

Bashkimi Evropian është ndarë prej kohësh në dy kampe. I pari udhëhiqet nga Franca dhe Holanda, të cilat shprehen se BE duhet të fokusohet në reformimin e vetvetes pas largimit të Britanisë së Madhe, para se të marrë në konsideratë anëtarë të rinj.

Nga ana tjetër, këto vende shqetësohen se ftesa për vendet ballkanike do të ishte një dhuratë për oponentët populistë të BE në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që mbahen në vitin 2019.

Një ditë më parë “Der Standard” jepte shpresë, teksa shkruante se Holanda dhe Danimarka kanë gjasa ‘të kthejnë’, kur të gjithë të tjerët po tërhiqen.

Retures raportonte pak kohë më parë se në Bruksel thuhet se “Macron ka ndjesinë se do t’u hapte krahun djathtistëve në politikë” nëse hapte dritën jeshile për Ballkanin. Dhe Macron është tejet i ndjeshëm ndaj numrave të të djathtës franceze që çuan në disfatë paraardhësin e tij Hollande.

Edhe qeveria holandeze e argumenton qëndrimin e saj kundër, me frikërat e brendshme. Përballë pretendimeve të reja nga dyshja skeptike, qëndron Komisioni Europian, i cili kërkon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Teknicienët kanë thënë “Po”, por ata që votohen janë politikanët!

Përballë Francës dhe Holandës qëndrojnë zyrtarë të Komisionit Evropian, politikanë të lartë gjermanë dhe qeveritë nga Evropa Lindore e Qendrore. Ata argumentojnë se BE duhet t’i mbajë vendet e Ballkanit në orbitën e tij për të kundërshtuar influencën në rritje në oborrin jugor nga fuqi rivale.

Gjermania është lokomotiva e Europës. Edhe tani, kur Merkel po përpiqet të luajë në rrafshin europian, edhe pse ka kundër aleatët kryesorë politikë. Qëndrimi i saj ndaj refugjatëve ndërthuret me dëshirën për të promovuar Tiranë e Shkupin. Një lojë ekuilibri e vështirë për kancelaren me mbështetje gjithnjë e më të dobët brenda vendit.

Një erë jo e mirë fryn edhe në Lindje. Aty ku tekat nacionaliste e ksenofobe të Orbanit dhe performanca e dobët e vendeve si Rumania e Bullgaria, e kanë bërë klubin europian të duket si një tryezë e shthurur, ku idea e zgjerimit duket thjesht si një shtim telashesh, në një shtëpi që edhe kështu ka plot halle.

Pra, hapja ose jo e negociatave nuk është më një çështje që i takon Tiranës. Aq më tepër kur bëhet fjalë për më pak se një javë kohë nga samiti i 28 Qershorit. E parë me syzet e vogla të Shqipërisë, kryesisht për konsum të brendshëm politik, çelja e negociatave shihet si një dështim i qeverisë, nga ana e opozitës. Ndërsa qeveria nga ana tjetër, një mbyllje dere nga BE-ja do t’ia faturonte opozitës si lobuese kundër integrimit të vendit. Por edhe vetë kryeministri Rama nuk i ka kursyer akuzat ndaj BE-së duke e paraqitur rrezikun rus si kërcënim, nëse BE nuk bën një hap drejt Ballkanit Perëndimor. Madje Rama kulmoi teksa tha se është gati t’i riatdhesojë të gjithë shqiptarët problematikë, nëse ata janë sebepi i Evropës për të mos hapur negociatat.

Gjithsesi sipas zyrtarëve të lartë të Komisioni Evropian, Shqipëria i ka përmbushur kriteret dhe Europa duhet t’i qëndrojë fjalës së saj. Ky është një qëndrim zyrtar dhe çdo përgjigje tjetër nga BE-ja do të shihej si prerje në besë nga ana e shteteve që do të ishin kundër. /Javanews/

 

e.k/dita