NE PERVJETORIN E VDEKJES-Karol Vojtila, Gjon Pali II që shenjtëroi si askush tjetër papatin modern

Nga Albert Vataj

Papati modern pati edhe të tjerë vullnetmirë që e lartësuan kishën duke e shndërruan atë në një tempull të besimit, tolerancës dhe humaniteti, por si Karol Vojtila do ta ketë të pamundur të shenjtërojë në një shekull, Selia e Shenjtë. Në gjithëçfarë ishte dhe në gjithëçfarë bëri, ai ishte një i zgjedhur që pasuroi dhe begatoi më frymë shenjtërie si kurrë më parë, Vatikanin. Koha së cilës ai përkiste, kapërcyelli ku gjendej bota dhe njeriu, në erën e ndryshimeve të hyovshme, ku kisha dhe Selia e Shenjtë patën një rol përcaktues në fatin e zhvillimit të shumë ngjarjeve, duket se e ngritën lart, shumë lartë në qiellin e Etërve të Shenjtë, Karol Vojtilën.

Më 2 prill 2005, Papa Gjon Pali II kthehej në Shtëpinë e Atit Qiellor, pas një sëmundjeje të gjatë, të përballuar me guxim e fisnikëri.

Zoti e kishte pajisur Karol Vojtilën me një humanitet të jashtëzakonshëm. E gjithë shenjtëria, që ne e kemi parë, pastaj, gjatë jetës së tij meshtarake, ipeshkvnore e papnore, mbështetej mbi një njeri, që kishte vuajtur shumë: kishte provuar persekutimin, vdekjen e nënës, kur ishte ende i njomë, sulmin nga ana e regjimit, faktin, që i duhej të jetonte në një mjedis armiqësor… Të gjitha këto i kishte jetuar ky njeri i jashtëzakonshëm për simpati, për pamje fizike, thellësi kulturore, pasuri studimesh, njohje të filozofisë e edhe të fenomenologjisë… E pastaj, për aftësinë e jashtëzakonshme që kishte për t’i njohur njerëzit, aftësinë për të hyrë në lidhje me ta, njohjen e gjuhëve e të botës, ku kishte jetuar, edhe kur kishte qenë ipeshkëv në Poloni. Ishte humanitet i lartuar nga Zoti, përmes një jete me ballafaqime të ashpra, një jete me vuajtje, me flijime, një jete tejet të thjeshtë… Gjëja, që kam admiruar më shumë në ditën e fundme të jetës së tij, ishte pamja në shtratin e vdekjes, krejtësisht i zhveshur nga gjërat tokësore, edhe në këndvështrimin material: asnjë luks, asnjë shenjë madhërie rreth atij krevati. Thjeshtësi emocionuese. Ky humanitet i thellë u kurorëzua nga Zoti me dhuratat e Shpirtit Shenjt. E prej këndej, kishte gjithçka, duke u nisur nga feja, shpresa e dashuria, që duhet për ta bërë Shenjt edhe një njeri të zakonshëm, si të gjithë.