Në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot masën e “Arrestit në shtëpi” për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri

Ajo që pritej ndodhi. Ish-ministri më i suksesshëm i qeverisë pararendëse Rama është tashmë në proces hetimi për atë, për të cilën ka kohë që akuzohet, për përfshirjen “Trafikimi i narkotikëve”. Në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot masën e “Arrestit në shtëpi” për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria nga ana e saj kishte kërkuar “Arrest me burg. Ajo e akuzon atë për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Kërkesa e Prokurorisë erdhi një javë pasi zoti Tahiri, dorëzoi mandatin e deputetit. Kërkesa e mëparshme e prokurorëve, në tetor të vitit të shkuar, drejtuar parlamentit, u rrëzua me votat e shumicës së majtë, sipas së cilës ndaj ish ministrit “nuk ka prova”. Ditë të këqija parashihen për Saimir Tahirin në veçanti dhe atë pjesë të politikës shqiptare, e cila do t’i shërbejë si patericë përgjegjësisë ndaj tij. Ende është heret për të parashikuar nëse Tahiri do të jetë viktima e vetme e këtij peshkimi, apo ai është rrjeta ku do të bien edhe të tjerë emra tërëndësishëm të klasës politike shqiptare.