NE PREHRIN E BUKURISE SE BJESHKEVE/ Boga dhe Razma, perlat klimaterike të Malësisë së Madhe

Boga dhe Razma bëjnë pjesë në Komunën e Shkrelit në qarkun Shkodrës, janë të njohura dhe të frekuentuara që herët pasi posedojnë vlera turistike të afirmuara. Fillimisht është shpallur zonë turistike në vitin 1935, nga Mbreti Zog, pikërisht për veçoritë klimaterike të zonës. Asetet më të mëdha të Komunës së Shkrelit, janë pozita gjeografike, klima e freskët malore, pyjet, ushqimi i shëndetshëm, tradita e mikpritjes, pistat dhe fushat sportive për të gjitha llojet e sporteve, edhe ato dimërore. Deri tani në Komunën e Shkrelit janë ndërtuar 15 hotele me kapacitet 400 shtretër si dhe shumë vila banimi, kryesisht për muajt e verës. Pjesa me e madhe e vizitorëve të Razmës dhe Bogës janë turistë të vendit, ndërsa po zhvillohet shumë dhe turizmi ditor i favorizuar nga afërsia me Shkodrën, Koplikun dhe Tiranën.

Razma

Fshati turistik i Razmës ndodhet rreth 40 km nga qyteti i Shkodrës me një rrugë automobilistike të asfaltuar, me bjeshkë shumë të njohura për bukuritë e saj me një lartësi mbi nivelin e detit 950 m, me një pozicion mes majave piramidale të pyllëzuara dhe të rrethuara me kullota alpine. Këtu ndodhet dhe mali Veleçik me 1724 m mbi nivelin e detit. Razma ka një klimë shumë të mirë kurative dhe krahas kësaj ka vlera për të pasionuarit për ngjitje alpine dhe shpella karakteristike si shpella e Pëllumbave, Dhenve, Ujit në Lujs etj. Me një reliev malor ku mbizotërojnë ahu, pisha, larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër e bëjnë këtë zonë piktoreske dhe një destinacion i frekuentuar edhe për të pasionuarit pas gjuetisë. Kjo bjeshkë  ka qenë dhe është një destinacion i frekuentuar për turistët kohë më përpara dhe vazhdon përsëri në të gjitha stinët meqenëse natyra ofron mundësi për ecje malore, piknik, eksplorim në shpella, ne ski etj. Pra akomodim në hotele luksi të thjeshta, apo tenda kampingjesh duke shijuar një gastronomi me produkte bio.

Shtrirja  e Razmës shënon kufijtë 900-950 metra mbi nivelin e detit. Klima është mesdhetare-kontinentale, me një fluks mjaft të madh ndriçimi me diell, si në dimër dhe në verë. Kjo klimë e bën Razmën  të mrekullueshme për të kaluar ditët dhe netët e nxehta të verës. Masivet e pyjeve që e rrethojnë, krijojnë  një mikroklimë apo më saktë një klimë të mrekullueshme, ku ajri jo vetëm është në shkallën më të lartë të pastërtisë, por edhe ka një përqindje të madhe oksigjeni  që “mushkëritë” e gjebërta, pemët, me laboratorët e tyre, gjethet, e prodhojnë pa kursim…Afër Razmës gjendet mali “historik” i Veleçikut me lartësi 1725 metra mbi nivelin e detit, mal që me reshjet e dëborës (gjatë dimrit) krijon kushte për zhvillimin e sportit të skive…

Razma është shfrytëzuar si vend turistik që në shekullin e XIX nga të huajt. Botanisti italian Antonio Baldoci, gjeologu Boran Nopce, austriaku Dofler, e kanë vlerësuar Razmën për bukuritë dhe pasuritë e saj natyrorë të veçanta. Rreth viteve 1920 tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre të verimit, kjo gjë dëshmohet nga rrugët dhe shtëpitë e vjetra me arkitekturën e kohës.

