Në kuadër të kryesimit të OSBE, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë në Rusi

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, duke iu referuar burimeve diplomatike të OSBE në Vienë,  thotë se kjo vizitë është parashikuar për në datë 26 Shkurt.

Mbetet e paqartë për momentin se kush do të jenë bashkëbiseduesit e tij në Moskë, ku në fokus të bisedimeve do të jetë kriza Rusi-Ukrainë.

Në fjalimin e tij përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE, kryeministri e listoi Ukrainën si një prej prioriteteve të presidencës shqiptare të OSBE.

I fundit kryeministër shqiptarë që ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Moskë duke u takuar me kryeministrin  e kohës Çernomerdin,  është Aleksandër Meksi gati një çerek shekulli më parë.
Vetë zoti Meksi ka deklaruar më vonë se  Pritja atje qe e madhe.

“Nga delegacioni shqiptar kishte pak njerëz. Sa fillova të flisja rusisht ata u habitën dhe më duartrokitën. Kryeministri rus Çernomerdin mu afrua dhe ne bëmë një bisedë të lirë. Më tej ai më tha se mund ti shiste Shqipërisë avionë luftarakë MIG me çmim të lirë. Unë i ktheva përgjigjen: Mirë, por na gjeni armikun fillimisht” ka treguar ish kryeministri Meksi.

Kjo vizitë e kryeministrit Edi Rama në Kremlin,  zhvillohet në një kohë kur mardhëniet Shqipëri Rusi janë në kuotat minimale.
Në mars të vitit 2018 Shqipëria iu bashkua vendeve europiane duke dëbuar dy diplomatë rus nga Tirana një veprim i koordinuar edhe me NATON.

Ata ishin  Vladislav Filipov, atasheh ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës, të dyshuar se nën petkun e diplomatit zhvillonin spiunazh për interesa të Rusisë.
Megjithëse Edi Rama e viziton Moskën si kreu i OSBE kjo do të jetë një mundësi e mirë për ti dhënë një qasje të re mardhënieve mes dy vendeve.