Negociatat, nis sot puna përgatitore– Komisioneri Hahn: Në shtator, një fazë e re mjaft kërkuese

Shtatori do të nisë me një fazë të re mjaft kërkuese, e cila lidhet me takimet që do të zhvillohen në Bruksel kapitull pas kapitulli. Deklarata ka ardhur nga Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, gjatë takimit të tij me kryminstrin Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të qeverisë në kuadër të nisjes së fazës përgatitore të negociatave.

Sipas Hahn, së shpejti do të jetë gati edhe kalendari me datat e sakta në mënyrë që administrata të bëjë punën e nevojshme. Ndërkohë, vuri theksin te personeli i ministrive të linjës, që sipas tij duhet të kenë njohuri të nevojshme.

“Në çdo ministri të linjës do t’ju duhet një personel i nevojshëm që do të negociojnë jo vetëm me ne, por do të negociojnë edhe me drejtoritë e specializuara të Komisionit. Ndaj, është e nevojshme të keni personel me njohuri të nevojshme”, tha ndër të tjera Hahn.

Më tej, duke u ndalur te procesi i Vettingu-t, komisioneri tha se ai duhet të vijojë së bashku me ristrukturimin e gjyqësorit si dhe me krijimin  e strukturave të reja, pasi sipas tij shteti i së drejtës është diçka që shihet me shumë kujdes nga vendet anëtare. Ndërkohë, shtoi po ashtu se duhet të intensifikohen rezultatet në krimin e organizuar dhe korrupsionin.

G.D/SCAN