Boga

Boga është emër mali, bajraku apo fshati, që bashkon historinë qindravjeçare me  parajsën e ëndërruar klimaterike, parajsë e cila prej shekujsh është në pritje të  pushuesve apo turistëve që përveç klimës së freskët me ajër të pastër e oksigjen të bollshëm, ruan me fanatizëm “virgjërinë” mahnitese të bukurisë së luginës e maleve të gjelbëruara që e rrethojnë… Lugina e Bogës  ka një lartësi  mesatare  rreth 950 metra  mbi nivelin e detit.  Kjo luginë që përshkohet nga Përroni i Thatë fillon në Grykë të Lugjeve dhe përfundon në Qaf  Tëthores me rreth 1700 m mbi nivelin e detit. Boga si fshat “rrethohet” nga tre male mjaftë të lartë, si: Mali i  Livadhit me 2494 m lartësi , Mali i Rrabës me 2222 m lartësi dhe Mali i Bridashit me 2128 m lartësi (mbi nivelin e detit). Lartësitë e këtyre maleve përherë janë të mbuluar me borë, gjë që influencon në  freskin e mrekullueshme të Bogës gjatë muajve të verës. Temperaturat gjatë muajve të dimrat janë fare normale për një vend malor si Boga, ku minimalja zbret vetëm për pak ditë në minus 6 apo rreth minus 8 gradë nën zero. Temperaturat në verë janë disi të “përziera” mesdhetare-kontinentale.  Maksimalja e temperaturave gjatë ditës në muajin korrik nuk i kalon kufijtë e 19-20 gradëve, ndërsa natën temperatura mesatare kap vlerat  12-15 gradë celcius. Gjatë muajve qershor apo gusht temperaturat gjithnjë kanë shënuar vlera më të ulëta. Rreshjet  në  Bog  kanë një mesatare vjetore rreth 1900 deri në 2100 mm, ku bie në sy një shpërndarja me e “drejtë” për stinën e verës, gjë që ka influencuar në rritjen e lagështisë ajrore dhe freskisë për muajt e nxehtë…Një rol të veçantë për një ajër të pastër e të pasur me oksigjen, si dhe për krijimin e një mikroklime me vlera për Bogën kanë luajtur e luajnë masivet e pyjeve drunore, si dhe bimësia  që lulëzon në stinët e pranverës, verës e vjeshtës. I gjithë ky gjelbërim i ngjan jo vetëm një  “mushkërie” gjigante që ka vlera të jashtëzakonshme klimaterike, por është një mrekulli piktoreske e natyrës, qe vetëm duke e shikuar të kënaq syrin, të mahnit mendjen dhe të shton “ymrin”, siç thotë një falë popullore.

 Tradita historike dhe kulturore

thethi2Malësia e Shkrelit ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e historisë së Shqipërisë. Si të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike edhe ato të Malësisë  së Madhe,  kanë një histori jetë prej qindra apo mijëra vitesh. Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve  të hershme Ilire si dhe të periudhës Romake; më pas Malësia e madhe ka qenë mbështetje e madhe e Skënderbeut, por edhe e rezistencës së më vonshme anti-osmane. Por historinë më të shkëlqyer ajo ëe pati me pjesëmarrjen në Lidhjen e Prizerenit dhe në kryengritjet e Veriut të viteve 1909-1911, të cilat sollën edhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në Bogë ka objekte të lashta social-kulturore, siç është Kisha 450 vjeçare e Shën Mëhill, ku më 28-29 shtator bëhet edhe një festë e bukur, ku përveç meshës tradicionale bogejanët kanë filluar të organizojnë edhe koncerte festive. Kush dëshiron të kalojë ditë vere në Bogë, ai mund të shijoje “Akulloren Natyrale”, e cila përbëhet nga bora që mund të merret në majat e maleve përreth dhe qumështi i freskët. Gjithashtu në Bogë gjendet djathi i bjeshkës, gjalpi, kosi e mishi i freskët. Patatja e prodhuar këtu ka vlera të njohura edhe kombëtarisht (patate Boge). Në malet që rrethojnë luginën e Bogës gjendet “Bari i Zemrës “ ose Sanza, rrënjët e së cilës kanë vlera kurative për enët e gjakut, frymëmarrjen e zemrën. Kjo bime ështe zbuluar rreth 2200 vite më përpara nga mbreti Ilir Genti, që për nder të tij edhe sot trashëgohet emri shkencor, Gentiana Lutea… Boga ka një ujë të mrekullueshëm, burimi i të cilit njihet me emrin Kroni i bogës. Thuhet se italianët ia njohën vlerat ujit të kronit, ndaj e rikonstruktuan për t’u shfrytëzuar për ujë të pijshëm…Madje italianët, ndonëse si pushtues, gjatë stinëve të verës (1939-1942) shpesh kanë ngritur çadra për të veruar këtu. Vlen të kujtohet se kushdo që udhëton për në Bogë pak kilometra pa arritur atje, në vendin e quajtur Gryka  e Lugjeve dallon disa ndërtesa të thjeshta  apo ndonjë vile të re. Këto tregojnë se Gryka e Lugjeve ka filluar të vlerësohet edhe si vend klimaterik, ku disa  vendali nga Bzheta e me gjerë kanë trojet dhe bjeshkët e tyre që verojnë blegtorinë. Gjithashtu ka disa “zotni shkodret” që rreth viteve tridhjetë të shekullit XX, kishin filluar të “ndërtonin”  vende verimi për familjet e tyre. Gjithsesi Boga ka qenë dhe është mrekullia e shtëpisë së pritjes për pushues e turistë të vendeve klimaterike e historike. Rruga e asfaltuar, si dhe mikpritja e bogejaneve që siguron një turizëm familjar, janë  garancia e mrekullisë së “virgjër” klimaterike, që pret “dashnorët” pushues …

