Në Shtetet e Bashkuara sot është Dita Përkujtimore e të Rënëve, kur nderohen të gjithë ata që humbën jetën në luftra

Në Shtetet e Bashkuara sot është Dita Përkujtimore e të Rënëve, kur nderohen të gjithë ata që humbën jetën në luftra. Në mbarë vendin zhvillohen parada dhe festime të tjera. Me këtë rast mbahen ceremoni, gjatë së cilave vendosen kurora tek Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë Washingtonit.

Mijëra motoçikleta kanë vërshuar në Uashington për të demonstruar në paradën e përvitshme të njohur si “Rolling Thunder”. Gjëmimi i motorrëve bart simbolikën e për të tërhequr vëmendjen për të burgosurit e luftës dhe ata që figurojnë të zhdukur në aksion.

Tradita e përvitshme e Ditës së Përkujtimit synon të tërheqë vëmendjen e Uashingtonit ndaj më shumë se 83,000 ushtarakëve që ende figurojnë të Zhdukur në Veprim që nga Lufta e Parë Botërore, e deri në luftimet e fundit në Irak. Lista gjithashtu përfshin 126 njerëz që besohet se mungojnë nga operacionet që lidhen me Luftën e Ftohtë.

Vërshimi me Motorçikleta u mbajt për herë të parë në vitin 1988. Motorçiklistët zakonisht takohen në parkingun e Pentagonit dhe udhëtojnë drejt Uashingtonit nëpër ura të ndryshme mbi lumin Potomac.

Por drejtori ekzekutiv i kësaj parade, Artie Muller tha se ky është viti i fundit që ky udhëtim do të kryhet në Uashington.

Ai tha se është i lodhur me burokracinë e Pentagonit në koordinimin e ngjarjes dhe shtoi se sponsorëve, shitësve dhe të tjerëve nuk u është dhënë akses në parkingje, edhe pse organizuesit e këtij udhëtimi me motorçikleta paguajnë tarifa të lehta për leje.

Për shumë njerëz, prania e grupit të motorçiklistëve prej dekadash është bërë sinonim i aktiviteteve të Ditës së Përkujtimit në Uashington.

Por Presidenti Donald Trump thotë se “Rolling Thunder” është gjithmonë i mirëpritur në kryeqytet.

“Patriotët e Mëdhenj të Rolling Thunder do të vijnë në Uashington DC vitin e ardhshëm, dhe shpresojmë se do të vijnë për shumë vite të tjera. Është ku ata duan të jenë dhe ku duhet të jenë”, tha presidenti Trump duke falënderuar për këtë burrat dhe gratë e Pentagonit.

Në një intervistë me Zërit të Amerikës, Artie Muller tha se grupi Rolling Thunder është i gatshëm të flasë me presidentin dhe shtoi se “në fakt synoj që Rolling Thunder të bëhet një udhëtim mbarëkombëtar” në Ditën e Përkujtimit.

Artie Muller tha se udhëtimi vjetor në kryeqytetin e vendit po bëhet i mundimshëm për disa anëtarë të Rolling Thunder. “Ne të gjithë po plakemi dhe nuk mund të shkojmë aq larg,” tha ai. Për anëtarët që vijnë nga bregu perëndimor i SHBA-së, është një barrë e rëndë, për shumë nga ne deri në 4000 km udhëtim me motor deri në kryeqytet”.

Shifrat e Pentagonit tregojnë se 83,000 ushtarakë amerikanë mbeten të pagjetur. Shumica e tyre – rreth 73,000 – janë nga Lufta e Dytë Botërore. Deri në 7,700 janë nga Lufta e Koresë dhe më shumë se 1,600 janë nga Lufta e Vietnamit.