Negociatat, Kreu i PD-së, Lulzim Basha: Sot Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi mos hapjen e negociatave si dështimin më të madh të një qeverie në 30 vitet e fundit. Basha tha se varianti më i mirë për Shqipërinë ishte propozimi i Gjermanisë me 9 kushte, por qeveria “Rama” ka dështuar deri në pikën që nuk i hapen negociatat. Në konferencën për mediat pas dështimit të hapjes së negociatave kryeopozitari, Lulzim Basha deklaroi se ka qenë Partia Demokratike ajo që arriti, nëpërmjet kolegëve në grupin CDU/CSU, të merrte një “po” të kushtëzuar për Shqipërinë. Sipas Bashës, Shqipëria nuk mund të merrte një “po” të prerë për negociatat dhe vendimi i Bundestagut ishte maksimumi. “Ju e dini fare mirë se PD dhe unë personalisht jemi përpjekur në takimet me CDU-në në Bundestag që ta transformonim JO-në e tyre në një proces kushtëzimi që do të mundësonte reformat dhe “po”-në e negociatave. Ta themi qartë, dëshironim të kishim një rezultat ndryshe sot, por nuk prisnim më mirë sesa Bundestagu vendosi para 2 javësh. Shqipëria nuk mund të merrte një “po” të prerë”, tha Basha. Basha theksoi se ka një përpjekje për ta shitur atë të sotmen si një përplasje mes vendeve të BE dhe jo si një keqqeverisje. “Në këtë gjendje nuk ta hap askush derën e negociatave. Këtë ta thotë edhe qytetari më i zakonshëm në fshatin më të largët, sepse vendi nuk po qeveriset, por po sundohet. Kjo është e vërteta. 1 orë e gjysëm që sapo kaloi ishte harxhimi më i madh i kohës për këdo që e ndoqi. Unë nuk pata nevojë, sepse e di çfarë propagandon. Sapo kam mbërritur nga Berlini me informacionet më të freskëta në lidhje me këto çështje”, tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim  Basha deklaron se Reforma Zgjedhore është sot një urgjencë kombëtare për të cilën tha se vjen përmes një vullneti të pastër politik, duke shtuar se ndryshimi nuk vjen përmes një proteste. Basha theksoi gjatë fjalës së tij, se opozita e bashkuar është e vendosur t’ju rikthejë qytetarëve të drejtën për të zgjedhur qeverisjen që ata duan ndërsa shtoi se vendi ka nevojë për ndryshim e jo thjeshtë për rrotacion politik. “Dhe e kemi vendosur të bashkojmë të gjithë shqiptarët për të sjell ndryshimin. ky ndryshim do të vij duke i dorëzuar pushtetin dhe mandatet qytetarëve dhe për t’ua lënë atyre në dorë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Nuk është kjo kohë për të fajësuar Bashkimin Europian dhe të tjerëve përveç Edi Ramës. Ne kemi përgjegjësinë e një shumice të madhe për të sjell ndryshimin e jo thjesht një rrotacion, por ndryshim ku ka drejtësi të pavarur dhe barazi para ligjit. Me këto përgjegjësi të reja si kryetar i opozitës së bashkuar dhe shumice qytetarësh të shumtë në numër, se ky ndryshim nuk vjen më përmes një proteste të vetme, por përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që fillon urgjentisht me Reformën Zgjedhore. Për këtë duhet një vullnet i pastër politik. Është një urgjencë kombëtare për të zgjedhur pushtetin që qeveris dhe shkarkuar pushtetin ku i keq qeveris”, tha Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të ironizonte kryeministrin Edi Rama, në lidhje me pamjen e këtij të fundit, ku shfaqet me mjekër të bardhë. Në një bashkëbisedim me gazetarët ku kryefjalë e tryezës është vendimi negativ i Këshillit Europian për mos hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, lideri i opozitës shigjetoi kreun e qeverisë, pavarësisht se nuk përmendi emra, nënkuptoi pikërisht imazhin e ri e ri publik të Ramës. “Dy në 10 familje ushqehen me lista. 70 % e shqiptarëve harxhojnë paratë për bukë, nivele afrikane mjerimi. Pse ndodhin të gjitha këto? Këta që paraqiten si patriotë të mëdhenj dhe e lënë mjekrën si Ismail Qemali. Ne do dalim nga kjo krizë, por është fillimi i fundit të kësaj sëmundje të tmerrshme, që për pak do e shkatërronte vendin. Kjo e ardhme tashmë është në duart tona dhe kërkon që të besojmë se e nesërmja do të jetë dhe mund të jetë ndryshe. Pasi ky vend është i talentuar dhe me vende të jashtëzakonshme. Këtu e vetmja e keqe është kapja e pushteteve”, tha Lulzim Basha.