Natyra…

Flora dhe fauna është shumë e pasur dhe shquhet për biodiversitetin e saj të lartë. Përgjatë luginës së Bogës takohen këto kate bimore që janë: shkurret ku mbizotëruese është lajthia dhe dëllinja. Kati tjetër është ai drunjëve të lartë ku mbizotërues është ahu dhe kullota alpine. Në këtë zonë po ashtu mund të gjejmë bimë endemike të rralla si: Eulfenja e Baldacit, që gjenden në shteg të dhenve, në qafë Shtogu si dhe Crekus i Dalmacisë që gjendet në Bjeshkët e Namuna, Radohinë etj. Fauna gjithashtu është e pasur ku ka mbi 25 lloje gjitarësh, të tilla si: dhia e egër, macja e egër, vjedulla e zardafit dhe mbi 40 lloje shpendësh ku nga këto janë të rralla: gjeli i egër, shgiponja e malit dhe pula e pyllit.

Komuna e Shkrelit, e gjitha një mrekulli turistike

boreKomuna e Shkrelit është destinacion turistik që posedon vlera turistike të afirmuara si Razma dhe Boga, të cilat shquhen për pozitën e shkëlqyer gjeografike, me klimën e shëndetshme, fondin e pasur me florën dhe faunën, sipërfaqet me ambient natyror të ruajtura dhe ushqim te shëndetshëm, masivet malore me kushte të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore, traditën e mikpritjes dhe folklorit etj. Në komunën e Shkrelit janë vendosur 10 hotele me kapacitet prej 350 shtretërish. Pjesa me e madhe e vizitoreve të Razmës e Bogës janë turistë të vendit, ndërsa po zhvillohet shumë dhe turizmi ditor i favorizuar nga afërsia e Shkodrën, Koplikun e Tiranën.

Reçi, pak i njohur, por që ia vlen ta provosh

Reçi është një fshat piktoresk, i cili ndodhet nën administrimin e komunës Shkrel dhe ndodhet 25 km larg nga qyteti i Shkodrës ku mbizotëron pylli i gështenjës rreth 300 ha. Në një peisazh shumë të bukur dhe tërheqës për vizitorët. Në Qëndrën e Reçit ndodhet dhe Parku me lokale, bare, restorante me një shërbim dhe gastronomi tradicionale. Nga Qëndra mund të vizitojmë dhe lagjet Qafë-Gradë, Bloze, Dodq, Repisht, Prelnikaj, Ulnikaj, Mosel. Krahas peizazhit të bukur dhe pyllit të gështenjës këtu mund të vizitohet dhe shpella e Pëllumbave, Kalaja e Babicës, Kalaja e Ballezës, Kisha e vjetër, Lumi Rrjoll etj.

Alpet Shqiptare

Alpet Shqiptare takohen në pjesën më veriore të Shqipërisë dhe kane kufij tepër të qartë, duke paraqitur rajonin me lartësi më të madhe dhe një nga me të bukurit në vendin tonë. Në jug kufizohen nga lugina e Drinit (Fierzë-Vau i Dejës), në lindje dhe verilindje kufizohen me pellgun e Tropojës dhe në perëndim ato zbresin në fushën e Mbishkodrës. Në veri vazhdojnë jashtë territorit shqiptar, në Malin e Zi. Alpet përhapen për rreth 60 km gjerësi dhe 64 km gjatësi  dhe zënë një sipërfaqe rreth 2020 km2.  Drejt veriut strukturat e tyre gjeografike dhe gjeologjike vazhdojnë jashtë kufirit shtetëror në Malin e Zi, ndërsa në perëndim Alpet kufizohen me Fushën e Mbishkodrës. Alpet përfshihen në rrethet e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Tropojës në të cilën jeton nje popullsi e përqendruar në këto komuna.

  Gjeografi/Mape

Razma, Boga dhe Reçi bëjnë pjesë në komunën e Shkrelit e cila shtrihet në verilindje të Malësisë së Madhe dhe kufizohet në veri me komunën Shalë, në jug me komunën Qëndër Koplik, në lindje me komunat Gruemirë dhe Pult e në perëndim me komunën Kastrat. Rreth 75% është e shtrirë në zonën malore. Sipërfaqja e përgjithshme është rreth 297.2 Km2. Komuna është e ndarë në 14 fshatra me 6014 banorë me rreth 1400 familje. Në përbërje të kësaj komune janë fshatrat: Vrith (ndodhet Razma),Bogë , Lohe e sipërme, Dedaj (Qendra e komunës), Bzhetë, Bzhete Makaj, Qafë – Gradë, Droç – Repisht, Reç, Zagorë,Vuç-Kurte, Kokë – Papaj. Distancat nga pikat doganore tokësore: Han i Hotit – Razëm 38km, Muriqan -Razëm 43km, Pika kufitare e Vermoshit (dalja në Plavë)-Razëm 106 km. Distancat nga Aeroportet: Aeroporti i Podgoricës-Razëm 50km. Aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza” – Razëm 120 km.